Mateu 8:23–27; Marku 4:35–41
Jezusi Fashit Stuhinë
“Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?”, i thirrën dishepujt Shpëtimtarit teksa valët dhe era përplasnin barkën e tyre të vogël (shih Marku 4:37–38). Në kohë dëshpërimi, mund ta gjejmë veten të dëshpëruar për ndihmë dhe të vëmë në pikëpyetje kujdesin e Shpëtimtarit për ne. Sado e dëshpëruar të duket situata jonë, Jezu Krishti ka aftësinë dhe fuqinë të lehtësojë barrët tona, të largojë shqetësimet tona dhe të na thotë: “Pusho dhe fashitu” (Marku 4:39). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të marrësh paqen dhe qetësinë e Zotit gjatë vështirësive që has.
Çfarë gjërash të frikësojnë?
Ka raste në jetën tonë kur mund të ndihemi sikur jemi në mes të një stuhie të fortë. Ndonjëherë këto stuhi të jetës mund të na frikësojnë.
Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi shembuj të frikës që kemi ndonjëherë. Mendoni për gjëra të ngjashme që mund t’ju frikësojnë.
“Të rinjtë tanë në moshë madhore beqarë kanë frikë të bëjnë zotime të tilla si martesa. Çiftet e martuara që të rinj … mund të kenë frikë të lindin fëmijë në një botë gjithnjë e më të ligë. Misionarët kanë frikë për shumë gjëra, veçanërisht që t’u afrohen njerëzve të panjohur. Të vejat kanë frikë ta vazhdojnë jetën vetëm. Adoleshentët kanë frikën se nuk pranohen nga bashkëmoshatarët; nxënësit kanë frikë ditën e parë të shkollës; nxënësit në universitete kanë frikë kur u jepet vlerësimi i një provimi. Ne kemi frikë nga dështimi, refuzimi, zhgënjimi dhe e panjohura. Ne kemi frikë nga uraganet, tërmetet dhe zjarret që e shkatërrojnë tokën dhe jetën tonë. Ne kemi frikë se nuk do të na zgjedhin dhe, nga ana tjetër, kemi frikë kur na zgjedhin. Ne kemi frikë se nuk jemi të mirë sa duhet; kemi frikë se Zoti nuk ka bekime për ne. Ne kemi frikë nga ndryshimi dhe frika jonë mund të shtohet deri në panik.”
(Ronald A. Rasband, “Mos u Shqetësoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 18.)
Përgjigjju pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit.
-
Nga çfarë gjërash ke frikë që janë të ngjashme me ato të përmendura nga Plaku Rasband?
-
Si mund të ndikojnë këto gjëra nga të cilat ke frikë në besimin tënd? Përse?
-
Çfarë mund të bësh për të marrë ndihmën e Shpëtimtarit për të kapërcyer frikën nga këto gjëra?
Ndërsa studion sot, kërko për të vërtetat që mund të të ndihmojnë të marrësh paqen e Zotit që ta qetësojnë frikën tënde.
Një përvojë e frikshme
Përfytyrimi i ngjarjeve në shkrimet e shenjta është një aftësi studimi që mund ta rritë shumë fuqinë dhe efektshmërinë e studimit tuaj. Studio vargjet te Marku 4:35–38 dhe përpiqu të përfytyrosh përvojën e dishepujve që shënohet në këto vargje.
1. Vizatoje sa vijon në ditarin tënd të studimit. Shtoji gjëra vizatimit tënd kur të marrësh udhëzim në mësim ose nxitje nga Fryma e Shenjtë.
Vizato një figurë të thjeshtë të skenës nga Marku 4:35–38 në ditarin tënd të studimit. Përfshij çfarëdo hollësie që mendon se do të ishte e dobishme. Do ta përdorësh këtë vizatim gjatë gjithë mësimit për ta lidhur këtë histori me vetë jetën tënde. Merr parasysh t’i bësh vetes pyetjet vijuese ndërkohë që vizaton:
-
Çfarë pamjeje imagjinon se kishte barka?
-
Çfarë mund të kishin bërë dishepujt ndërkohë që valët përplaseshin mbi barkë?
-
Si mendon se dukej stuhia dhe si do të ndiheshe në stuhi?
Merr parasysh se si ngjarjet e përshkruara në këtë rrëfim mund të simbolizojnë ngjarjet që kanë ndodhur, po ndodhin ose mund të ndodhin në jetën tënde.Pranë pjesëve të ndryshme të vizatimit që krijove, shkruaj aspektet e jetës sate që mund të përfaqësohen nga elemente në këtë rrëfim të shkrimit të shenjtë. Për shembull, barka mund të përfaqësojë gjërat që e mbajnë Shpëtimtarin pranë teje. Valët ose stuhia mund të përfaqësojë tundimet ose sprovat që has dhe që rrezikojnë të të vënë përfund.
-
Çfarë emocionesh mund të kenë ndier dishepujt me të cilat mund të identifikohesh edhe ti?
-
Kur mund ta ndiejë dikush sikur Shpëtimtarin e ka zënë gjumi gjatë stuhive të jetës së tij? Përse?
Lexo sërish te Marku 4:38 dhe përcaktoje pyetjen e ngritur nga dishepujt.
-
Cilat të vërteta për Shpëtimtarin mund të kenë harruar ata gjatë stuhisë?
Studio vargjet te Marku 4:39–41 dhe kërko atë që mëson për natyrën dhe karakterin e Jezu Krishtit.
-
Çfarë mësove për natyrën dhe karakterin e Jezu Krishtit?
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga ky rrëfim për aftësinë e Shpëtimtarit për t’i fashitur stuhitë e jetës sonë?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si mund të ndodhë një stuhi e tillë e tmerrshme në një masë të tillë të vogël uji?
“Deti i Galilesë … ndodhet në Luginën e Vaut të Jordanit, thuajse 213 metra nën nivelin e detit dhe rrethohet nga male të larta në perëndim, veri dhe në lindje. Erërat mund të përplasen mbi shpatet perëndimore dhe të krijojnë stuhi të papritura e të forta, me dallgë të mëdha mbi këtë masë deri diku të vogël uji.”
(New Testament Student Manual[2018], f. 108.)
Pse Jezusi u bëri një qortim të lehtë dishepujve për mospasje besimi?
Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) tregoi:
“Të gjithë ne kemi parë disa stuhi të befasishme në jetën tonë. Disa prej tyre, megjithëse të përkohshme si ato në detin e Galilesë, mund të jenë të forta e frikësuese dhe mundësisht shkatërrimtare. Si individë, si familje, si bashkësi, si kombe, madje si kishë, neve na kanë dalë shtrëngata të befasishme që na kanë bërë të pyesim në një mënyrë apo një tjetër: ‘Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?’ Dhe në një mënyrë apo një tjetër ne gjithmonë dëgjojmë në qetësi pas shtrëngatës: ‘Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?’
Asnjë nga ne nuk do të donte të mendonte se ne nuk kemi besim, por unë mendoj se qortimi i dashur i Zotit këtu është shumë i merituar. Ky Jehova i madh, tek i cili ne themi se besojmë dhe emrin e të cilit ne kemi marrë mbi vete, është Ai që tha: ‘Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t’i ndajë ujërat nga ujërat’. ( Zanafilla 1:6 .) Dhe është gjithashtu Ai që tha: ‘Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera’. ( Zanafilla 1:9 .) Për më tepër, ishte Ai që ndau Detin e Kuq, duke i lejuar izraelitët të kalojnë përmes tokës së thatë. (Shih Eksodi 14:21–22 .) Sigurisht nuk duhet të jetë befasi që Ai mundi të komandonte disa faktorë natyrorë që vrundullonin mbi Detin e Galilesë. Dhe besimi ynë duhet të na kujtojë se Ai mund t’i qetësojë ujërat e trazuara të jetës sonë.”
(Howard W. Hunter, “Master, the Tempest Is Raging”, Ensign, nëntor 1984, f. 33.)
Si mund të lidhet kjo histori me mua?
Motra Liza L. Harknes, ish-Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, tregoi:
“Ekziston një prirje e jetës tokësore, madje një tundim, që kur gjendemi në mes të sprovave, shqetësimeve apo hidhërimeve ne thërrasim: ‘Mësues, a nuk merakosesh që unë po marr fund? Më shpëto.’ …
Mund t’i imagjinoj dishepujt e Jezusit në barkën që lëkundej nga stuhia, të cilët nga nevoja, ishin të angazhuar duke vërejtur dallgët tek përplaseshin brenda barkës dhe duke nxjerrë ujin prej saj. Mund t’i përfytyroj ata duke mbajtur velat dhe duke u përpjekur të ruajnë disi kontrollin e mjetit të tyre të vogël. Qëllimi i tyre ishte që t’i mbijetonin çastit dhe përgjërimi i tyre për ndihmë ishte i sinqertë e me ngut.
Shumë prej nesh nuk janë ndryshe në kohën tonë. … Në kohë trazirash, besimi ynë mund të duket i tendosur deri në skajet e durimit dhe kuptueshmërisë sonë. Dallgët e frikës mund të na shpërqendrojnë, duke bërë që ta harrojmë mirësinë e Perëndisë, kështu duke e lënë këndvështrimin tonë dritëshkurtër dhe jashtë objektivit. Sidoqoftë, është nëpërmjet këtyre tendosjeve të forta të rrugëtimit tonë, që besimi ynë jo vetëm që mund të sprovohet por edhe të përforcohet.”
(Liza L. Harknes, “Pusho dhe Fashitu”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 81.)