Seminari
Zotërimi Doktrinor: Vlerësimi 1


Zotërimi Doktrinor: Vlerësimi 1

Mateu 5:14–16 deri te Gjoni 17:3

Gjatë gjysmës së parë të këtij kursi, nxënësit studiuan 11 fragmente të zotërimit doktrinor që gjenden te Mateu, Lluka dhe Gjoni. Ky vlerësim ka për qëllim të vlerësojë aftësitë e nxënësve për t’i gjetur këto fragmente dhe për t’i përdorur ato në situata nga jeta reale. Ai do të vlerësojë gjithashtu kuptueshmërinë e tyre për parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Përdoreni këtë vlerësim të zotërimit doktrinor në çfarëdo kohe pasi të jepen mësim të gjitha fragmentet e zotërimit doktrinor te Mateu, Lluka dhe Gjoni. Mund të jetë e nevojshme të jepen disa nga mësimet e zotërimit doktrinor përpara se të dalin në rendin e shkrimeve të shenjta në mënyrë që vlerësimi të mund të kryhet përpara fundit të semestrit.

Nëse është e mundur, kryejeni këtë vlerësim me prani fizike në mënyrë që nxënësit të mund ta korrigjojnë atë si klasë menjëherë pasi ta përfundojnë.

Krahas vlerësimit të njohurive aktuale të nxënësve, përvoja e kryerjes dhe e korrigjimit të vlerësimit ka për qëllim të jetë një përvojë kuptimplotë e që krijon dëshmi për nxënësit. Ndërkohë që korrigjoni pyetjet 7–12, ftojini nxënësit të tregojnë se përse e zgjodhën atë përgjigje dhe të shpjegojnë mënyrën se si fragmenti që zgjodhën mund t’i ndihmojë ata në situatat e përshkruara në vlerësim. Ndihmojini nxënësit ta kuptojnë çdo pyetje së cilës mund t’i jenë përgjigjur në mënyrë të gabuar. Gjeni kohë për t’u përgjigjur për çdo pyetje tjetër që mund të kenë nxënësit.

New Testament Seminary Teacher Manual - 2023

Zotërimi Doktrinor i Dhiatës së Re: Vlerësimi 1

Referencat e zotërimit doktrinor

Për pyetjet 1–3, shkruani shkronjën e referencës përkatëse në vendin bosh pranë çdo fraze. Ju lutemi, mos i përdorni shkrimet tuaja të shenjta për këtë pjesë të vlerësimit.

1. ____ “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”

a. Mateu 11:28–30

2. ____ Jezu Krishti urdhëroi që të merrej sakramenti “në përkujtimin [e Tij]”.

b. Lluka 2:10–12

3. ____ “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.”

c. Lluka 22:19–20

d. Gjoni 3:5

e. Gjoni 3:16

Frazat kyç të shkrimit të shenjtë

Për pyetjet 4–6, plotësoni fjalët që mungojnë në frazat kyç të shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor. Ju lutemi, mos i përdorni shkrimet tuaja të shenjta për këtë pjesë të vlerësimit.

4. Jezusi tha: “Unë do të të __________ __________ e __________ së __________” ( Mateu 16:15–19).5. “Sepse sot në qytetin e Davidit __________ për ju një __________, që është Krishti, __________” ( Lluka 2:10–12).6. “Sepse një __________ nuk ka __________ e __________, si po shihni se unë kam” ( Lluka 24:36–39).

Ju mund t’i përdorni shkrimet tuaja të shenjta për pjesën e mbetur të vlerësimit.

Për pyetjet 7–9, përcaktoni një ose më shumë fragmente të zotërimit doktrinor që mund ta ndihmojnë dikë në situatat vijuese.

7. Ju jeni me misionarët kur dikush pyet nëse është me të vërtetë e nevojshme që ai ose ajo të pagëzohet ose nëse ai ose ajo mund ta pranojë thjesht Jezu Krishtin në zemrën e vet.

8. Në Shkollën e së Dielës, një anëtar/e i/e lagjes suaj pyet se si ai ose ajo mund ta dijë që doktrina e dhënë mësim në Kishë është nga Perëndia.

9. Dikush po përgatit një mësim në mbrëmjen e shtëpisë rreth mënyrës se si ne mund të bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit.

Te pyetjet 10–11, tregoni njohurinë dhe aftësinë tuaj për t’i përdorur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

10. Si do t’ia shpjegonit tri parimet vijuese të marrjes së njohurisë shpirtërore dikujt që nuk ka njohuri rreth tyre?

  • Veproni me besim.

  • Shqyrtojini konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.

  • Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.

11. Ju keni një mike e cila e ka pasur të vështirë të besojë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e duan dhe duan një marrëdhënie me të. Përgjigju për pyetjet vijuese:

  • Çfarë gjërash specifike do ta ftonit atë të bënte për të vepruar me besim?

  • Si mund ta ndihmoni atë ta shohë situatën e saj me një këndvështrim të përjetshëm?

  • Fragmentet e zotërimit doktrinor janë shembuj të burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore. Çfarë fragmenti/esh të zotërimit doktrinor mund t’i tregonit asaj? Përse?

12. Nga 11 fragmentet e zotërimit doktrinor që keni studiuar deri tani, cili ka ndikuar te ju më shumë dhe përse? Çfarë ju mëson ky fragment rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për ta përfunduar vlerësimin. Pasi nxënësit ta kenë përfunduar, rishikojeni atë si klasë. Si mësues, vendosni nëse do të ishte më e dobishme për nxënësit që ta korrigjojnë vetë punën e tyre apo t’ia kalojnë atë një shoku të klasës për ta korrigjuar.

Përgjigjet e duhura

1. d. Gjoni 3:5

2. c. Lluka 22:19–20

3. a. Mateu 11:28–30

4. jap; çelësat; mbretërisë

5. lindi; Shpëtimtar; Zoti

6. frymë; mish; eshtra

7. Një përgjigje e mundshme është Gjoni 3:5 , por nxënësit mund të marrin meritë për përdorimin e cilitdo fragmenti të zotërimit doktrinor për t’i ndihmuar të shpjegojnë domosdoshmërinë e bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë.

8. Një përgjigje e mundshme është Gjoni 7:17 , por nxënësit mund të marrin meritë për përdorimin e cilitdo fragmenti të zotërimit doktrinor për të shpjeguar mënyrën se si të fitojnë një dëshmi për doktrinën e vërtetë.

9. Shumë fragmente të zotërimit doktrinor mund t’i ndihmojnë nxënësit të shpjegojnë mënyrën se si të bëhen një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit. Disa nga fragmentet që nxënësit mund të kenë përdorur, përfshijnë vargjet te Mateu 5:14–16 ; Mateu 22:36–39 ; Lluka 22:19–20 dhe Gjoni 17:3 .

10. Nxënësit duhet të jenë në gjendje t’i shpjegojnë shkurtimisht parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Merreni parasysh t’u kërkoni atyre t’i krahasojnë përgjigjet e tyre me paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).

11. Nxënësit duhet të jenë në gjendje të shpjegojnë veprimet që lidhen me të vepruarit me besim dhe shqyrtimin e koncepteve dhe pyetjeve me një këndvështrim të përjetshëm. Gjithashtu, ata duhet të përcaktojnë një fragment të zotërimit doktrinor që na ndihmon të kuptojmë dashurinë e Perëndisë dhe dëshirën e Tij që ne të kemi një marrëdhënie personale me Të. Disa nga fragmentet që nxënësit mund të kenë përdorur, përfshijnë ato nga Mateu 11:28–30 ; Gjoni 3:16 dhe Gjoni 17:3 .

12. Për sa kohë që nxënësit i përgjigjen kësaj pyetjeje me sinqeritet dhe plotësisht, atyre duhet t’u njihet merita. Është një pyetje me shumë përgjigje dhe ata mund t’i përgjigjen si të duan.

Që t’i ndihmoni nxënësit të shpjegojnë, tregojnë dhe dëshmojnë, ftojini ata të diskutojnë për fragmentin e zotërimit doktrinor që zgjodhën për pyetjen 12 dhe arsyen përse e zgjodhën. Mund të jetë e efektshme që t’u kërkoni sa më shumë nxënësve të jetë e mundur që të flasin gjatë kohës së mbetur. Ftojini ata të tregojnë atë që fragmenti që zgjodhën u mëson atyre rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Si mësues, merreni parasysh që edhe të lexoni një fragment kuptimplotë të zotërimit doktrinor.

Përfundojeni vlerësimin duke dhënë dëshmi për fuqinë nga njohja e doktrinës së Jezu Krishtit që gjendet në shkrimet e Tij të shenjta, dhe të qenit të përgatitur për t’i zbatuar mësimet e Tij në situata nga jeta reale.