Gjoni 1:1–51
Tituj dhe Role të Jezu Krishtit
Apostulli Gjon përcaktoi shumë nga rolet dhe titujt e Shpëtimtarit në kapitullin hyrës të rrëfimit të tij. Ky mësim do të të ndihmojë ta njohësh më thellë Jezu Krishtin ndërsa përcakton dhe mëson disa nga titujt dhe rolet e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Titujt dhe rolet
Në 60 sekonda, shkruaj sa më shumë tituj ose role që të mundesh për veten (për shembull, kushërirë, nxënëse, sekretare në klasën tuaj të Të Rejave dhe kështu me radhë).
Zgjidh rastësisht një titull ose rol nga lista jote dhe përfytyro sikur të ishte e vetmja gjë që do të dinte dikush për ty.
-
Çfarë informacioni tjetër i rëndësishëm do t’u mungonte atyre nëse kjo do të ishte gjithçka që dinin për ty?
-
Si mund të jetë marrëdhënia jote e ndryshme me dikë që e kupton secilin nga titujt dhe rolet e tua të ndryshme?
Jezu Krishti di gjithçka për ty dhe të do. Për shkak se secili prej nesh mund ta marrë dhuratën e jetës së përjetshme vetëm duke arritur ta njohë Atë (shih Gjoni 17:3), Ai po ashtu të fton të mësosh për Të. Çdo titull dhe rol i Jezu Krishtit në shkrimet e shenjta na mëson diçka unike dhe të rëndësishme për Të. Gjoni e fillon Ungjillin sipas tij duke dhënë shumë tituj të rëndësishëm që mund të na ndihmojnë ta njohim më thellë Shpëtimtarin.
Lexo te Gjoni 1:29 dhe kërko një titull që përdoret për të përshkruar Shpëtimtarin në këtë varg.
Merr parasysh të fillosh një faqe në ditarin tënd të studimit të quajtur “Titujt dhe Rolet e Jezu Krishtit” dhe të shkruash “Qengji i Perëndisë”. (Nëse ia ke kushtuar tashmë faqet e ditarit në mësimin e mëparshëm asaj që mësove për Jezu Krishtin këtë vit, merr parasysh ta fillosh këtë listë në njërën prej atyre faqeve.)
-
Çfarë të mëson ky titull për Jezu Krishtin? Çfarë të mëson rreth Atit Qiellor?
Një mënyrë për ta përmirësuar kuptimin tënd për titujt dhe rolet e Shpëtimtarit është të studiosh shkrimet e tjera të shenjta ose bisedat e konferencës që shpjegojnë më tej titujt dhe rolet e Tij. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe funksionet e kërkimit në ChurchofJesusChrist.org dhe programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] mund të të ndihmojnë gjatë studimit tënd.
Kërko “Qengj i Perëndisë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, dhe lexo fragmente të tjera të shkrimeve të shenjta që të mësojnë për Shpëtimtarin dhe misionin e Tij përmes këtij titulli të shenjtë që ka përdorur Gjoni.
-
Çfarë pikëpamjesh more për Jezu Krishtin si Qengj i Perëndisë?
Lexo te Gjoni 1:1–14, 41, 49 dhe vazhdo të shtosh në faqen e ditarit tënd tituj dhe role të Jezu Krishtit që i gjen te këto fragmente. Gjithashtu mund të dëshirosh të lexosh Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–14 (te Shtojca Përkthimi i Joseph Smith-it).
-
Cilët tituj apo role të tjerë të Shpëtimtarit je i/e vetëdijshëm/me se nuk gjenden te Gjoni 1?
-
Cilët kanë kuptim të veçantë për ty? Përse?
Mëso për Krishtin
Shpjegimi i një koncepti me fjalët e tua mund të të ndihmojë që ta kuptosh më mirë atë dhe mund të të ndihmojë që ta ndiesh Frymën e Shenjtë të të dëshmojë për të vërtetat që po shpjegon.
Nga lista në ditarin tënd të studimit, zgjidh një titull ose rol të Jezu Krishtit që të bën më shumë përshtypje ose zgjidh një tjetër rreth të cilit do të doje të mësoje më shumë. Përfytyro sikur dëshiron t’i shpjegosh dikujt diçka për Jezu Krishtin duke përdorur titullin ose rolin që zgjodhe. Përgatit se çfarë do t’u thuash atyre në një paragraf prej të paktën pesë fjalish. Përfshi të paktën dy referenca të shkrimeve të shenjta që i ke gjetur të dobishme gjatë studimit tënd. Merr parasysh të përdorësh Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe gjithashtu burime të tjera, si dhe pyetjet e mëposhtme për t’i dhënë drejtim përgjigjes tënde.
-
Çfarë të mëson ky titull apo rol për Jezu Krishtin?
-
Pse është e rëndësishme për ty që ta kuptosh më mirë Shpëtimtarin në këtë rol?
-
Kur e ke parë Shpëtimtarin të veprojë sipas këtij titulli apo roli në jetën tënde apo në jetën e dikujt tjetër?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Çfarë do të thotë se Jezu Krishti është Fjala?
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:
“Nën drejtimin e Atit, Jezusi mbajti përgjegjësinë e Krijuesit. Titulli i Tij ishte “Fjala”. … Në gjuhën greke të Dhiatës së Re, Fjala ishte Logos ose “shprehje”. Ishte një emër tjetër për Mësuesin. Ajo terminologji mund të duket e çuditshme, por është e përshtatshme. Ne përdorim fjalë për t’ua përçuar shprehjen tonë të tjerëve. Pra, Jezusi ishte Fjala, ose shprehja, e Atit të Tij në botë.”
(Russell M. Nelson, “Jesus the Christ: Our Master and More”, Ensign, prill 2000, f. 4.)
Pse Jezu Krishti do të quhej Qengji i Perëndisë?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Dhiata e Vjetër ka shumë referenca për shlyerjen, e cila kërkon flijimin e kafshëve. Jo çfarëdo kafshe do të ishte e përshtatshme. Kushtet e veçanta përfshinin:
përzgjedhjen e një të parëlinduri të tufës, pa të meta [shih Levitiku 5:18 ; 27:26 ],
flijimin e jetës së kafshës duke derdhur gjakun e saj [shih Levitiku 9:18 ],
ngordhjen e kafshës pa thyerjen e asnjë kocke [shih Eksodi 12:46 ; Numrat 9:12 ] dhe
një kafshë mund të flijohej si një veprim mëkëmbës për dikë tjetër [shih Levitiku 16:10 ].
Shlyerja e Krishtit i përmbushi këto prototipa të Dhiatës së Vjetër. Ai ishte Qengji i parëlindur i Perëndisë, pa të meta. Flijimi i Tij ndodhi nëpërmjet derdhjes së gjakut. Asnjë kockë e trupit të Tij nuk u thye – mbresëlënëse për faktin që të dy keqbërësve të kryqëzuar bashkë me Zotin ua thyen këmbët [shih Gjoni 19:31–33 ]. Dhe flijimi i Tij ishte një flijim mëkëmbës për të tjerët.”
(Russell M. Nelson, “The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 34–35.)
Gjoni 1:14 . Duke qenë se jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë, pse konsiderohet Jezusi i Vetëmlinduri i Atit?
Ndonëse secili prej shpirtrave tanë është me plot kuptimin e fjalës bir apo bijë e Perëndisë, Jezu Krishti është i vetmi fëmijë i Perëndisë që ka lindur në mish, që do të thotë në vdekshmëri. Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ai Fëmijë që i lindi Marisë, qe lindur prej Elohimit, Atit të Amshuar. … Fëmija Jezus do të trashëgonte tiparet, prirjet dhe fuqitë fizike, mendore dhe shpirtërore që i karakterizojnë prindërit e Tij – njëri i pavdekshëm dhe i lavdishëm – Perëndia, tjetri njerëzor – gruaja.”
(James E. Talmage, Jesus the Christ [1916], f. 81.)
Gjoni 1:18 . A do të thotë thënia në këtë varg se është e pamundur ta shohësh Perëndinë?
Përkthimi prej Joseph Smith-it i Gjonit 1:18 (shih Gjoni 1:19 te Shtojca Përkthimi i Joseph Smith-it ) sqaron se kur Ati Qiellor iu shfaqet fëmijëve të Tij, Ai dëshmon për Birin e Tij, Jezu Krishtin. Një shembull i kësaj gjendet te Joseph Smith – Historia 1:17 .