Gjoni 1:35–51
“Ejani e Shikoni”
Jezusi i ftoi dishepujt e Tij të hershëm për ta parë vetë se kush është Ai dhe për ta ndjekur Atë. Studimi i këtyre rrëfimeve te Gjoni do të të ndihmojë të kuptosh se si mund t’i përgjigjesh ftesës së Shpëtimtarit “ejani e shikoni” për veten tënde.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
“Ejani e shikoni”
Përfytyro sikur ti dhe një mik jeni duke ecur për në shtëpi nga shkolla dhe ti përmend se ke mësuar që një Apostull do të vijë së shpejti për të folur në një mbledhje në zonën tënde.
-
Pse mund t’i thuash mikut tënd që të vijë me ty dhe me familjen tënde për ta parë dhe dëgjuar këtë Apostull, në vend që t’i përshkruash mbledhjen pasi të mbarojë?
Apostulli Gjon shkroi për mënyrën se si Gjon Pagëzori i njohu disa nga pasuesit e tij me Jezu Krishtin. Studio vargjet te Gjoni 1:35–51 , duke kërkuar atë që mund të ndodhë ndërsa kërkojmë të mësojmë dhe ndjekim Jezu Krishtin (shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:42 (te Shtojca Përkthimi i Joseph Smith-it).
-
Cilat ftesa në këto vargje pranuan dishepujt e Shpëtimtarit për t’i ndihmuar që ta ndjekin Atë?
-
Çfarë mësove nga përvojat dhe veprimet e Andreas dhe Filipit në këto vargje?
-
Çfarë të mëson ky rrëfim rreth Shpëtimtarit?
Çfarë mund të bësh për t’iu përgjigjur ftesës së Shpëtimtarit “ejani e shikoni”?
Merr 30 sekonda për të mbajtur shënim mendimet e para që të vijnë në mendje për mënyrën se si një person sot mund t’i përgjigjet ftesës së Jezu Krishtit “ejani e shikoni”.
Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha idetë e mëposhtme mbi atë se si mund t’i përgjigjemi ftesës së Shpëtimtarit “ejani e shikoni”. Shiko materialin filmik “Si Mund ta Kuptoj Unë?” nga kodi kohor 06:24 deri në 07:04, ose lexo thënien më poshtë. Materiali filmik mund të gjendet te ChurchofJesusChrist.org.
“Kur e pranojmë ftesën e Shpëtimtarit: ‘Ejani e shikoni’, ne kemi nevojë të qëndrojmë me Të, duke e zhytur veten në shkrimet e shenjta, duke gjetur gëzim në to, duke mësuar doktrinën e Tij dhe duke u përpjekur për të jetuar ashtu siç jetoi Ai. Vetëm atëherë do të arrijmë ta njohim Atë, Jezu Krishtin, dhe ta dallojmë zërin e Tij, duke e ditur se ndërsa vijmë tek Ai dhe besojmë në Të, ne nuk do të kemi kurrë uri apo etje. Ne do të jemi në gjendje të dallojmë të vërtetën në të gjitha rastet, siç ndodhi me ata dy dishepuj që qëndruan me Jezusin atë ditë.”
(Ulises Soares, “Si Mund ta Kuptoj Unë?”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 7.)
-
Çfarë mësove nga kjo thënie për mënyrën se si mund ta pranosh ftesën e Shpëtimtarit “ejani e shikoni”?
Përzgjidh një nga sugjerimet e mëposhtme nga thënia e Plakut Soares që do të të ndihmojë të ndjekësh ftesën e Shpëtimtarit “ejani e shikoni”. Nëse ke bërë tashmë një nga këto aktivitete kohët e fundit, zgjidh një që është i ri për ty.
-
Zhytu në shkrimet e shenjta. Bëj një plan të ri ose të përmirësuar të studimit të shkrimeve të shenjta. Plani yt mund të përfshijë gjëra të tilla si përcaktimi i një kohe gjatë ditës dhe sasisë së kohës për të studiuar, duke e filluar studimin me një lutje, duke gjetur kohë për të përsiatur dhe bërë referencat-kryq, e kështu me radhë. Çfarë mëson për Jezu Krishtin nga studimi yt i rregullt?
-
Gëzohu në shkrimet e shenjta. Gëzohu në shkrimet e shenjta duke ia treguar të tjerëve atë që po mëson. Përcakto se si mund ta tregosh, sa shpesh, dhe me kë. Ndërsa e tregon, kushtoji vëmendje mënyrës se si ndihesh. Çfarë vure re?
-
Mëso doktrinën e Tij. Thelloje të kuptuarin tënd për doktrinën e Zotit duke zgjedhur një temë doktrinore rreth së cilës dëshiron të mësosh më shumë. Shkruaje temën doktrinore në krye të një flete të pastër letre, ose fillo një pjesë të re “Notebooks” [“Bllok Shënimesh”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Pastaj fillo të studiosh duke përdorur burime të tilla si Temat e Ungjillit ose Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta . Kushtoji vëmendje mënyrës se si ky studim ndikon në dëshminë tënde për Jezu Krishtin.
-
Përpiqu fort të jetosh sipas mënyrës që jetoi Jezusi. Ndiq ecurinë tënde duke përdorur materialin Zhvillimi Vetjak: Libër Udhëzues për Rininë. Përqendrimi në katër fushat (shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale) do të të ndihmojë ta baraspeshosh jetën tënde dhe të afrohesh më pranë Krishtit. Nëse nuk i ke vendosur ende këto qëllime, merr parasysh ta bësh tani.
-
Krijo [aktivitetin] tënd. A ka ndonjë mënyrë tjetër që ndihesh i/e nxitur për t’iu përgjigjur ftesës së Shpëtimtarit “ejani e shikoni”? Ti mund të bësh një lutje në heshtje për të kërkuar drejtimin e Atit Qiellor. Pastaj mbaji shënim mendimet e tua mbi atë se si mund t’i ndjekësh këto mbresa.
-
Si do ta pranosh ftesën e Shpëtimtarit “ejani e shikoni”?
-
Cili është plani yt për mënyrën se si ta zbatosh këtë në jetën tënde?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Gjoni 1:38 . Si gjen zbatim për ty pyetja e Shpëtimtarit “Ç’kërkoni?”
Para se Jezusi të ftonte dy dishepujt “ejani e shikoni”, Ai u bëri pyetjen: “Ç’kërkoni?” ( Gjoni 1:38 .)Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për vlerën e meditimit të asaj që ne me të vërtetë dëshirojmë në jetë ndërsa marrim parasysh ftesën e Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë.
“Ju do të kujtoni se kur Andrea dhe një dishepull tjetër, ndoshta Gjoni, e dëgjuan fillimisht Krishtin, ata u prekën aq sa u tërhoqën drejt Jezusit duke e ndjekur pasi u largua nga turma. Duke e ndier se po ndiqej, Krishti u kthye dhe i pyeti të dy burrat: ‘Ç’kërkoni?’ [ Gjoni 1:38 .] Përkthime të tjera e japin atë thjesht: ‘Ç’dëshironi?’ Ata u përgjigjën: ‘Ku banon?’ ose ‘Ku jeton?’ Krishti tha thjesht: ‘Ejani e shikoni’ [ Gjoni 1:39 ]. Vetëm pak kohë më vonë Ai i thirri formalisht Pjetrin dhe Apostujt e tjerë të rinj me të njëjtën frymë të ftesës. Atyre Ai iu tha: ‘[Ejani,] ndiqmëni’ [ Mateu 4:19 ].
Duket se thelbi i udhëtimit tonë në vdekshmëri dhe përgjigjet ndaj pyetjeve më të rëndësishme në jetë vijnë dalëngadalë nga pikërisht këto dy pjesë të shkurtra përbërëse në këto skena fillestare të shërbesës tokësore të Shpëtimtarit. Njëra pjesë përbërëse është pyetja drejtuar çdonjërit prej nesh në këtë tokë: ‘Ç’kërkoni? Ç’dëshironi?’ Pjesa e dytë përbërëse është përgjigjja e Tij për përgjigjen tonë, cilado qoftë ajo përgjigje. Kushdo që jemi dhe çfarëdo që të përgjigjemi, përgjigja e Tij është gjithmonë e njëjtë: ‘Ejani’, thotë Ai me dashuri. ‘Ejani, ndiqmëni’”.
(Jeffrey R. Holland, “He Hath Filled the Hungry with Good Things”, Ensign, nëntor 1997, f. 65.)
Gjoni 1:43–46 . Si mund t’ua bëj të tjerëve ftesën “eja[ni] e shi[koni]” në mënyrë të natyrshme?
Të ftuarit e të tjerëve për të marrë pjesë në aktivitetet e ungjillit mund të jetë i vështirë dhe i sikletshëm. Materiali filmik “Ftesa ndaj të Tjerëve që ‘Të Vijnë e të Shohin’” (01:17), që mund të gjendet te ChurchofJesusChrist.org ose në https://www.youtube.com/watch?v=mzad8131Sxk&t=5s, tregon shembuj të mënyrave se si ti mund të bësh ngrohtësisht dhe natyrshëm ftesa të tilla.
Po sikur ata të cilëve ua bëj ftesën “ejani e shikoni” të mos e pranojnë atë?
Ndonjëherë ne shqetësohemi se mos ndonjëri mund të mos e pranojë ftesën tonë për të mësuar më shumë rreth ungjillit ose Kishës. Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha pikëpamjet në vijim:
“Disa që vijnë e shohin, ndoshta, nuk do të bashkohen kurrë me Kishën; disa do të bashkohen në një kohë të mëvonshme. Kjo është zgjedhja e tyre. Por kjo nuk e ndryshon dashurinë tonë për ta. Dhe kjo nuk i ndryshon përpjekjet tona entuziaste që të vazhdojmë t’i ftojmë individët dhe familjet që të vijnë e shikojnë, të vijnë e ndihmojnë dhe të vijnë e të qëndrojnë.
… Kuptojeni se nuk është puna juaj për t’i kthyer njerëzit në besim. Ky është roli i Frymës së Shenjtë. Roli juaj është që të tregoni atë që është në zemrën tuaj dhe të jetoni në përputhje me bindjet tuaja.
Ndaj, mos u shkurajoni nëse dikush nuk e pranon menjëherë mesazhin e ungjillit. Ky nuk është një dështim vetjak.
Kjo është mes individit dhe Atit Qiellor.
Përgjegjësia juaj është ta doni Perëndinë dhe t’i doni të afërmit tuaj, fëmijët e Tij.”
(Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 17.)