Mateu 13:3–8, 18–23
Shëmbëlltyra e Mbjellësit
Jezusi dha mësim një shëmbëlltyrë për një njeri që mbillte fara. Këto fara ranë në lloje të ndryshme toke, çka solli rezultate të ndryshme. Po kështu, fjala e Perëndisë merret në mënyra të ndryshme nga ata që e dëgjojnë. Ky mësim do të të ndihmojë ta përgatitësh zemrën për ta marrë dhe për t’u ushqyer me fjalën e Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përgatitu për ta dëgjuar fjalën e Perëndisë
Merr pak kohë për të vlerësuar se sa i gatshëm je për ta marrë fjalën e Perëndisë. Përdore këtë vlerësim me secilin nga pohimet e mëposhtme:
Shpesh–Ndonjëherë–Rrallë herë
Unë i studioj shkrimet e shenjta me qëllim që të mësoj dhe të rritem në karakter.
Unë përpiqem ta dalloj ndikimin e Shpirtit në jetën time dhe t’i ndjek udhëzimet që më janë dhënë.
Unë e dëgjoj dhe i bindem këshillës së dhënë nga Zoti nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij.
Unë kërkoj ta forcoj dëshminë time vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.
Tani që e ke shqyrtuar qëndrimin tënd për fjalën e Perëndisë, je gati për ta studiuar shëmbëlltyrën e mbjellësit. Në këtë shëmbëlltyrë, Zoti përmendi disa probleme të mundshme që mund t’i pengonin farat të rriteshin, të lëshonin rrënjë dhe të jepnin frutë. Ashtu si me të gjitha shëmbëlltyrat e Tij, Zoti përdori elemente të njohura për të dhënë mësime shpirtërore.
Përdor modelin e mëposhtëm me katër hapa për të studiuar shëmbëlltyrën e mbjellësit. Pavarësisht se si u përgjigje për pohimet e mësipërme, ky mësim është hartuar të të ndihmojë ta përgatitësh zemrën për të marrë bekimet që Zoti dëshiron të të japë. Ndërsa studion, kërko mënyra për të pasur një përvojë kuptimplotë me fjalën e Perëndisë.
-
Gjej hollësi të rëndësishme.
-
Bëj krahasime shpirtërore.
-
Zbulo mësime të vyera.
-
Përcakto zbatimin në planin personal.
Gjej hollësi të rëndësishme
Një mënyrë për të përfytyruar hollësi të rëndësishme është ta vizatosh secilën pjesë të shëmbëlltyrës. Ndaje një faqe në ditarin tënd të studimit në katër pjesë. Lexoji vargjet dhe bëj një vizatim të thjeshtë të asaj që përshkruhet.
Bëj krahasime shpirtërore
Lexo shpjegimet e Jezusit për shëmbëlltyrën në vargjet e mëposhtme. Shkruaje çdo krahasim që bëri Ai afër vizatimeve të tua.
Zbulo mësime të vyera
Për të zbuluar mësime të vyera, mund të jetë e dobishme të bësh pyetje që e lejojnë Frymën e Shenjtë të të mësojë ty personalisht. Përveç pyetjeve të mëposhtme, mendo për pyetje të tjera që mund t’i bësh.
-
Çfarë mund të dëshirojë Shpëtimtari që të mësoj nga kjo shëmbëlltyrë?
-
Pse Shpëtimtari do të donte ta njihja zemrën time?
Mund dhe të përfytyrosh se si mund të zbatohet shëmbëlltyra në jetën reale. Për shembull, përpiqu të përfytyrosh se si veprimet e një personi, zemra e të cilit është si gurishtë, apo tokë me ferra, mund të jenë ndryshe nga veprimet e një personi, zemra e të cilit është si tokë e mirë. Ndërsa mendon për këto veprime, merr parasysh t’i shkruash disa prej tyre afër secilit prej vizatimeve të tua.
-
Çfarë sugjerimesh mund t’i japësh dikujt që e ka zemrën të ngurtë, gurishtë apo me ferra?
Përcakto zbatimin në planin personal
Mendo për gjendjen e zemrës tënde dhe se cilat nga katër llojet e tokës të përshkruajnë ty më së miri. Nëse gjendja shpirtërore e zemrës tënde nuk është aktualisht ajo që ti dëshiron, dije se mund ta ndryshosh.
Bazuar në atë që ke mësuar sot, gjej një çast për të përsiatur mbi atë që mund të bësh për ta përmirësuar gjendjen e zemrës tënde.
-
Çfarë do të bësh për ta ftuar fjalën e Perëndisë në zemrën tënde?
-
Çfarë veprimesh do të ndërmarrësh për ta përmirësuar gjendjen e zemrës tënde?
-
Për cilat pengesa do t’i kërkosh Zotit ndihmë për t’i kapërcyer?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha një bisedë në konferencën e përgjithshme mbi shëmbëlltyrën e mbjellësit. Pyetjet e mëposhtme kanë marrë përgjigje duke përdorur shpjegimet e tij.
Çfarë janë farat që “ra[në] përgjatë rrugës”? (Shih Mateu 13:4, 19 .)
“Farat që ‘ra[në] gjatë rrugës’ ( Marku 4:4) nuk e arritën tokën e vdekshme, ku ndofta mund të rriteshin. Ato janë si mësimet që i paraqiten një zemre të ngurtësuar ose të papërgatitur.”
(Dallin H. Ouks, “Shëmbëlltyra e Mbjellësit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 32.)
Çfarë gjërash mund të ndikojnë që zemra e dikujt të jetë në “gurishte”? (Shih Mateu 13:5, 20–21 .)
“Të rinj, … ja tek është një shembull specifik. Nëse po shpërndahen emblemat e sakramentit dhe ju po shkruani mesazhe, ose po pëshpëritni, apo po luani lojëra kompjuterike, ose po bëni çfarëdo gjëje tjetër që t’i mohoni vetes ushqimin e domosdoshëm shpirtëror, ju po i dobësoni rrënjët tuaja shpirtërore dhe po e çoni veten drejt gurishtes.”
(Dallin H. Ouks, “Shëmbëlltyra e Mbjellësit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 33.)
Si mund t’i njohim “ferrat” e jetës? (Shih Mateu 13:7, 22 .)
“Ne u dorëzohemi ‘kënaqësive të kësaj jete’ [ Lluka 8:14 ] 1) kur krijojmë varësi, e cila dobëson dhuratën e çmuar të lirisë së zgjedhjes nga Perëndia; 2) kur ne mashtrohemi nga argëtimet e parëndësishme, që na largojnë nga gjërat me rëndësi të përjetshme; dhe 3) kur kemi një mendësi se bekimet na takojnë me të drejtë, gjë që e dobëson rritjen vetjake të nevojshme për të na kualifikuar për fatin tonë të përjetshëm.
Ne mposhtemi nga ‘shqetësimet … e kësaj jete’ [ Lluka 8:14 ] kur shtangemi nga frika për të ardhmen, e cila e pengon ecjen tonë përpara me besim, duke i mirëbesuar Perëndisë dhe premtimeve të Tij.”
(Dallin H. Ouks, “Shëmbëlltyra e Mbjellësit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 34.)
Çfarë duhet për të nxjerrë fruta nga “tok[a] e mirë”? (Shih Mateu 13:8, 23 .)
“Ne e kemi farën e fjalës së ungjillit. Është në dorën e secilit prej nesh që të vendosë përparësi dhe të bëjë gjërat që e bëjnë tokën tonë të mirë dhe të korrën tonë të bollshme. Ne duhet të kërkojmë që të jemi të rrënjosur dhe të kthyer në besim me vendosmëri tek ungjilli i Jezu Krishtit (shih Kolosianëve 2:6–7). Ne e arrijmë këtë kthim në besim me anë të lutjes, me anë të leximit të shkrimeve të shenjta, me anë të shërbimit dhe me anë të marrjes së sakramentit rregullisht që gjithnjë të kemi Shpirtin e Tij me ne.”
(Dallin H. Ouks, “Shëmbëlltyra e Mbjellësit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 35.)