Kapitulli 2
Lehi merr familjen e tij në vendin e shkretë, pranë Detit të Kuq—Ata lënë pronën e tyre—Lehi i ofron një sakrificë Zotit dhe u mëson të bijve të zbatojnë urdhërimet—Lamani dhe Lemueli mërmërisin kundër atit të tyre—Nefi është i bindur dhe lutet me besim; Zoti i flet dhe ai është zgjedhur të drejtojë mbi vëllezërit e tij. Rreth 600 para K.
1 Pasi, vini re, ndodhi që Zoti i foli atit tim, po, madje në një ëndërr, dhe i tha: I bekuar je ti Lehi, për shkak të gjërave që ke bërë dhe sepse ti ke qenë besnik dhe i shpalle këtij populli gjërat që unë të urdhërova, vër re, ata përpiqen të marrin jetën tënde.
2 Dhe ndodhi që Zoti urdhëroi atin tim, madje në një ëndërr, që ai duhej të merrte familjen e tij dhe të nisej për në vendin e shkretë.
3 Dhe ndodhi që ai ishte i bindur ndaj fjalës së Zotit, kështu që bëri atë që Zoti e urdhëroi.
4 Dhe ndodhi që ai u nis për në vendin e shkretë. Dhe ai la shtëpinë e tij dhe tokën e trashëgimit dhe arin e tij, dhe argjendin e tij, dhe gjërat e tij të çmueshme dhe nuk mori asgjë me vete, me përjashtim të familjes së tij dhe furnizimeve e çadrave dhe u nis për në vendin e shkretë.
5 Dhe zbriti afër kufijve pranë bregut të Detit të Kuq dhe udhëtoi në vendin e shkretë gjatë kufijve që janë pranë Detit të Kuq; dhe udhëtoi në vendin e shkretë me familjen e tij, që përbëhej nga nëna ime Saria dhe nga vëllezërit e mi më të mëdhenj, që ishin Lamani, Lemueli dhe Sami.
6 Dhe ndodhi që pasi kishte udhëtuar tri ditë në vendin e shkretë, ai ngriti çadrën në një luginë në anën e një lumi me ujë.
7 Dhe ndodhi që ai ndërtoi një altar prej gurësh dhe i bëri një flijim Zotit, dhe i dha falënderime Zotit, Perëndisë sonë.
8 Dhe ndodhi që ai e quajti emrin e lumit Laman dhe ai derdhej në Detin e Kuq; dhe lugina ishte në kufijtë pranë grykëderdhjes së lumit.
9 Dhe kur ati im pa se ujërat e lumit derdheshin në burimin e Detit të Kuq, ai i foli Lamanit duke thënë: O, ti qofsh si ky lumë vazhdimisht duke rendur drejt burimit të të gjithë drejtësisë!
10 Dhe ai i foli edhe Lemuelit: O, ti qofsh si kjo luginë, i vendosur dhe i qëndrueshëm dhe i patundur në zbatimin e urdhërimeve të Zotit!
11 Tani, ai foli kështu për shkak të kokëfortësisë së Lamanit dhe të Lemuelit, pasi vini re, ata mërmëritën për shumë gjëra kundër atit të tyre, sepse ai ishte njeri vegimtar dhe i kishte nxjerrë nga toka e Jeruzalemit, duke lënë tokën e trashëgimit të tyre dhe arin e, tyre dhe argjendin e tyre, dhe gjërat e çmueshme të tyre, për të mbaruar në vendin e shkretë. Dhe këtë, thonin ata, ai e kishte bërë për shkak të imagjinatave të marra të zemrës së tij.
12 Dhe kështu Lamani dhe Lemueli, duke qenë më të mëdhenj, mërmëritën kundër atit të tyre. Dhe mërmëritën, sepse nuk i dinin veprimet e atij Perëndie që i kishte krijuar ata.
13 Dhe as nuk besonin se Jeruzalemi, ai qytet i madh, do të mund të shkatërrohej sipas fjalëve të profetëve. Dhe ata ishin sikurse Judenjtë që ishin në Jeruzalem, të cilët kërkuan t’i merrnin jetën atit tim.
14 Dhe ndodhi që ati im u foli atyre në luginën e Lemuelit, me fuqi, duke qenë i mbushur me Shpirtin, derisa trupat e tyre u drodhën përpara tij. Dhe ai u foli në mënyrë që ata nuk guxuan të nxirrnin zë kundër tij, kështu që ata bënë ashtu siç ai i urdhëroi.
15 Dhe ati im jetonte në një çadër.
16 Dhe ndodhi që unë, Nefi, duke qenë shumë i ri, megjithatë duke qenë i madh në shtat dhe gjithashtu duke pasur dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë, prandaj i thirra Zotit dhe vini re, ai më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova të gjitha fjalët që ishin thënë nga ati im; prandaj unë nuk ngrita krye kundër tij, si vëllezërit e mi.
17 Dhe i fola Samit, duke i bërë të ditur gjërat që Zoti më kishte shfaqur me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë. Dhe ndodhi që ai besoi në fjalët e mia.
18 Por vini re, Lamani dhe Lemueli nuk donin t’ua vinin veshin fjalëve të mia; dhe duke qenë i pikëlluar nga ngurtësia e zemrave të tyre, i thirra Zotit për ta.
19 Dhe ndodhi që Zoti më foli, duke thënë: I bekuar je ti, Nefi, për shkak të besimit tënd, sepse më ke kërkuar me zell dhe me përulësinë e zemrës.
20 Dhe, derisa ju do të zbatoni urdhërimet e mia, do të përparoni dhe do të udhëhiqeni në një tokë të premtimit; po madje, një tokë që e kam përgatitur për ju; po, një tokë që është e zgjedhur mbi të gjitha tokat e tjera.
21 Dhe derisa vëllezërit e tu do të ngrenë krye kundër teje, ata do të flaken nga prania e Zotit.
22 Dhe derisa ti do t’i zbatosh urdhërimet e mia, ti do të bëhesh një sundimtar dhe një mësues mbi vëllezërit e tu.
23 Por, vër re, atë ditë që ata do të ngrenë krye kundër meje, unë do t’i mallkoj, madje me një mallkim të rëndë dhe ata nuk do të kenë fuqi mbi farën tënde, veçse nëse edhe ata do të ngrenë krye kundër meje.
24 Dhe nëse është kështu, që ata ngrenë krye kundër meje, ata do të jenë një ndëshkim i farës tënde, për t’i nxitur ata në udhët e kujtesës.