Shkrimet e Shenjta
Alma 17


Një rrëfim i bijve të Mosias, të cilët hodhën poshtë të drejtat e tyre ndaj mbretërisë për fjalën e Perëndisë dhe shkuan në vendin e Nefit për t’u predikuar Lamanitëve; vuajtjet dhe çlirimi i tyre—sipas analit të Almës.

Përfshin kapitujt 17 deri në 27, duke përfshirë edhe të fundit.

Kapitulli 17

Bijtë e Mosias kanë shpirtin e profecisë dhe të zbulesës—Ata shkojnë në udhët e tyre të veçanta për t’u shpallur fjalën Lamanitëve—Amoni shkon në tokën e Ishmaelit dhe bëhet shërbëtor i mbretit Lamon—Amoni shpëton grigjat e mbretit dhe vret armiqtë e tij në ujërat e Sebusit. Vargjet 1–3, rreth 77 para K.; vargu 4, rreth 91–77 para K.; dhe vargjet 5–39, rreth 91 para K.

1 Dhe tani ndodhi që ndërsa Alma po udhëtonte nga toka e Gideonit drejt jugut, larg nga toka e Mantit, vini re, për habinë e tij, ai u takua me bijtë e Mosias, që udhëtonin drejt tokës së Zarahemlës.

2 Tani, këta djem të Mosias ishin me Almën kur engjëlli për herë të parë iu shfaq atij; prandaj Alma u gëzua jashtëzakonisht kur pa vëllezërit e tij; dhe çfarë iu shtua edhe më shumë gëzimit të tij, qe se ata ishin akoma vëllezërit e tij në Zot; po, dhe ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë.

3 Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës dhe kur i mësuan të tjerët, ata i mësuan me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë.

4 Dhe ata kishin qenë duke mësuar fjalën e Perëndisë për hapësirën e katërmbëdhjetë viteve mes Lamanitëve, pasi patën shumë sukses, duke sjellë shumë në njohurinë e së vërtetës; po, nga fuqia e fjalëve të tyre shumë u sollën para altarit të Perëndisë, për të thirrur në emrin e tij dhe për të rrëfyer mëkatet e tyre para tij.

5 Tani, këto janë rrethanat që i shoqëruan ata në udhëtimet e tyre, pasi ata kishin pasur shumë pikëllime; ata vuajtën shumë, si në trup ashtu dhe në mendje, si uri, etje dhe lodhje dhe gjithashtu shumë luftë në shpirt.

6 Tani, këto ishin udhëtimet e tyre: Pasi i morën leje atit të tyre, Mosias, në vitin e parë të gjykatësve; pasi refuzuan mbretërinë që i ati dëshironte t’ua kalonte atyre dhe kjo ishte gjithashtu në mendje të popullit;

7 Megjithatë ata u nisën nga toka e Zarahemlës dhe morën shpatat e tyre dhe shtizat e tyre dhe harqet e tyre, dhe shigjetat e tyre, dhe hobetë e tyre; dhe këtë e bënë që të gjenin ushqim për vete, ndërsa ishin në vendin e shkretë.

8 Dhe kështu u nisën për në vendin e shkretë, me numrat e atyre që kishin zgjedhur, për të shkuar në tokën e Nefit, për t’u predikuar Lamanitëve fjalën e Perëndisë.

9 Dhe ndodhi që ata udhëtuan për shumë ditë nëpër vendin e shkretë dhe agjëruan shumë dhe u lutën shumë, që Zoti t’u jepte një pjesë të Shpirtit të tij, që të shkonte me ta dhe të qëndronte me ta, që të ishin një mjet në duart e Perëndisë për të sjellë, po të ishte e mundur, vëllezërit e tyre Lamanitë në njohurinë e së vërtetës, në njohurinë e poshtërsisë së traditave të etërve të tyre, të cilat nuk ishin të drejta.

10 Dhe ndodhi që Zoti i vizitoi ata me Shpirtin e tij dhe u tha atyre: Ngushëllohuni. Dhe ata u ngushëlluan.

11 Dhe Zoti u tha atyre gjithashtu: Shkoni mes Lamanitëve, vëllezërve tuaj dhe vendosni fjalën time; por duhet të jeni këmbëngulës në durim dhe në hidhërime, që ju të mund t’u tregoni shembuj të mirë në mua dhe unë do t’ju bëj një mjet në duart e mia për shpëtimin e shumë shpirtrave.

12 Dhe ndodhi që zemrat e bijve të Mosias dhe gjithashtu të atyre që shkuan me ta, morën guxim për të shkuar mes Lamanitëve, për t’u shpallur atyre fjalën e Perëndisë.

13 Dhe ndodhi që kur arritën në kufijtë e tokës së Lamanitëve, ata u ndanë dhe u larguan nga njëri-tjetri, duke besuar në Zotin se do të takoheshin përsëri në mbarim të të korrave të tyre, pasi mendonin se e madhe ishte puna që ata kishin ndërmarrë.

14 Dhe sigurisht ishte e madhe, pasi ata kishin ndërmarrë që t’i predikonin fjalën e Perëndisë një populli të egër, të ngurtësuar dhe gjakatar; një populli që kënaqej me vrasjen e Nefitëve dhe në grabitjen dhe plaçkitjen e tyre; dhe zemrat e tyre ishin fundosur në pasuri, ose në ar dhe argjend dhe në gurë të çmueshëm; megjithatë, ata përpiqeshin t’i merrnin këto gjëra duke vrarë dhe duke plaçkitur, që të mos punonin për to me duart e tyre.

15 Kështu ata ishin një popull shumë përtac, shumë prej të cilëve adhuronin idhuj dhe mallkimi i Perëndisë kishte rënë mbi ta për shkak të traditave të etërve të tyre; megjithatë premtimet e Zotit u ishin ofruar atyre, në kushtet e pendimit.

16 Prandaj, ky qe shkaku për të cilin bijtë e Mosias e kishin ndërmarrë punën, se ndoshta ata mund t’i sillnin në pendim; se ndoshta do t’i sillnin ata të dinin për planin e shëlbimit.

17 Prandaj ata u ndanë njëri nga tjetri dhe shkuan mes tyre, secili njeri vetëm, sipas fjalës dhe fuqisë së Perëndisë që iu dha secilit.

18 Tani Amoni, që qe kryetari mes tyre, ose më mirë ai u shërbeu atyre dhe u largua prej tyre pasi i bekoi ata sipas rangut të tyre, pasi u tregoi fjalën e Perëndisë, ose pasi u shërbeu me zell para largimit të tij; dhe kështu ata morën udhën e tyre të veçantë nëpër atë vend.

19 Dhe Amoni shkoi në tokën e Ishmaelit, që u quajt kështu sipas bijve të Ishmaelit, të cilët u bënë gjithashtu Lamanitë.

20 Dhe ndërsa Amoni hyri në tokën e Ishmaelit dhe Lamanitët e kapën, dhe e lidhën sikurse qe zakoni i tyre të lidhnin të gjithë Nefitët që binin në duart e tyre dhe i çonin para mbretit; dhe kështu lihej në dëshirën e mbretit t’i vriste ata, ose t’i mbante në robëri, ose t’i hidhte në burg, ose t’i nxirrte nga toka e tij, sipas vullnetit dhe dëshirës së tij.

21 Dhe kështu Amoni u dërgua para mbretit që mbretëronte në tokën e Ishmaelit; dhe emri i tij ishte Lamoni; dhe ai ishte një pasardhës i Ishmaelit.

22 Dhe mbreti e pyeti Amonin, në qoftë se ishte dëshira e tij që të jetonte në tokë mes Lamanitëve, ose mes popullit të tij.

23 Dhe Amoni i tha atij: Po, unë dëshiroj të jetoj mes këtij populli për një kohë; po, dhe ndoshta deri ditën që vdes.

24 Dhe ndodhi që mbreti Lamoni qe shumë i kënaqur me Amonin dhe bëri që t’i zgjidheshin rripat; dhe deshi që Amoni të merrte për grua një nga bijat e tij.

25 Por Amoni i tha atij: Jo, por unë do të jem shërbëtori yt. Prandaj Amoni u bë një shërbëtor i mbretit Lamon. Dhe ndodhi që ai u vendos të ruante me shërbëtorët e tjerë grigjat e Lamonit, sipas zakonit të Lamanitëve.

26 Dhe pas tri ditësh që ai ishte në shërbim të mbretit, ndërsa ai ishte me shërbëtorët Lamanitë duke shkuar me grigjat e tyre në vendin e ujit, që quhej uji i Sebusit dhe të gjithë Lamanitët çonin grigjat e tyre për t’u dhënë ujë—

27 Prandaj, ndërsa Amoni dhe shërbëtorët e mbretit po çonin grigjat e tyre te ky vend i ujit, vini re, një numër Lamanitësh që kishin qenë aty për t’u dhënë ujë grigjave të tyre, qëndruan dhe shpërndanë grigjat e Amonit dhe të shërbëtorëve të mbretit dhe i shpërndanë kaq shumë, sa ato ikën në shumë drejtime.

28 Tani, shërbëtorët e mbretit filluan të mërmëritnin, duke thënë: Tani mbreti do të na vrasë, ashtu siç bëri me vëllezërit tanë, sepse grigjat e tyre u shpërndanë nga ligësia e këtyre njerëzve. Dhe ata filluan të qanin jashtëzakonisht, duke thënë: Vini re, grigjat tona janë shpërndarë tashmë.

29 Tani, ata qanin nga frika se do të vriteshin. Tani, kur Amoni e pa këtë gjë, zemra e tij u mbush nga gëzimi; pasi tha, unë do t’u tregoj këtyre bashkëshërbëtorëve të mi fuqinë time, ose fuqinë që është në mua, duke ia kthyer këto grigja mbretit, që unë të fitoj zemrat e këtyre bashkëshërbëtorëve të mi, që t’i bëj t’u besojnë fjalëve të mia.

30 Dhe tani këto ishin mendimet e Amonit, kur ai pa pikëllimet e atyre që ai i konsideronte të ishin vëllezër të tij.

31 Dhe ndodhi që ai i ngushëlloi ata me fjalët e tij, duke thënë: Vëllezërit e mi, mos u dëshpëroni dhe le të shkojmë në kërkim të grigjave; dhe ne do t’i mbledhim ato së bashku dhe do t’i çojmë përsëri në vendin e ujit; dhe kështu ne do t’i ruajmë grigjat e mbretit dhe ai nuk do të na vrasë.

32 Dhe ndodhi që ata shkuan në kërkim të grigjave dhe ndoqën Amonin; dhe shkuan me shpejtësi të madhe dhe mundën t’i mblidhnin grigjat e mbretit, të gjitha së bashku përsëri në vendin e ujit.

33 Dhe ata njerëz qëndruan përsëri për të shpërndarë grigjat e tyre; por Amoni u tha vëllezërve të tij: Rrethoni grigjat nga çdo anë që të mos ikin; dhe unë po vete të luftoj me këta njerëz që shpërndajnë grigjat tona.

34 Prandaj, ata bënë ashtu si Amoni i urdhëroi dhe ai shkoi dhe qëndroi të luftonte me ata që rrinin pranë ujërave të Sebusit; dhe ata nuk ishin të paktë në numër.

35 Prandaj nuk u frikësuan nga Amoni, meqë mendonin se një prej njerëzve të tyre mund ta vriste sipas dëshirës, pasi ata nuk e dinin se Zoti i kishte premtuar Mosias se ai do t’i çlironte bijtë e tij nga duart e tyre; as nuk dinin ndonjë gjë në lidhje me Zotin; prandaj kënaqeshin në shkatërrimin e vëllezërve të tyre; dhe për këtë shkak ata rrinin aty për të shpërndarë grigjat e mbretit.

36 Por Amoni shkoi përpara drejt tyre dhe filloi të hidhte gurë me hobenë e tij; po, me fuqi të madhe ai hodhi gurë mes tyre; dhe kështu vrau një numër prej tyre, kaq sa ata filluan të mahniteshin nga fuqia e tij; megjithatë ishin të zemëruar për shkak të vrasjes së vëllezërve të tyre dhe ishin të vendosur se ai duhej të binte; prandaj, duke parë se nuk mund ta qëllonin me gurë, ata iu afruan që ta vrisnin me topuzë.

37 Por vini re, që çdo njeriu që ngrinte topuzin për ta qëlluar, Amoni i priste krahët me shpatën e tij; pasi ai u bëri ballë sulmeve të tyre, duke u prerë krahun me tehun e shpatës së tij, kaq shumë, sa ata filluan të mahniteshin dhe t’ia mbathnin nga ai, po, dhe ata nuk qenë të paktë në numër; dhe ai i bëri të iknin me fuqinë e krahut të tij.

38 Tani, gjashtë prej tyre ranë nga hobeja, por ai nuk vrau ndonjë me shpatën e tij, përveç kryetarit të tyre; dhe ai preu aq shumë nga krahët e tyre, sa u ngritën kundër tij dhe nuk qenë pak prej tyre.

39 Dhe kur i dëboi larg së andejmi, ai u kthye dhe ata u dhanë ujë grigjave të tyre dhe i çuan pastaj në kullotat e mbretit; dhe pas kësaj shkuan te mbreti duke mbajtur krahët që u prenë nga shpata e Amonit, të atyre që deshën ta vrisnin atë; dhe ato i çuan tek mbreti për t’i dhënë dëshmi të gjërave që kishin bërë.