Shkrimet e Shenjta
Alma 1


Libri i Almës
Biri i Almës

Anali i Almës, që ishte biri i Almës, kryegjykatësi i parë mbi popullin e Nefit dhe gjithashtu kryeprift i Kishës. Një rrëfim për mbretërimin e gjykatësve dhe luftërat dhe grindjet mes popullit. Dhe gjithashtu një rrëfim i një lufte mes Nefitëve dhe Lamanitëve, sipas analit të Almës, kryegjykatësit të parë.

Kapitulli 1

Nehori mëson doktrina të gënjeshtërta, themelon një kishë, paraqet intriga të priftërinjve dhe vret Gideonin—Nehori ekzekutohet për krimet e tij—Intrigat e priftërinjve dhe përndjekjet përhapen mes popullit—Priftërinjtë e sigurojnë vetë jetesën, njerëzit kujdesen për të varfërit dhe Kisha përparon. Rreth 91–88 para K.

1 Tani ndodhi që gjatë vitit të parë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit, nga kjo kohë e tutje, mbreti Mosia pasi shkoi atje ku shkojnë tërë banorët e tokës, pasi bëri një luftim të mirë, duke ecur drejt para Perëndisë, duke mos lënë asnjë që të mbretërojë në vend të tij; megjithatë ai kishte vendosur ligje dhe ato qenë njohur nga populli; prandaj ata qenë të detyruar t’u bindeshin ligjeve që ai kishte bërë.

2 Dhe ndodhi që në vitin e parë të mbretërimit të Almës në fronin e gjykimit, u soll një njeri para tij për t’u gjykuar, një njeri që ishte i madh dhe që ishte i njohur për fuqinë e tij të madhe.

3 Dhe ai kishte shkuar mes njerëzve, duke u predikuar atyre atë që ai e quante të ishte fjala e Perëndisë, duke iu kundërvënë kishës; duke u shpallur njerëzve që çdo prift dhe mësues duhet të bëhet i njohur dhe ata nuk duhet të punojnë me duart e tyre, por duhet të mbahen nga populli.

4 Dhe ai dëshmoi gjithashtu para popullit se i gjithë njerëzimi duhet të shpëtohet ditën e fundit dhe se ata nuk duhej të kishin frikë, as të dridheshin, por mund të ngrinin kokën lart dhe të gëzonin; pasi Zoti kishte krijuar të gjithë njerëzit dhe kishte shëlbuar gjithashtu të gjithë njerëzit dhe në fund të gjithë njerëzit do të kishin jetë të përjetshme.

5 Dhe ndodhi që ai ua mësoi njerëzve këto gjëra kaq shumë, saqë shumë u besuan fjalëve të tij, madje kaq shumë, sa ata filluan ta mbanin dhe t’i jepnin para.

6 Dhe ai filloi të ngrihej në kryelartësinë e zemrës së tij dhe të vishte rroba shumë të çmueshme, po, dhe madje filloi të themelonte një kishë sipas mënyrës së predikimit të tij.

7 Dhe ndodhi që ndërsa po shkonte t’u predikonte atyre që besonin në fjalën e tij, ai takoi një njeri që i përkiste kishës së Perëndisë, po, madje, një nga mësuesit e saj; dhe filloi të grindej rreptë me të, kështu që ai të mund të largonte njerëzit nga kisha; por njeriu i bëri ballë atij duke e qortuar me fjalët e Perëndisë.

8 Tani, emri i këtij njeriu ishte Gideon; dhe qe ai që ishte një vegël në duart e Perëndisë për të çliruar popullin e Limhit nga robëria.

9 Tani, meqë Gideoni e përballoi atë me fjalët e Perëndisë, ai u zemërua me Gideonin dhe nxori shpatën dhe filloi ta qëllonte atë. Tani Gidoeni, duke pasur mbi supe shumë vite, nuk qe në gjendje t’i bënte ballë, prandaj ai u vra nga shpata e tij.

10 Dhe njeriu që e vrau atë u mor nga njerëzit e kishës dhe u çua para Almës, që të gjykohej sipas krimeve që ai kishte bërë.

11 Dhe ndodhi që ai qëndroi para Almës dhe mbrojti veten me shumë guxim.

12 Por Alma i tha atij: Vër re, kjo është hera e parë që intriga e priftërinjve u shfaq mes këtij populli. Dhe vër re, ti nuk je vetëm fajtor për intrigën e priftërinjve, por je përpjekur ta futësh atë me shpatë; dhe po të futet intriga e priftërinjve me forcë mes këtij populli, do të çojë në shkatërrimin e tij të plotë.

13 Dhe ti ke derdhur gjakun e një njeriu të drejtë, po, të një njeriu që ka bërë shumë të mira mes këtij populli; dhe në qoftë se do të të kursenim ty, gjaku i tij do të binte mbi ne për hakmarrje.

14 Prandaj, ti je dënuar të vdesësh, në bazë të ligjit që na u dha nga Mosia, mbreti ynë i fundit dhe i cili u njoh nga ky popull; prandaj ky popull duhet t’i përmbahet ligjit.

15 Dhe ndodhi që ata e morën atë; dhe emri i tij ishte Nehor; dhe ata e çuan atë në majë të kodrës Manti dhe aty u bë, ose më mirë aty ai pranoi mes qiejve dhe tokës se ç’u kishte mësuar njerëzve ishte në kundërshtim me fjalën e Perëndisë; dhe aty ai vuajti një vdekje të turpshme.

16 Megjithatë, kjo gjë nuk i dha fund përhapjes së intrigave të priftërinjve në tërë vendin; pasi kishte shumë që i donin gjërat e kota të botës dhe vazhduan të predikonin doktrina të rreme; dhe këtë e bënë për të fituar pasuri dhe nderime.

17 Megjithatë, ata nuk guxonin të gënjenin haptas nga frika e ligjit, pasi gënjeshtarët dënoheshin; prandaj, ata bënin sikur predikonin sipas besimit të tyre; dhe tani ligji nuk do të kishte fuqi mbi asnjë njeri për besimin e tij.

18 Dhe ata nuk guxonin të vidhnin, nga frika e ligjit, pasi të tillët do të dënoheshin; as nuk guxonin të grabitnin ose të vrisnin, pasi ai që vriste dënohej me vdekje.

19 Por ndodhi që kushdo që nuk bënte pjesë në kishën e Perëndisë, filloi të persekutonte ata që bënin pjesë në kishën e Perëndisë dhe që kishin marrë mbi vete emrin e Krishtit.

20 Po, ata i persekutonin dhe i hidhëronin me të gjitha llojet e fjalëve dhe kjo për shkak të përulësisë së tyre; pasi ata nuk ishin kryelartë në sytë e tyre dhe sepse ata i njoftonin fjalën e Perëndisë njëri-tjetrit, pa para dhe pa çmim.

21 Tani, kishte një ligj të rreptë mes njerëzve të kishës, që askush që i përkiste kishës, nuk do të ngrihej dhe të persekutonte ata që nuk i përkisnin kishës dhe se nuk do të kishte as persekutim mes tyre.

22 Megjithatë, kishte shumë mes tyre që filluan të krenoheshin dhe filluan të grindeshin nxehtësisht me kundërshtarët e tyre, madje sa të ziheshin; po, ata do të qëllonin njëri-tjetrin me grushtet e tyre.

23 Tani, kjo qe në vitin e dytë të mbretërimit të Almës dhe ishte arsyeja që i shkaktoi hidhërim të madh kishës; po, qe shkaku i trazirave të mëdha për kishën.

24 Pasi zemrat e shumë vetave u ngurtësuan dhe emrat e tyre u fshinë dhe ata nuk kujtoheshin më mes njerëzve të Perëndisë. Dhe gjithashtu shumë u larguan nga mesi i tyre.

25 Tani, kjo qe një provë e madhe për ata që qëndruan të paepur në besimin e tyre; megjithatë, ata qenë të paepur dhe të palëvizshëm në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë dhe ata i qëndruan me durim persekutimit që shtohej mbi ta.

26 Dhe kur priftërinjtë linin punën e tyre për t’u njoftuar njerëzve fjalën e Perëndisë, njerëzit gjithashtu linin punët e tyre për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. Dhe kur priftërinjtë ua kishin njoftuar atyre fjalën e Perëndisë, ata të gjithë u kthyen përsëri me zell në punët e tyre; dhe prifti, duke mos e vlerësuar veten mbi dëgjuesit, pasi predikuesi nuk ishte më i mirë nga dëgjuesi, as nuk ishte mësuesi më i mirë nga nxënësi; dhe kështu, ata ishin të gjithë njëlloj dhe të gjithë punonin, çdo njeri sipas fuqisë së tij.

27 Dhe ata u jepnin nga pasuria e tyre, çdo njeri sipas asaj që kishte, të varfërve dhe nevojtarëve dhe të sëmurëve, dhe të pikëlluarve; dhe ata nuk vishnin veshje të çmueshme, megjithatë ishin të paqmë dhe të hijshëm.

28 Dhe kështu ata vendosën punët e kishës; dhe kështu ata filluan të kishin përsëri paqe të vazhdueshme, pavarësisht nga gjithë persekutimet që u bëheshin.

29 Dhe tani për shkak të qëndrueshmërisë së kishës, ata filluan të ishin jashtëzakonisht të pasur, duke pasur me bollëk nga të gjitha gjërat që kishin nevojë—një bollëk në grigja dhe në kope dhe kafshë të trasha të çdo lloji, dhe gjithashtu bollëk në drithë, dhe në ar, dhe në argjend, dhe në gjëra të çmueshme; dhe bollëk në mëndafsh dhe të linjta të endura me mjeshtri, dhe të gjitha llojet e pëlhurave të mira shtëpiake.

30 Dhe kështu, në rrethanat e tyre të begatshme, ata nuk përzinin askënd që ishte i zhveshur, ose që ishte i uritur, ose që ishte i etur, ose që ishte i sëmurë, ose që nuk ishte i ushqyer; dhe ata nuk i vunë zemrat e tyre pas pasurive; prandaj ata ishin bujarë me të gjithë, si pleq ashtu dhe të rinj, si robër ashtu dhe njerëz të lirë, si burra ashtu dhe gra, qoftë me pjesëtarë ose me jopjesëtarë të kishës, pa bërë dallim mes njerëzve në nevojë.

31 Dhe kështu ata u begatuan dhe u bënë shumë më të pasur se ata që nuk bënin pjesë në kishën e tyre.

32 Pasi ata që nuk bënin pjesë në kishën e tyre jepeshin pas magjive dhe pas idhujtarive ose përtacisë dhe duke u marrë me thashetheme dhe me smirë dhe me grindje; duke veshur rroba të shtrenjta; duke u ngritur në kryelartësinë e syve të tyre; duke persekutuar, duke gënjyer, duke vjedhur, duke grabitur, duke bërë lavirësi dhe duke vrarë dhe duke bërë të gjitha llojet e ligësisë; megjithëqë, ligji vihej në zbatim, aq sa ishte e mundur, mbi të gjithë ata që e shkelnin.

33 Dhe ndodhi që duke ushtruar kështu ligjin mbi ta, çdo njeri të vuante sipas asaj që ai kishte bërë, ata u bënë më të qetë dhe nuk guxonin të bënin ndonjë ligësi nga frika se do të zbuloheshin; prandaj, kishte shumë paqe mes popullit të Nefit deri në vitin e pestë të mbretërimit të gjykatësve.