Seksioni 106
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 25 nëntor 1834 (History of the Church, 2:170–171). Kjo zbulesë i drejtohet Warren A. Cowdery-t, një vëllai më të madh të Oliver Cowdery-t.
1–3, Warren A. Cowdery thirret si udhëheqës kryesues lokal; 4–5, Ardhja e Dytë nuk do t’i befasojë fëmijët e dritës si një hajdut; 6–8, Bekime të mëdha ndjekin shërbimin besnik në Kishë.
1 Është vullneti im që shërbëtori im Warren A. Cowdery duhet të caktohet dhe shugurohet një prift i lartë kryesues mbi kishën time, në tokën e Lirisë dhe krahinat përreth;
2 Dhe duhet të predikojë ungjillin tim të përjetshëm dhe ta ngrejë zërin e tij e t’i paralajmërojë njerëzit, jo vetëm në vendin e tij, por në kontetë rrethuese;
3 Dhe ta përkushtojë tërë kohën e tij në këtë thirrje të lartë e të shenjtë, të cilën unë tani ia jap atij, duke kërkuar me zell mbretërinë e qiellit dhe drejtësinë e saj, dhe të gjitha gjërat e nevojshme do t’u shtohen atyre; sepse punëtori është i denjë për shpërblimin e tij.
4 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, ardhja e Zotit po afrohet dhe ajo e befason botën si një hajdut nëpër natë—
5 Si rrjedhim, ngjishini ijët tuaja, që ju të mund të jeni fëmijët e dritës dhe që dita të mos ju befasojë si një hajdut.
6 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, pati gëzim në qiell kur shërbëtori im Warren iu përkul skeptrit tim dhe e veçoi veten nga dredhitë e njerëzve;
7 Si rrjedhim, bekuar qoftë shërbëtori im Warren, sepse unë do të kem mëshirë për të; dhe, pavarësisht nga kotësia e zemrës së tij, unë do ta ngre atë, për aq sa ai do të përulet përpara meje.
8 Dhe unë do t’i jap hir dhe siguri kudo që të ndodhet; dhe nëse ai vazhdon të jetë një dëshmitar besnik dhe një dritë për kishën, unë kam përgatitur një kurorë për të në ndërtesat e Atit tim. Madje kështu. Amen.