Seksioni 108
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 26 dhjetor 1835 (History of the Church, 2:345). Ky seksion u mor me kërkesën e Lyman Sherman-it, i cili më parë ishte shuguruar një prift i lartë dhe një i shtatëdhjetë dhe i cili kishte ardhur te Profeti me një kërkesë për një zbulesë që t’i bënte të ditur detyrën e tij.
1–3, Lyman Sherman-i falet për mëkatet e tij; 4–5, Ai duhet të numërohet me pleqtë udhëheqës të Kishës; 6–8, Ai thirret për të predikuar ungjillin dhe për t’i forcuar vëllezërit e tij.
1 Në të vërtetë kështu të thotë Zoti ty, shërbëtorit tim Lyman: Mëkatet e tua të janë falur, ngaqë i je bindur zërit tim duke ardhur këtu, këtë mëngjes, për të marrë këshillë prej atij që unë kam caktuar.
2 Si rrjedhim, shpirti yt duhet të jetë në paqe lidhur me gjendjen tënde shpirtërore dhe të mos i kundërvihet më zërit tim.
3 Dhe ngrihu dhe ji më i kujdesshëm që tani e tutje në mbajtjen e betimeve të tua, që i ke bërë e i bën, dhe ti do të bekohesh me bekime tepër të mëdha.
4 Prit me durim derisa kuvendi solemn do të thirret prej shërbëtorëve të mi, atëherë ti do të kujtohesh me të parët e pleqve të mi dhe do të marrësh të drejtë nëpërmjet shugurimit me pjesën e mbetur të pleqve të mi, të cilët unë i kam zgjedhur.
5 Vër re, ky është premtimi i Atit për ty, në qoftë se vazhdon të jesh besnik.
6 Dhe do të përmbushet për ty në atë ditë, që ti do të kesh të drejtë të predikosh ungjillin tim kudo që do të të dërgoj që tani e tutje.
7 Si rrjedhim, forcoji vëllezërit e tu në gjithë bisedën tënde, në gjithë lutjet e tua, në gjithë këshillat e tua dhe në gjithë veprimet e tua.
8 Dhe vër re dhe shih, unë jam me ty për të të bekuar dhe për të të çliruar përgjithmonë. Amen.