Seksioni 111
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Salem, Massachusetts, më 6 gusht 1836 (History of the Church, 2:465–466). Në këtë kohë udhëheqësit e Kishës ishin shumë në borxh për shkak të punëve të tyre në shërbesë. Duke dëgjuar që një sasi e madhe parash do të ishin në dispozicion të tyre në Salem, Profeti, Sidney Rigdon, Hyrum Smith dhe Oliver Cowdery udhëtuan për atje nga Kirtland, Ohio, për ta hetuar këtë thënie, gjithashtu duke predikuar ungjillin. Vëllezërit kryen disa çështje nga punët e Kishës dhe bënë ca predikim. Kur u bë e qartë se para nuk do të viheshin në dispozicion të tyre, ata u kthyen në Kirtland. Disa nga faktorët e dukshëm në sfond pasqyrohen në fjalët e kësaj zbulese.
1–5, Zoti kujdeset për nevojat tokësore të shërbëtorëve të tij; 6–11, Ai do të sillet plot mëshirë me Sionin dhe do t’i rregullojë të gjitha gjërat për të mirën e shërbëtorëve të tij.
1 Unë, Zoti, Perëndia juaj, nuk jam i pakënaqur me bërjen e këtij udhëtimi, pavarësisht nga marrëzitë tuaja.
2 Unë kam shumë thesar në këtë qytet për ju, për të mirën e Sionit, dhe shumë njerëz në këtë qytet, të cilët do t’i mbledh në kohën e duhur për të mirën e Sionit, nëpërmjet instrumentalitetit tuaj.
3 Si rrjedhim, është e domosdoshme që ju duhet të formoni lidhje me njerëz në këtë qytet, siç do të udhëhiqeni dhe siç do t’ju jepet.
4 Dhe do të ndodhë, në kohën e duhur, që unë do ta jap këtë qytet në duart tuaja, që ju të keni fuqi mbi të, për aq sa ata nuk do t’i zbulojnë pjesët tuaja të fshehta; dhe pasuria e tij, e përbërë nga ar e argjend, do të jetë e juaja.
5 Mos u shqetësoni për borxhet tuaja, sepse unë do t’ju jap fuqi t’i paguani ato.
6 Mos u shqetësoni për Sionin, sepse unë do të sillem plot mëshirë me të.
7 Qëndroni në këtë vend dhe në krahinat përreth.
8 Dhe vendi ku është vullneti im që ju duhet të qëndroni, kryesisht, do t’ju sinjalizohet me anë të paqes dhe fuqisë së Shpirtit tim, i cili do të rrjedhë tek ju.
9 Këtë vend mund ta fitoni me anë të pagesës. Dhe kërkoni me zell lidhur me banorët më të lashtë dhe themeluesit e këtij qyteti.
10 Sepse ka më shumë se një thesar për ju në këtë qytet.
11 Si rrjedhim, jini aq të zgjuar sa gjarpërinjtë dhe përsëri pa mëkatuar; dhe unë do t’i urdhëroj të gjitha gjërat për të mirën tuaj, aq shpejt sa ju jeni në gjendje t’i merrni ato. Amen.