Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 115


Seksioni 115

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Far West, Missouri, më 26 prill 1838, duke bërë të ditur vullnetin e Perëndisë lidhur me ndërtimin e atij vendi dhe të shtëpisë së Zotit (History of the Church, 3:23–25). Kjo zbulesë u drejtohet drejtuesve kryesues të Kishës.

1–4, Zoti e quan kishën e tij Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme; 5–6, Sioni dhe kunjat e tij janë vende mbrojtjeje dhe strehimi për Shenjtorët; 7–16, Shenjtorët urdhërohen t’i ndërtojnë një shtëpi Zotit në Far West; 17–19, Joseph Smith-i mban çelësat e mbretërisë së Perëndisë mbi tokë.

1 Në të vërtetë, kështu ju thotë Zoti juve, shërbëtorit tim Joseph Smith të Riut dhe gjithashtu shërbëtorit tim Sidney Rigdon, dhe gjithashtu shërbëtorit tim Hyrum Smith, dhe këshilltarëve tuaj që janë caktuar dhe do të caktohen më pas;

2 Dhe gjithashtu juve, shërbëtorit tim Edward Partridge dhe këshilltarëve të tij;

3 Dhe gjithashtu shërbëtorëve të mi besnikë që janë të këshillit të lartë të kishës sime në Sion, sepse kështu duhet të quhet, dhe gjithashtu gjithë pleqve dhe njerëzve të Kishës sime të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të shpërndarë larg në të gjithë botën;

4 Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

5 Në të vërtetë unë ju them ju të gjithëve: Ngrihuni e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet;

6 Dhe që mbledhja së bashku mbi tokën e Sionit dhe në kunjat e tij të mund të jetë për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun.

7 Qyteti i Far West-it duhet të jetë një tokë e shenjtë dhe e përkushtuar për mua; dhe ai do të quhet më i shenjti, sepse toka mbi të cilën ti qëndron është e shenjtë.

8 Si rrjedhim, unë ju urdhëroj të ndërtoni një shtëpi për mua, për mbledhjen së bashku të shenjtorëve të mi, që ata të mund të më adhurojnë mua.

9 Dhe duhet të ketë një fillim të kësaj vepre dhe një themel e një punë përgatitore, për këtë verë;

10 Dhe fillimi duhet të bëhet në ditën e katërt të korrikut që vjen; dhe nga ajo kohë e më pas njerëzit e mi duhet të punojnë me zell për të ndëtuar një shtëpi për emrin tim;

11 Dhe një vit si sot ata duhet të rifillojnë të hedhin themelin e shtëpisë sime.

12 Kështu që nga ajo kohë e më pas ata duhet të punojnë me zell, derisa të mbarohet, që nga guri i themelit deri në majë të saj, derisa të mos ngelet asgjë që nuk është mbaruar.

13 Në të vërtetë unë ju them, as shërbëtori im Joseph, as shërbëtori im Sidney, as shërbëtori im Hyrum nuk duhet të hyjnë më në borxh për ndërtimin e një shtëpie për emrin tim;

14 Por një shtëpi duhet të ndërtohet për emrin tim sipas modelit që unë do t’ua tregoj.

15 Dhe në qoftë se njerëzit e mi nuk e ndërtojnë atë sipas modelit që do t’ia tregoj presidencisë së tyre, unë nuk do ta pranoj atë nga duart e tyre.

16 Por në qoftë se populli im e ndërton atë sipas modelit që unë do t’ia tregoj presidencisë së tyre, madje shërbëtorit tim Joseph dhe këshilltarëve të tij, atëherë unë do ta pranoj atë nga duart e njerëzve të mi.

17 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, është vullneti im që qyteti i Far West-it duhet të ndërtohet me shpejtësi me anë të mbledhjes së shenjtorëve të mi;

18 Dhe gjithashtu që vende të tjera duhet të caktohen për kunja në krahinat përreth, sikurse do t’i manifestohen shërbëtorit tim Joseph, herë pas here.

19 Sepse vini re, unë do të jem me të dhe unë do ta shenjtëroj atë përpara popullit tim; sepse atij ia kam dhënë unë çelësat e kësaj mbretërie dhe shërbese. Madje kështu. Amen.