Seksioni 41
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, Kishës në Kirtland, Ohio, më 4 shkurt 1831 (History of the Church, 1:146–147). Dega e Kishës në Kirtland në këtë kohë po rritej në numër me shpejtësi. Si hyrje të kësaj zbulese Profeti shkroi: “Anëtarët … po përpiqeshin shumë të bënin vullnetin e Perëndisë, për aq sa e dinin, edhe pse disa nocione të panjohura dhe shpirtra të rremë kishin depërtuar mes tyre … [dhe] Zoti i dha Kishës sa vijon” (History of the Church, 1:146–147).
1–3, Pleqtë do ta qeverisin Kishën me anë të shpirtit të zbulesës; 4–6, Dishepujt e vërtetë do ta pranojnë dhe do ta zbatojnë ligjin e Zotit; 7–12, Edward Partridge emërohet si peshkop për Kishën.
1 Vini vesh e dëgjoni, O ju, populli im, tha Zoti dhe Perëndia juaj, ju të cilët unë kënaqem t’ju bekoj me bekimin më të madh të të gjitha bekimeve, ju që më dëgjoni; dhe juve që nuk më dëgjoni, do t’ju mallkoj, juve që keni mohuar emrin tim, me më të rëndin e mallkimeve.
2 Vini vesh, O ju, pleq të kishës sime, të cilët unë ju kam thirrur, vini re, unë ju jap një urdhërim, që të mblidheni së bashku për të rënë dakort për fjalën time;
3 Dhe nëpërmjet lutjes së besimit tuaj ju do të merrni ligjin tim, që të mund të dini si të qeverisni kishën time dhe t’i keni të gjitha gjërat siç duhet përpara meje.
4 Dhe unë do të jem sunduesi juaj kur të vij; dhe vini re, unë vij shpejt dhe ju duhet të siguroni që ligji im të zbatohet.
5 Ai që e pranon ligjin tim dhe e bën atë, ai është dishepulli im; dhe ai që thotë se e pranon atë dhe nuk e bën atë, ai nuk është dishepulli im e do të flaket nga mesi juaj;
6 Pasi nuk është e drejtë që gjërat që u përkasin fëmijëve të mbretërisë, t’u jepen atyre që s’janë të denjë, ose qenve, apo që perlat të hidhen përpara derrave.
7 Dhe përsëri, është e drejtë që shërbëtorit tim, Joseph Smith të Riut, t’i ndërtohet një shtëpi, në të cilën të jetojë dhe të përkthejë.
8 Dhe përsëri, është e drejtë që shërbëtori im Sidney Rigdon të jetojë siç i duket atij mirë, me kusht që të zbatojë urdhërimet e mia.
9 Dhe përsëri, unë e kam thirrur shërbëtorin tim Edward Partridge; dhe unë jap një urdhërim që ai duhet të caktohet me anë të zërit të kishës dhe të shugurohet peshkop në kishë, të lërë tregëtinë e tij dhe ta shpenzojë gjithë kohën e tij në punët e kishës;
10 Të kujdeset për gjithë gjërat, siç do t’i caktohen atij në ligjet e mia, në ditën që unë do t’i jap ato.
11 Dhe kjo, ngaqë zemra e tij është e pastër para meje, sepse ai është si Natanaeli i lashtësisë, në të cilin s’ka mashtrim.
12 Këto fjalë ju janë dhënë juve dhe ato janë të pastra para meje; prandaj, bëni kujdes se si i mbani ato, sepse ato do të përgjigjen për shpirtrat tuaj në ditën e gjykimit. Madje kështu. Amen.