Seksioni 57
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Sion, kontea e Jackson-it, Missouri, më 20 korrik 1831 (History of the Church, 1:189–190). Në përputhje me urdhërin e Zotit (seksioni 52), pleqtë kishin udhëtuar nga Kirtland-i për në Missouri me shumë përvoja të ndryshme dhe disa kundërshtime. Kur mendoi rreth gjendjes së Lamanitëve dhe mungesës së qytetërimit, zhvillimit dhe fesë mes popullit në përgjithësi, Profeti thirri: “Kur do të lulëzojë shkretëtira si trëndafil? Kur do të ndërtohet Sioni në lavdinë e tij dhe ku do të qëndrojë tempulli yt, në të cilin gjithë kombet do të hyjnë në ditët e fundit?” (History of the Church, 1:189). Si rrjedhojë ai mori këtë zbulesë.
1–3, Independence, Missouri, është vendi për Qytetin e Sionit dhe tempullin; 4–7, Shenjtorët duhet të blejnë toka dhe të marrin trashëgime në atë zonë; 8–16, Sidney Gilbert duhet të hapë një dyqan, W. W. Phelps duhet të jetë një tipograf dhe Oliver Cowdery duhet të redaktojë materiale për botim.
1 Vini vesh, O ju pleq të kishës sime, thotë Zoti, Perëndia juaj, që jeni mbledhur së bashku, sipas urdhërimeve të mia, në këtë tokë, që është toka e Missouri-t, që është toka të cilën e kam caktuar dhe përkushtuar për mbledhjen e shenjtorëve.
2 Si rrjedhim, kjo është toka e premtimit dhe vendi për qytetin e Sionit.
3 Dhe kështu tha Zoti, Perëndia juaj, nëse ju doni të merrni urtësi, këtu është urtësia. Vini re, vendi që tani quhet Independence, është vendi qendror; dhe një vend për tempullin shtrihet në perëndim, mbi një vend që nuk është larg nga gjykata.
4 Si rrjedhim, është urtësi që toka duhet të blihet nga shenjtorët dhe gjithashtu çdo ngastër që shtrihet në perëndim, madje kufiri që shtrihet drejtpërsëdrejti midis Judenjve dhe Johebrenjve;
5 Dhe gjithashtu çdo ngastër e kufizuar nga livadhet, për aq sa dishepujt e mi nuk janë në gjendje të blejnë toka. Vini re, kjo është urtësi, që ata mund ta fitojnë atë për një trashëgim të përhershëm.
6 Dhe shërbëtori im Sidney Gilbert duhet të qëndrojë në detyrën në të cilën e kam caktuar, për të marrë para, për të qenë një përfaqësues për kishën, për të blerë tokë në të gjitha krahinat përreth, për aq sa mund të bëhet në drejtësi dhe siç do të drejtojë urtësia.
7 Dhe shërbëtori im Edward Partridge duhet të qëndrojë në detyrën në të cilën e kam caktuar dhe t’u ndajë shenjtorëve trashëgimin e tyre, madje siç kam urdhëruar unë; dhe gjithashtu ata që ai i ka caktuar për ta ndihmuar atë.
8 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, shërbëtori im Sidney Gilbert duhet të vendoset në këtë vend dhe të ngrejë një dyqan, që ai të mund të shesë mallra pa mashtrim, që ai të mund të fitojë para për të blerë toka për të mirën e shenjtorëve dhe që ai të mund të fitojë çfarëdo gjërash që dishepujt mund të kenë nevojë për t’i vendosur ata në trashëgimin e tyre.
9 Dhe gjithashtu shërbëtori im Sidney Gilbert duhet të marrë një leje—vër re, këtu është urtësi dhe kushdo që lexon le të kuptojë—se ai mund t’u dërgojë mallra gjithashtu njerëzve, madje nëpërmjet atyre që ai dëshiron, të cilët punësohen nëpunës në shërbim të tij;
10 Dhe kështu t’i furnizojë shenjtorët e mi, që ungjilli im t’u predikohet atyre që ulen në errësirë dhe në krahinën e në hijen e vdekjes.
11 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, shërbëtori im William W. Phelps duhet të vendoset në këtë vend dhe të caktohet si tipograf për kishën.
12 Dhe ja, nëse bota i pranon shkrimet e tij—vini re, këtu është urtësi—ai duhet të marrë çfarëdo që mund ta fitojë me drejtësi, për të mirën e shenjtorëve.
13 Dhe shërbëtori im Oliver Cowdery duhet ta ndihmojë atë, madje siç kam urdhëruar, në çfarëdo vendi që unë do t’i caktoj, për të kopjuar dhe korrigjuar dhe zgjedhur, që të gjitha gjërat të mund të bëhen siç duhet përpara meje, siç do të provohet me anë të Shpirtit nëpërmjet tij.
14 Dhe kështu, ata për të cilët kam folur, duhet të vendosen në tokën e Sionit, sa më shpejt që të jetë e mundur, me familjet e tyre, për të bërë ato gjëra madje siç kam thënë unë.
15 Dhe tani lidhur me mbledhjen—Peshkopi dhe përfaqësuesi duhet të bëjnë përgatitje për ato familje që janë urdhëruar të vijnë në këtë tokë, sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe t’i vendosin ato në trashëgimin e tyre.
16 Dhe pjesës së mbetur, si të pleqve, edhe të anëtarëve, udhëzime të mëtejshme do t’u jepen më pas. Madje kështu. Amen.