Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 65


Seksioni 65

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Hiram, Ohio, në tetor 1831 (History of the Church, 1:218). Profeti e përcakton këtë zbulesë si një lutje.

1–2, Çelësat e mbretërisë së Perëndisë i besohen njeriut në tokë dhe kauza e ungjillit do të triumfojë; 3–6, Mbretëria mijëvjeçare e qiellit do të vijë dhe do të bashkohet me mbretërinë e Perëndisë në tokë.

1 Vini vesh e dëgjoni një zë që është i atij të dërguar nga lart, i cili është i fortë e i fuqishëm, shtrirja e të cilit është deri në skajet e tokës, po, zëri i të cilit është për njerëzit—Përgatisni ju udhën e Zotit, bëjini shtigjet e tij të drejta.

2 Çelësat e mbretërisë së Perëndisë i jepen njeriut në tokë dhe që atje do të përhapet ungjilli deri në fundet e dheut, ashtu si guri që shkëputet pa duar nga mali, do të përhapet derisa të ketë mbushur tërë tokën.

3 Po, një zë duke thirrur—Përgatisni ju udhën e Zotit, përgatisni ju darkën e Qengjit, bëhuni gati për Dhëndrin.

4 Lutjuni Zotit, thërrisni emrin e tij të shenjtë, i bëni të njohura veprat e tij të mrekullueshme mes njerëzve.

5 Lutjuni Zotit, që mbretëria e tij të mund të përhapet mbi tokë, që banorët e saj të mund ta pranojnë atë dhe të përgatiten për ditët që do të vijnë, në të cilat Biri i Njeriut do të zbresë në qiell, i veshur me shkëlqimin e lavdisë së tij, për të takuar mbretërinë e Perëndisë që është ngritur mbi tokë.

6 Prandaj, u përhaptë mbretëria e Perëndisë, që mbretëria e qiellit të mund të vijë, që ti, O Perëndi, të mund të përlëvdohesh në qiell si dhe në tokë, që armiqtë e tu të mund të mposhten; sepse i yti është nderi, fuqia dhe lavdia, përherë e përgjithmonë. Amen.