Seksioni 69
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Hiram, Ohio, në nëntor 1831 (History of the Church, 1:234–235). Përmbledhja e zbulesave që do të botoheshin në botimet e hershme, ishte miratuar në konferencën e veçantë të 1 nëntorit. Më 3 nëntor, zbulesa që këtu shfaqet si seksioni 133, u shtua dhe u quajt Shtojca. Nëpërmjet vendimit të konferencës, Oliver Cowdery u caktua ta çonte dorëshkrimin e zbulesave dhe të urdhërimeve të përmbledhura në Independence, Missouri, për t’u shtypur. Ai duhej gjithashtu të merrte me vete paratë që ishin kontribuar për ndërtimin e Kishës në Missouri. Ngaqë kursi i udhëtimit do ta çonte atë përmes një vendi pak të banuar drejt kufirit, një shok për udhëtimin ishte i dëshirueshëm.
1–2, John Whitmer duhet ta shoqërojë Oliver Cowdery-n për në Missouri; 3–8, Ai gjithashtu duhet të predikojë dhe të mbledhë, regjistrojë dhe shkruajë të dhëna historike.
1 Më dëgjoni mua, thotë Zoti, Perëndia juaj, për hir të shërbëtorit tim Oliver Cowdery. Nuk është urtësi në mua që atij t’i besohen urdhërimet dhe paratë që do t’i çojë për në tokën e Sionit, veç nëse shkon me të dikush që do të jetë i vërtetë dhe besnik.
2 Prandaj unë, Zoti, dëshiroj që shërbëtori im John Whitmer të shkojë me shërbëtorin tim Oliver Cowdery;
3 Dhe gjithashtu që ai do të vazhdojë të shkruajë dhe të bëjë një histori të gjithë gjërave të rëndësishme që ai do të vëzhgojë e dijë lidhur me kishën time;
4 Dhe gjithashtu që ai merr këshillë e ndihmë nga shërbëtori im Oliver Cowdery dhe të tjerët.
5 Dhe gjithashtu, shërbëtorët e mi që janë përhapur në botë, duhet t’i dërgojnë tregimet e kujdestarive të tyre në tokën e Sionit;
6 Sepse toka e Sionit do të jetë një truall dhe një vend për t’i marrë e për t’i bërë gjithë këto gjëra.
7 Megjithatë, shërbëtori im John Whitmer duhet të udhëtojë shumë herë nga vendi në vend dhe nga kisha në kishë, që ai të mund të fitojë dituri më me lehtësi—
8 Duke predikuar e duke këshilluar, duke shkruar, duke kopjuar, duke zgjedhur e duke marrë të gjitha gjërat që do të jenë për të mirën e kishës dhe për brezat në rritje që do të rriten në tokën e Sionit, për ta zotëruar atë nga brezi në brez, përherë e përgjithmonë. Amen.