Seksioni 72
Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 4 dhjetor 1831 (History of the Church, 1:239–241). Disa pleq dhe anëtarë ishin mbledhur të mësonin detyrën e tyre dhe të merrnin udhëzime të mëtejshme në mësimet e Kishës. Ky seksion është një përmbledhje e dy zbulesave të marra në të njëjtën ditë. Vargjet 1 deri 8 bëjnë të ditur thirrjen e Newel K. Whitney-t si peshkop. Ai më pas u thirr dhe u shugurua, pas së cilës vargjet 9 deri në 26 u morën, duke dhënë informacion shtesë lidhur me detyrat e një peshkopi.
1–8, Pleqtë duhet t’i japin llogari për kujdestarinë e tyre peshkopit; 9–15, Peshkopi mban shtëpinë e ruajtjes dhe kujdeset për të varfërit e nevojtarët; 16–26, Peshkopët duhet të vërtetojnë denjësinë e pleqve.
1 Vini vesh e dëgjoni zërin e Zotit, O ju që jeni mbledhur së bashku, që jeni priftërinjtë e lartë të kishës sime, të cilëve u është dhënë mbretëria dhe fuqia.
2 Sepse në të vërtetë kështu thotë Zoti, është e nevojshme për mua që një peshkop t’ju caktohet juve, ose prej jush, për kishën në këtë pjesë të vreshtit të Zotit.
3 Dhe në të vërtetë në këtë gjë ju keni vepruar me mençuri, sepse kërkohet prej Zotit, nga dora e çdo kujdestari, të bëjë një rrëfim të kujdestarisë së tij, si në kohë, edhe në përjetësi.
4 Sepse ai që është besnik dhe i mençur në kohë, llogaritet i denjë për të trashëguar banesat e përgatitura për të prej Atit tim.
5 Në të vërtetë unë ju them, pleqtë e kishës në këtë pjesë të vreshtit tim duhet t’i japin llogari për kujdestarinë e tyre peshkopit, i cili do të caktohet prej meje në këtë pjesë të vreshtit tim.
6 Këto gjëra duhet të mbahen të regjistruara, që t’i dorëzohen peshkopit në Sion.
7 Dhe detyra e peshkopit do të bëhet e njohur prej urdhërimeve që janë dhënë dhe prej zërit të konferencës.
8 Dhe tani, në të vërtetë unë ju them, shërbëtori im Newel K. Whitney është burri që do të caktohet e shugurohet në këtë fuqi. Ky është vullneti i Zotit, Perëndisë tuaj, Shëlbuesit tuaj. Madje kështu. Amen.
9 Fjala e Zotit, përveç ligjit që është dhënë, duke bërë të njohur detyrën e peshkopit që është shuguruar në kishë në këtë pjesë të vreshtit, e cila është në të vërtetë kjo—
10 Të mbajë shtëpinë e ruajtjes së Zotit; të marrë fondet e kishës në këtë pjesë të vreshtit;
11 Të marrë raport nga pleqtë siç është urdhëruar më parë; dhe t’i administrojë dëshirat e tyre, që duhet të paguajnë për atë që marrin, po aq sa kanë mundësi të paguajnë;
12 Që kjo gjithashtu të mund të përkushtohet për të mirën e kishës, për të varfërit dhe nevojtarët.
13 Dhe ai që nuk ka mundësi të paguajë, një llogari duhet të merret dhe t’i dorëzohet peshkopit në Sion, i cili duhet ta paguajë borxhin nga ajo që Zoti do të vërë në duart e tij.
14 Dhe punët e besnikëve që punojnë në gjëra shpirtërore, në administrimin e ungjillit dhe të gjërave të mbretërisë për kishën dhe për botën, do t’ia shlyejnë borxhin peshkopit në Sion;
15 Kështu kjo nxirret nga kisha, sepse sipas ligjit çdo njeri që vjen në Sion duhet t’i vendosë të gjitha gjërat përpara peshkopit në Sion.
16 Dhe tani, në të vërtetë unë ju them se, ngaqë çdo plak në këtë pjesë të vreshtit duhet t’i japë llogari për kujdestarinë e tij peshkopit në këtë pjesë të vreshtit—
17 Një çertifikatë nga gjykatësi ose peshkopi në këtë pjesë të vreshtit, për peshkopin në Sion, e bën cilindo të pranueshëm dhe u përgjigjet gjithë kërkesave për një trashëgimi dhe për t’u pranuar si një kujdestar i mençur dhe punëtor besnik;
18 Përndryshe ai nuk do të pranohet nga peshkopi i Sionit.
19 Dhe tani, në të vërtetë unë ju them, çdo plak që do t’i japë llogari peshkopit të kishës në këtë pjesë të vreshtit, duhet të rekomandohet nga kisha ose kishat në të cilat ai punon, që ai të mund ta bëjë vetveten dhe llogaritë e tij të miratuara në gjithçka.
20 Dhe përsëri, shërbëtorët e mi që caktohen si kujdestarë për çështje të shkrimit të materialeve të kishës sime, duhet të kërkojnë ndihmë nga peshkopi ose peshkopët në gjithçka—
21 Që zbulesat të mund të botohen dhe të përhapen deri në fundet e dheut; që ata gjithashtu të fitojnë fonde nga të cilat kisha do të përfitojë në gjithçka;
22 Që ata gjithashtu të mund të bëhen të miratuar në gjithçka dhe të llogariten si kujdestarë të mençur.
23 Dhe tani, vini re, ky duhet të jetë një model për të gjitha degët e shtrira të kishës sime, në çfarëdo toke që do të ngrihen. Dhe tani unë i jap fund thënieve të mia. Amen.
24 Pak fjalë për t’iu shtuar ligjeve të mbretërisë, lidhur me anëtarët e kishës—ata që caktohen nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë të shkojnë në Sion dhe ata që kanë privilegjin të shkojnë në Sion—
25 Ata duhet t’i çojnë peshkopit një çertifikatë nga tre pleq të kishës ose një çertifikatë nga peshkopi;
26 Përndryshe ai që do të shkojë në tokën e Sionit, nuk do të llogaritet si kujdestar i mençur. Ky është gjithashtu një model. Amen.