Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 96


Seksioni 96

Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit, duke treguar organizimin e qytetit ose të kunjit të Sionit në Kirtland, Ohio, më 4 qershor 1833, si një shembull për Shenjtorët në Kirtland (History of the Church, 1:352–353). Rasti ishte i një konference të priftërinjve të lartë dhe tema kryesore e marrë në konsideratë ishte dhënia e disa tokave, të njohura si ferma franceze, të zotëruara nga Kisha në Kirtland. Përderisa konferenca nuk mund të binte dakort se kush do të merrte përgjegjësi për fermën, të gjithë ranë dakort që t’i kërkonin Zotit lidhur me çështjen.

1, Kunji i Kirtland-it i Sionit duhet të bëhet i fortë; 2–5, Peshkopi duhet t’i ndajë trashëgimitë për Shenjtorët; 6–9, John Johnson duhet të jetë anëtar i urdhërit të bashkuar.

1 Vini re, unë ju them, këtu është urtësi, me anë të së cilës ju mund të dini se si të veproni lidhur me këtë çështje, sepse është e domosdoshme për mua që ky kunj, të cilin e kam ngritur për forcën e Sionit, duhet të bëhet i fortë.

2 Si rrjedhim, shërbëtori im Newel K. Whitney duhet të ngarkohet me përgjegjësi për vendin që e keni zënë me gojë mes jush, mbi të cilin unë planifikoj të ndërtoj shtëpinë time të shenjtë.

3 Dhe përsëri, ajo duhet të ndahet në pjesë, sipas urtësisë, për të mirën e atyre që kërkojnë trashëgimi, siç do të vendoset në këshill mes jush.

4 Si rrjedhim, sigurohuni që të kujdeseni lidhur me këtë çështje dhe atë pjesë që është e nevojshme për përfitimin e urdhërit tim, për qëllimin e sjelljes së fjalës sime te fëmijët e njerëzve.

5 Sepse, vini re, në të vërtetë unë ju them, kjo është më e domosdoshmja për mua, që fjala ime duhet të shkojë te fëmijët e njerëzve, për qëllimin e zbutjes së zemrave të fëmijëve të njerëzve për të mirën tuaj. Madje kështu. Amen.

6 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, është urtësi dhe e domosdoshme për mua që shërbëtori im John Johnson, ofertën e të cilit unë e kam pranuar dhe lutjet e të cilit i kam dëgjuar, të cilit i jap premtimin e jetës së përjetshme, për aq sa i zbaton urdhërimet e mia që tani e tutje—

7 Sepse ai është një pasardhës i Jozefit dhe një pjesëmarrës i bekimeve të premtimit, të bëra etërve të tij—

8 Në të vërtetë unë ju them, është e domodoshme për mua që ai duhet të bëhet anëtar i urdhërit, që ai të mund të ndihmojë në sjelljen e fjalës sime te fëmijët e njerëzve.

9 Si rrjedhim, ju duhet ta shuguroni atë në këtë bekim dhe ai do të kërkojë me zell të heqë pengjet që janë mbi shtëpinë e përmendur mes jush, që të mund të banojë në të. Madje kështu. Amen.