PJS, Lluka 12:9–12 (krahaso Lluka 12:9–10)
(Blasfemia kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet.)
9 Por ai që më mohon përpara njerëzve, do të mohohet përpara engjëjve të Perëndisë.
10 Tani dishepujt e tij e dinin se ai e tha këtë, sepse ata kishin folur keq kundër tij përpara njerëzve; sepse ata kishin frikë të rrëfenin për të përpara njerëzve.
11 Dhe ata arsyetuan mes tyre, duke thënë: Ai i njeh zemrat tona dhe ai flet për mallkimin tonë dhe ne nuk do të falemi. Por ai iu përgjigj atyre dhe u tha:
12 Kushdo që do të flasë një fjalë kundër Birit të Njeriut dhe pendohet, do t’i falet atij; por atij që blasfemon kundër Frymës të Shenjtë, nuk do t’i falet atij.
PJS, Lluka 12:41–57 (krahaso Lluka 12:38–48)
(Ne duhet të jemi gjithmonë gati për ardhjen e Zotit.)
41 Sepse, vini re, ai vjen në rojën e parë të natës dhe ai do të vijë gjithashtu në rojën e dytë dhe sërish ai do të vijë në rojën e tretë.
42 Dhe në të vërtetë unë ju them: Ai ka ardhur tashmë, siç është shkruar për të; dhe përsëri kur ai do të vijë në rojën e dytë, ose në rojën e tretë, lum ata shërbëtorë kur ai të vijë, të cilët do t’i gjejë duke bërë kështu;
43 Sepse Zoti i atyre shërbëtorëve do të ngjeshet dhe do t’i bëjë ata të ulen për të ngrënë dhe do të vijë e do t’u shërbejë.
44 Dhe tani, në të vërtetë unë jua them këto gjëra që ju të mund ta dini këtë, se ardhja e Zotit është si një vjedhës natën.
45 Dhe është si me një njeri që është i zoti i shtëpisë, i cili, në qoftë se nuk i ruan të mirat e tij, vjedhësi vjen në një orë për të cilën ai nuk është në dijeni, dhe ia merr të mirat e tij dhe i ndan ato mes shokëve të tij.
46 Dhe ata thanë mes tyre: Po ta dinte zoti i mirë i shtëpisë në ç’orë do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’ia shpërthenin shtëpinë dhe humbjen e të mirave të tij.
47 Dhe ai u tha atyre: Në të vërtetë unë ju them, si rrjedhim, jini ju gati gjithashtu; sepse Biri i Njeriut vjen në një orë kur ju s’e mendoni.
48 Dhe Pjetri i tha: Zot, a na e thua këtë shëmbëlltyrë neve apo të gjithëve?
49 Dhe Zoti tha: Unë u flas atyre që Zoti do t’i bëjë sundimtarë mbi shtëpinë e tij, për t’u dhënë fëmijëve të tij pjesën e tyre të ushqimit në stinën e duhur.
50 Dhe ata thanë: Kush është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur?
51 Dhe Zoti u tha atyre: Është ai shërbëtor që kujdeset ta ndajë pjesën e tij të ushqimit në stinën e duhur.
52 Bekuar ai shërbëtor të cilin Zoti i tij do ta gjejë, kur të kthehet, duke bërë kështu.
53 Në të vërtetë ju them se ai do ta bëjë atë sundimtar mbi gjithçka ai ka.
54 Por shërbëtori i lig është ai që nuk gjendet duke ruajtur. Dhe nëse ai shërbëtor nuk gjendet duke ruajtur, ai do të thotë në zemrën e tij: Zoti im e vonon ardhjen e tij; dhe do të fillojë t’i rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, dhe të hajë, dhe të pijë, dhe të dehet.
55 Zoti i atij shërbëtori do të vijë në një ditë që ai s’e pret dhe në një orë që ai s’e di, dhe do ta shkatërrojë e do t’i caktojë atij pjesën e tij me të pabesët.
56 Dhe shërbëtori që e dinte vullnetin e Zotit të tij dhe nuk u përgatit për ardhjen e Zotit të tij, as nuk bëri sipas vullnetit të tij, do të rrihet me shumë kamzhikë.
57 Por ai që nuk e dinte vullnetin e Zotit të tij dhe bëri gjëra të denja për t’u rrahur, do të rrihet më pak. Sepse kujt i jepet shumë, atij shumë do t’i kërkohet; dhe kujt Zoti i besoi shumë, atij njerëzit do t’i kërkojnë më shumë.