14 Mënyra për ta Rivënë në Vijë Shëndetin Tuaj Emocional
Autorja jeton në Ajdaho, SHBA.
Kur ndiheni të rraskapitur emocionalisht, ka disa mënyra të pagabueshme për t’u ndier përsëri 100 përqind të shëndetshëm.
Jeta mund të jetë vërtet shteruese nga ana emocionale nganjëherë, por, kur jemi të mbështetur te vetja emocionalisht, jemi në gjendje t’i plotësojmë nevojat tona emocionale dhe t’i përballojmë ngritjet dhe uljet e së përditshmes. Kjo nuk do të thotë që nuk na nevojitet kurrë ndihmë. Përkundrazi, të qenit të mbështetur te vetja emocionalisht është ta dimë se kur mund t’ia dalim vetë me trysnitë emocionale dhe ta dimë se kur na nevojitet të kërkojmë ndihmë dhe përkrahje nga të tjerët.
Teksa mësojmë si t’i ndiejmë e të reagojmë ndaj emocioneve në një mënyrë të shëndetshme, ne pajisemi më mirë dhe jemi më në gjendje për të shërbyer në mbretërinë e Perëndisë. Disa nga idetë vijuese mund të jenë të dobishme teksa kërkoni të bëheni të mbështetur te vetja emocionalisht.*
-
Bëni gjërat shpirtërore bazë: lutje, studim të shkrimeve të shenjta, prani në Kishë dhe shërbim. Përqendrohuni te mirënjohja.
-
Kujdesuni mirë për veten tuaj fizikisht. Sigurohuni që po hani mirë, po flini gjumë mjaftueshëm dhe po ushtroheni. Shëndeti ynë fizik ndikon te shëndeti ynë emocional.
-
Mbani një ditar. Pjesë e të qenit të mbështetur te vetja emocionalisht është të jeni të vetëdijshëm për ndjenjat tuaja. Mbajtja e ditarit është një mënyrë e mirë për t’i shqyrtuar ndjenjat.
-
Bisedoni sinqerisht rreth ndjenjave tuaja me miqtë apo familjen tuaj. Diskutimi për ndjenjat tuaja me një person tjetër është një çlirim i shëndetshëm që mund të ndihmojë për ta mbajtur të drejtpeshuar shëndetin tuaj emocional.
-
Lutuni për ndihmë në vend që të luteni për ndreqje problemesh. Merreni parasysh ndryshimin e frazave si: “Të lutem, Atë Qiellor, drejtpeshoji emocionet e mia” me të tjera si: “Të lutem, Atë Qiellor, më trego çfarë më nevojitet të mësoj dhe të bëj vetë për t’i drejtpeshuar emocionet e mia”.
-
Vlerësojeni drejtpeshimin në jetën tuaj. Kontrollojeni kohën dhe energjinë që harxhoni me familjen, veten, shërbimin, punën dhe kohën e lirë. Kur një fushë u vjedh kohën dhe energjinë të tjerave, ju filloni të humbisni gjumin, energjinë dhe përqendrimin. Kjo do të thotë se është koha për të shtypur butonin për rivlerësim dhe për të rivendosur drejtpeshimin.
-
Mos i zvarritni gjërat. Shtyrja e gjërave për më vonë mund të çojë në depresion. Ndajini punët e mëdha në pjesë më të vogla. Filloni nga puna duke i kujtuar vetes: “Gjithçka që kam për të bërë tani është ______” ose: “Do ta bëj këtë për pak minuta dhe më pas do të bëj pushim nëse dëshiroj”.
-
Përfytyrojeni suksesin. Shqetësimi mund të jetë një mënyrë për ta ushtruar mendërisht dështimin. Në vend që të bëni prova për atë që mund të shkojë keq ose të mendoni vazhdimisht për “po sikur [të ndodhë më e keqja]”, ushtroni rezultate pozitive mendërisht dhe bëni plane për t’i arritur ato. Nëse gjërat nuk shkojnë siç shpresoni, përfytyrojeni veten duke mësuar nga pengesa dhe duke shkuar përpara.
-
Përqendrohuni te gjërat që bëni drejt dhe shmangeni krahasimin e vetvetes me të tjerët. Njerëzit me pritshmëri jashtë mase të larta për veten priren të përqendrohen më shumë seç duhet te dobësitë dhe dështimet e tyre. Atëherë, në vend që të përmirësohen, ata mund të ndihen të pashpresë. Bëni një listë me vlerat, talentet, përvojat dhe dhuntitë tuaja. Planifikoni se si mund t’i përdorni ato pika të forta në mënyra krijuese këtë javë.
-
Hiqni dorë nga ajo që nuk e kontrolloni dot. E shkuara, liria e zgjedhjes e të tjerëve, moti, kufizimet tuaja ose personaliteti i njerëzve të tjerë është jashtë kontrollit tuaj. Përqendrohuni te gjërat për të cilat mund të bëni diçka, të tilla si sjellja juaj, pjesa juaj në një marrëdhënie, zgjedhjet tuaja të tanishme dhe qëndrimi juaj ndaj jetës.
-
Pranojeni realitetin e ndonjë rutine të mërzitshme. Jo gjithçka në jetë është thellësisht kuptimplote dhe emocionuese. Shmangeni krijimin e skenave, ekzagjerimin ose konfliktin për t’i bërë ballë mërzitjes. Më mirë, vlerësojeni dhe gëzojuni së mirës rreth jush dhe kërkoni mënyra për t’u përmirësuar dhe për të shërbyer.
-
Mos e ushqeni zemërimin tuaj. Ka më tepër gjasë që njerëzit të ndihen të zemëruar kur zgjedhin t’i shohin të tjerët si 1) kërcënues 2) të padrejtë ose 3) të pasjellshëm. Më mirë, shihni nëse mund të mendoni një shpjegim më zemërgjerë për sjelljen e tyre. Për shembull, ndoshta janë të lodhur, të painformuar, të pasigurt ose mendojnë që po tregohen të dobishëm. Bëjeni zgjedhjen për të mos e ndezur më tepër zemërimin.
-
Bëjini qëndresë prirjes për t’i fajësuar apo turpëruar të tjerët ose veten. Më mirë, zbulojeni ku qëndron problemi dhe kërkojini ndihmë personit tjetër për ta ndrequr, pavarësisht se i kujt është faji.
-
Dëgjojeni Shpirtin, jo negativitetin. Nëse keni mendime që janë nënvleftësuese, tallëse, të zemëruara, sarkastike, mërmëritëse, kritikuese ose fyese, ato nuk janë nga Zoti. Ndërpritini ato. Këndoni një himn, thoni një shkrim të shenjtë ose bëni një lutje për ta ftuar Shpirtin të kthehet.