Nuk Mund ta Marrësh Pendimin me Ngut
Që të bëhesha më e mirë, më nevojitej ta ndryshoja strategjinë time të pendimit.
“Amen.”
E mbaj kokën të ulur teksa e shpërndajnë sakramentin. Them një lutje, duke i renditur Atit Qiellor gjërat që i kam bërë gabim javën e kaluar, mënyrat se si mund të kisha qenë më e mirë. Premtoj të ndryshoj. Mendoj për Shpëtimtarin. Marr sakramentin. Pastaj bëj pikërisht të njëjtën gjë javën tjetër, duke përsëritur pothuaj të njëjtat gjëra.
Për një kohë të gjatë, kjo është ajo që mendoja se ishte sakramenti: mendimi për Shpëtimtarin, pendimi dhe premtimi se kjo javë do të ishte ndryshe.
Isha disi e vetëdijshme se ky proces nuk po më ndihmonte të përparoja. Çdo javë nuk ishte në të vërtetë aq e ndryshme nga e mëparshmja. Lutjet e mia vetjake ende ishin përsëritje [e fjalëve] dhe jo [lutje] të shpeshta. Ende kisha mendime negative ndaj njerëzve që flisnin me zë të lartë në trenin e mëngjesit. Ende shihja shumë televizor në kohën time të çlodhjes pas pune. Këto sjellje dukeshin të ngulitura dhe, ndonëse ndihesha keq për to, nuk isha e sigurt se çfarë të bëja tjetër që t’i hiqja qafe. Dukej qartë që diçka mungonte. Thjesht nuk e dija se çfarë.
Përgjigjja
Gjatë konferencës së përgjithshme, e gjeta ata pjesë që mungonte. Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dha mësim: “Një burim tjetër i lartësimit dhe rritjes shpirtërore është një praktikë e vazhdueshme e pendimit, edhe për shkelje në dukje të vogla. … Një pendim i tillë duhet të paraprijë marrjen e përjavshme të sakramentit nga ana jonë.”1
Befas, u bë e qartë pse kisha telashe: Po pendohesha vetëm të dielave. Duke reflektuar për mëkatet e mia vetëm gjatë disa minutave të sakramentit, po i lejoja vetes një ndjenjë vetëkënaqjeje gjatë pjesës tjetër të javës, duke e penguar përfundimisht mundësinë e ndryshimit.
Mësimi i Presidentit Ouks më ndihmoi të dalloja tri mënyra se si mund ta përfshija këtë pjesë që më mungonte, në procesin tim të pendimit.
Çfarë Llogaritet si Mëkat
Shlyerja e Jezu Krishtit është për çdo gjë, edhe për zakone të këqija ose shpërqendrime kalimtare – në thelb gjithçka që mund të na pengojë nga bërja më shumë si Ai. Shpëtimtari e kupton që edhe gjërat më të vogla, përfundimisht mund të na largojnë nga shtegu i Tij, kështu që Ai dëshiron të na ndihmojë t’i kapërcejmë edhe ato gjëra. Që ta lejojmë Atë ta bëjë atë gjë, unë vendosa të filloja të mendoja për ato gjëra në një mënyrë të ndryshme – si gjëra që po më pengonin t’i shkoja më pranë Shpëtimtarit.
Bërja e kësaj më ndihmoi t’i shihja më qartë të metat e mia dhe më ka ndihmuar t’i marr ato më seriozisht. Ndiej një ngutje më të madhe që t’i heq qafe ato, e shoqëruar nga një optimizëm i ri që vjen nga dija se Krishti mund të më ndihmojë për këtë. Ka kuptim që, nëse dëshiroj t’i shkund ato zakone, nuk mjafton të lutem për to një herë në javë. Më nevojitet të këshillohem përditë me Zotin.
Ta Ftojmë Ndihmën prej Shpëtimtarit
Pendimi i përditshëm na lejon ta analizojmë me realizëm përparimin tonë, teksa i raportojmë Atit Qiellor. Jemi në gjendje më mirë ta shohim ku gjenden dobësitë tona dhe t’i kërkojmë Atij ndihmë të veçantë teksa kërkojmë falje. Duke u përballur çdo ditë me ato gjëra të vogla që më mbajnë larg Shpëtimtarit, lutjet e mia janë shndërruar dhe po kështu veprimet e mia. Në vend që të ngulem në rutinën time teksa kalon java, unë ndiej vazhdimisht një dëshirë për t’u përmirësuar. E ndiej Shpirtin që ndikon te vendimet e mia. Kam më shumë vullnet që të “zgjedh … të drejtën më të vështirë”2, të cilën e di se vjen nëpërmjet fuqisë aftësuese të Shlyerjes së Krishtit.
Edhe pse kisha qëllime të mira, kur u përpoqa të merresha vetë me mëkatet e mia, mbështetja te Perëndia gjatë gjithë javës ishte ajo që e solli gjithë ndryshimin. Kur e bëj këtë, e ndiej Atë pranë meje teksa përpiqem të ndryshoj; nuk e ndiej më sikur Ai thjesht po pret në fund të një tuneli vërtet të gjatë.
Një Vështrim i Ri për Sakramentin
Ashtu siç e shpjegoi Presidenti Ouks, sakramenti nuk e përmbyll pendimin – është një hap i përjavshëm në një cikël periodik. Është koha që ne t’i bëjmë një vlerësim javës sonë, të shprehim mirënjohje për Shpëtimtarin dhe të rizotohemi që të veprojmë më mirë. Teksa pendohem përditë, sakramenti merr një kuptim të ri për mua. Nuk më duhet më që ta ngjesh gjithë procesin e pendimit në 10 minuta. Në vend të kësaj, unë mendoj faktikisht për flijimin e Krishtit dhe mrekullohem nga dashuria dhe mëshira e Tij e pafundme. Teksa i marr bukën dhe ujin, vërtet ndihem e pastruar dhe gati të përmirësohem pak më shumë javën e ardhshme.
Pendimi gjatë javës na jep një mundësi ta vlerësojmë sakramentin si një mrekulli, ashtu siç është. Kuptueshmëria se pendimi është një proces i përditshëm, më ka fuqizuar që të përballem me të metat e mia me guxim dhe optimizëm. Nuk ndihem sikur jam vetëm me problemet e mia. Në vend që të ndihem e rënduar dhe e shkurajuar në ato çaste, mund ta rrok sërish shpresën dhe gëzimin që përjetova në pagëzim.