2020
Kthimi Sërish në Shteg pas Shtatzënisë Sime të Paplanifikuar
Janar 2020


Kthimi Sërish në Shteg pas Shtatzënisë Sime të Paplanifikuar

Isha vetëm dhe shtatzënë. Por e kuptova se dëshiroja një jetë të ndryshme [nga kjo]. Dëshiroja të jetoja për Krishtin dhe dëshiroja të isha e denjë për bekimet e tempullit.

Vendosa të qëndroja pranë shtëpisë për [të ndjekur] kolegjin. Isha e emocionuar që ta luaja në kategori më të lartë sportin që e doja shumë, duke e ditur se familja ime do të ishte te shkallët e stadiumit duke më vështruar e duke më përkrahur. Vija nga një familje e shkëlqyer dhe prindërit e mi na mësuan vlerat dhe standardet e ungjillit të Jezu Krishtit.

Por si një studente dhe atlete 20‑vjeçare që po luaja futboll dhe po bëja “jetë kolegji”, unë i braktisa ato parime që më kishin mësuar. Shkoja në orët mësimore dhe luaja futboll gjatë javës dhe pastaj shkoja në festa gjatë fundjavës, duke besuar se e kisha gjetur lumturinë e vërtetë. Sa gabim e kisha! Por kjo është ajo që bën Satani – ai i bën kaq emocionuese gjërat e gabuara sa pas njëfarë kohe, ato duken të pranueshme.

Jeta më doli tërësisht jashtë kontrollit në vitin e tretë të kolegjit. Po bëja zgjedhje të gabuara dhe zbulova se isha shtatzënë. I gjithë këndvështrimi im për jetën ndryshoi. Nuk ishte më fjala thjesht për mua, por edhe për foshnjën që po mbartja. Fjalët tek Alma 36:17–21 më folën drejt e në shpirt sepse ndjeva kaq shumë trishtim sipas Perëndisë dhe faj për zgjedhjet e mia, të ngjashme me ato që ndjeu Alma.

Rruga përmes pendimit mund të jetë e vështirë dhe e lodhshme. E pata të vështirë ta pranoja se nuk kisha të drejtë dhe kisha bërë një gabim. Përballja me njerëzit që doja duke u thënë se isha shtatzënë, ishte një nga çastet më frikësuese të jetës sime. U takova gjithashtu me peshkopin tim dhe m’u desh të përballesha me një këshill disiplinor, që pati si përfundim që nuk mund ta merrja sakramentin për mjaft kohë. Thjesht doja të ikja me vrap dhe të bëja sikur kjo nuk ishte jeta e vërtetë. Por ja që ishte. Ky ishte realiteti im i ri. Kisha një rrugë të vështirë përpara, pavarësisht të gjithave.

Familjarët e mi u zhgënjyen nga zgjedhjet e mia, por ata gjithashtu më deshën dhe dëshiruan më të mirën për mua, pikërisht ashtu si Ati ynë Qiellor. Shumë herë e pyeta veten se si mund të më falte Ai pasi kisha dështuar kaq shumë herë. Përgjigjja që mora çdo herë, ishte: Sepse Ai më do dhe dëshiron që të kthehem tek Ai. E dija që i kisha zhgënjyer prindërit e mi tokësorë, por mendimi se sa shumë e kisha zhgënjyer Atin tim në Qiell, më pikonte në zemër.

Megjithatë, ndihesha kaq e vetmuar dhe e humbur në ato muaj të parë të shtatzënisë sime, e pasigurt se si të vazhdoja më tej. Teksa fillova t’i lutem më sinqerisht Atit Qiellor për udhërrëfim dhe ndihmë, mësova se kurrë nuk isha vërtet e vetmuar. Ai ishte gjithmonë atje, thjesht duke pritur që unë ta kërkoja. Pata një ndryshim të skajshëm të zemrës. Dëshiroja të bëja një jetë të ndryshme. Dëshiroja të jetoja për Krishtin. Dëshiroja të isha e denjë për ta marrë sërish sakramentin. Dëshiroja të isha e denjë për t’u martuar në tempull një ditë, diçka që mendova se ishte kaq e pamundur për shkak të gabimeve të mia.

Pikërisht atëherë e mësova fuqinë e vërtetë të Jezu Krishtit si Shpëtimtari im. Pashë kaq shumë mëshira të dhembshura nga Zoti gjatë atyre nëntë muajve të shkurtër. Fitova më shumë besim sesa kurrë më parë në jetën time. Ishte ai besim te Jezu Krishti që më lejoi të zgjidhja birësimin për foshnjën time të ëmbël. Dhembja nga dhënia për birësim e bijës sime, ishte e pamasë. Por gëzimi që ndjeva që ndihmova një tjetër bijë të Perëndisë të shkonte te familja e saj e përjetshme, ishte edhe më i madh. Unë ndryshova për mirë nga ajo përvojë, ashtu si mund të bëjmë të gjithë kur na vjen keq dhe pendohemi vërtet – duke e lejuar Zotin të na shërojë sërish.

Për çdo ditë që nga ajo kohë, unë jam bekuar.

A e dini, edhe mua më birësuan kur isha foshnjë dhe gjashtë muaj pasi e dhashë bijën time për birësim, e gjeta dhe u takova me vetë nënën time biologjike. Kjo nuk ishte asgjë më pak përveçse një mrekulli. Pak kohë pas kësaj, takova bashkëshortin tim të ardhshëm me të cilin përfundimisht u martova në tempull. Tani jam nëna e katër fëmijëve të tjerë të bukur.

Mbetja shtatzënë pa e planifikuar dhe dhënia e të parëlindurës sime për birësim, e ndryshoi jetën time përgjithmonë. Kam mësuar kaq shumë për veten time dhe për dashurinë që Perëndia dhe Jezu Krishti kanë për mua dhe për secilin prej nesh. Përmes dëshpërimit, dhembjes, lotëve, lutjeve të pashprehura dhe lutjeve që kanë marrë përgjigje, unë gjeta shpresë, dashuri, falje, mëshirë dhe hir. Mësova se birësimi bëhet prej dashurisë. Mësova ta vlerësoj marrjen e sakramentit. Mësova se nuk isha plotësisht e humbur – thjesht më nevojitej të kthehesha në shtegun nga i cili isha larguar. Teksa u pendova sinqerisht për mëkatet e mia dhe mësova të mbështetesha te Krishti e të kisha besim tek Ai, Ai më ktheu në grigjën e Tij dhe e bekoi jetën time pa masë. Shlyerja e Jezu Krishtit është e vërtetë dhe hiri i Tij është i mjaftueshëm për të gjithë ne (shih Ethëri 12:27).