E Udhërrëfyer nga Shpirti, madje përpara se ta Dija këtë
Isha udhëhequr kaq shumë herë nga Shpirti përpara se ta mësoja se çfarë ishte vërtet zbulesa.
Kur isha 17 vjeçe, po shkoja në një kishë protestante që e kisha gjetur dy vjet më parë. Ishte vendi i parë ku mësova zyrtarisht për Perëndinë dhe Jezu Krishtin. Përafërsisht në atë kohë, po udhëtoja me autobus një ditë, kur një burrë u ul pranë meje. Ai më tha që sapo kishte dalë nga burgu dhe bisedoi rreth faktit se ndiente sikur nuk do të mund të hynte kurrë më në asnjë kishë. Në atë çast e dija se Perëndia më kishte dërguar atje ta takoja atë burrë dhe e nxita, duke i thënë se ai duhej ta gjente një kishë.
Teksa flisnim, i thashë se po studioja që të shkoja në shkollë për psikologji. Por pastaj thashë befas se mund të studioja gazetari. Ai tha: “Dukesh vërtet si gazetare – duhet ta bësh atë!” M’u duk e çuditshme sepse kurrë nuk kisha menduar më parë që të bëhesha gazetare. Mendimi dukej sikur doli nga hiçi.
Dy muaj më vonë, po afrohej testimi që do të më lejonte të shkoja në universitet për të studiuar psikologji. Një natë, e kuptova se nuk isha më e sigurt për vendimin tim. U trondita sepse nuk isha e interesuar për të ndjekur ndonjë gjë tjetër. Pastaj m’u kujtua biseda me atë burrë në autobus. Nuk dija asgjë për shkollat e gazetarisë, por gjeta faqen e internetit për një të tillë në shtetin tim. Rastësisht, ajo ditë ishte dita e fundit për regjistrimin. Pa e menduar dy herë, përfitova nga rasti. Që t’i bie shkurt: Sapo mbarova shkollën për gazetari.
Zbulimi i së Vërtetës
Nuk e kuptova në atë kohë, por e di tani se Perëndia po më udhëhiqte nëpërmjet zbulesës vetjake për të vendosur se çfarë të studioja. Ndihem sikur gjithmonë kam qenë bekuar me vetëdijen për atë që Perëndia dëshiron për mua – ato lloj mundësish dhe situatash që vendos Ai në jetën time, më tregojnë shtegun që Ai dëshiron që unë ta ndjek.
Katër vjet më vonë, gjeta Kishën dhe u pagëzova, gjithashtu nëpërmjet udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë. Dhe përfundimisht mësova se çfarë është zbulesa vetjake nga leximi i librit Doktrina e Besëlidhje. Një ditë përpara pagëzimit tim, po lexoja Librin e Mormonit sepse misionarët ma kishin kërkuar ta bëja. Befas, vendosa të lexoj më tej për njëfarë arsyeje, te 2 Nefi 31, ku Nefi përshkruan pagëzimin e Jezu Krishtit. Edhe pse ende nuk isha lutur për Librin e Mormonit, u ndjeva sikur Ati Qiellor po përpiqej të më tregonte për pagëzimin. Ma tërhoqi vëmendjen edhe kapitulli tjetër, ku lexova se Fryma e Shenjtë mund të na tregojë të gjitha gjërat që na nevojitet të bëjmë (shih 2 Nefi 32). Ato fjalë kishin shumë kuptim për jetën time.
Në fakt, një gjë që e kam kuptuar gjithmonë është që, nëse e gjej veten në errësirë, Perëndia pret nga unë që të nxjerr mësim prej saj. Kur mësova rreth Jozef Smithit, pashë ngjashmëri mes nesh. Mësova t’i drejtohem Perëndisë për përgjigje. Gjatë fëmijërisë sime, edhe pa shkuar në kishë, gjithmonë lutesha, gjë që më frymëzoi të pendohem, të jem e duruar dhe të përpiqem të jem e sjellshme dhe e dashur kundrejt cilitdo.
Në njëfarë mënyre, e dija gjithmonë që Perëndia po më dëgjonte. Kur më në fund shkova në kishë në moshën 15‑vjeçare dhe mësova për Biblën, hodha vështrimin pas te kaq shumë përvoja dhe e dija se njohuria që mora nga lutjet, erdhi nga Perëndia.
Të Kuptuarit e Zbulesës
Te 2 Nefi 32:5, Nefi jep mësim: “Në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni”. Kjo ishte diçka që mendoja se e kuptoja derisa, pas pagëzimit tim, misionarët më pyetën a e dija se çfarë ishte zbulesa. Nuk ia dija emrin, por thashë se mendoja që ishte një ndjenjë që e kisha ndier shumë herë, sikur Perëndia po më fliste në mendje, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe mendimeve të mia. Ata thanë se kisha të drejtë.
Me njohurinë për zbulesën dhe me dhuratën e Frymës së Shenjtë, më erdhi sërish dëshira për ta lexuar Biblën. Fillova të gjej atje shumë gjëra kuptimplota – e kuptova që kjo ndodhi sepse po më udhërrëfente Shpirti. Më pëlqente shumë të lexoja letrat e Palit dhe ta shihja shembullin e tij që merrte mësim nga Shpirti në veprimet e tij, si dhe mirëbesimin e tij të fuqishëm te Shpëtimtari. Këto ishin gjërat që kuptova duke përjetuar Kishën e rivendosur.
Kështu që, si përfundim, nuk ka rëndësi mosha jote, ku jeton, apo madje sa shumë njohuri ke për gjërat e Perëndisë. Gjithçka duhet të bësh, është ta ndjekësh himnin: “Do shkoj ku Ti do që të shkoj, o Zot, …; Do jem çfar’ Ti do që të jem” (Himne, nr. 173). Jetoni dhe shpërndajini gjërat e bukura që Shpirti vë në zemrën tuaj, sepse Shpirti do t’ju tregojë shtegun për t’i bekuar të tjerët dhe për të marrë ju vetë bekime në këtë jetë.