Transmetimet e Trajnimeve
Besimi si një Parim Veprimi dhe Fuqie


20:21

Besimi si një Parim Veprimi dhe Fuqie

Transmetimi i Trajnimit të Përvitshëm për Seminaret dhe Institutet e Fesë • 13 qershor, 2017

Pres gjithnjë me padurim të jem me ju në këtë grumbullim të rëndësishëm. Duke u përgatitur për këtë mbledhje, i jam lutur Zotit për të ditur atë që Ai do të donte të bënim për fëmijët e Tij të cilët ulen në klasat dhe shtëpitë tona. Në çaste të qeta e kam ndier miratimin e Tij për përpjekjet tuaja të palodhura dhe për sakrificat e panumërta. Kam ndier edhe një ndjesi se Ai kënaqet shumë kur ju bekon ju dhe familjet tuaja. Dhe kam ndier një pjesë të dëshirës së Tij për t’i bekuar studentët tuaj me dashuri dhe dëshmi për Birin e Tij të Dashur.

Kjo nuk mund të përmbushet vetëm me programe kompjuterike, programe mësimore, trajnime ose teknologji më të shumta e më të mira sepse asnjë prej këtyre gjërave nuk do ta zëvendësojë kurrë ndikimin mrekullibërës të qiellit në jetën e studentëve tanë. Ajo që shpresojmë do të vijë vetëm si dhuratë nga Ati ynë i Dashur në Qiell dhe do të duhet fuqia  e Tij për të kryer mrekulli në jetën e secilit.

Ajo që do të duhet prej nesh është të ushtrojmë besim më të madh pasi besimi i paraprin çdo mrekullie. Plaku Dallin H.  Ouks tha: “‘Besimi pa vepra është i vdekur.’ Por, [më pas ai shtoi]: ‘Veprat pa besim janë akoma më të vdekura’”.1 Me fjalë të tjera, e gjithë puna jonë e zellshme nuk do të prodhojë rezultatin e dëshiruar nëse kryhet pa besim. Kjo ndodh sepse besimi është edhe një parim veprimi, edhe një parim fuqie. Rritja e besimit tonë kolektiv do të ishte një shenjë drejtuar Zotit që ne mbështetemi tek Ai dhe i mirëbesojmë fuqisë së Tij për ta frymëzuar, kthyer në besim, forcuar, përgatitur dhe mbrojtur brezin e ri. Rritja e besimit te Shpëtimtari do ta forconte mësimdhënien tonë, ftesat tona për rininë dhe për të rinjtë në moshë madhore që të frekuentojnë seminarin ose institutin apo që të lexojnë shkrimet e shenjta madje edhe marrëdhëniet tona me prindërit dhe udhëheqësit e priftërisë. Ndaj, në javët dhe muajt vijues, a do të më bashkoheni për t’i kërkuar Atit tonë në Qiell që të na e rritë besimin? Unë besoj se Ai rri gati për të na ndihmuar nëse ne vetëm do t’ia kërkojmë.

Ushtrimi i Besimit si një Parim Veprimi

Josef Smithi dha mësim se ushtrimi i besimit në Perëndi kërkon prej nesh që të kemi “një ide të saktë për karakterin, përsosurinë dhe tiparet e Tyre dhe një njohuri se drejtimi i jetës që po ndjek[im], është sipas vullnetit të Tij”2 Të dyja këto domosdoshmëri kërkojnë prej nesh që ta ushtrojmë besimin si një parim veprimi.3

Në konferencën e përgjithshme më të fundit, Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi dy mënyra me anë të të cilave ne mund t’i qasemi të parës prej këtyre dy kërkesave.

Sa më shumë të dimë rreth shërbesës dhe misionit të Shpëtimtarit – aq më shumë e kuptojmë doktrinën e Tij dhe atë që Ai bëri për ne – aq më shumë e dimë se Ai mund të na japë fuqinë që na nevojitet në jetën tonë.

Në fillim të këtij viti, unë u kërkova të rinjve në moshë madhore të Kishës që çdo javë t’ia përkushtonin një pjesë të kohës së tyre studimit të çdo gjëje që tha dhe bëri Jezusi siç shënohet te veprat standarde. I ftova ata që t’i bënin citimet nga shkrimet e shenjta rreth Jezu Krishtit në Udhëzuesin Tematik planin e tyre mësimor bazë vetjak.

E dhashë atë sfidë ngaqë tashmë e kisha pranuar atë vetë. Lexova dhe nënvizova çdo varg të cituar rreth Jezu Krishtit, siç janë renditur nën titullin kryesor dhe 57 nëntituj në Udhëzuesin Tematik. Kur e përfundova atë ushtrim emocionues, bashkëshortja më pyeti se çfarë ndikimi kishte pasur tek unë. I thashë asaj: ‘Jam bërë tjetër njeri!’”4

Doja t’jua kujtoja këtë ftesë sepse i kam parë vetë përfitimet e këtij studimi të përqendruar dhe e dimë që sa më shumë të arrijmë ta kuptojmë dhe ta duam Shpëtimtarin, aq më shumë do të rritet besimi ynë tek Ai.

Siç e përmenda më herët, Profeti Jozef, një element tjetër domethënës i besimit është të mësojmë ta vëmë jetën tonë në të njëjtën vijë me vullnetin e Zotit. Për ta ilustruar këtë, më lejoni t’ju tregoj një shembull tek i cili do ta gjejnë veten nënat që janë këtu:

Seleste Dejvis është një nënë e re me tre fëmijë, foshnja e së cilës zgjohej shpesh, çdo natë. Ajo filloi të lutej që ajo dhe foshnja të mund të bënin gjumin që u nevojitej. Por dukej sikur lutjet e saj mbeteshin pa përgjigje. Kjo bëri që ajo të dëshironte ta kuptonte më mirë lutjen dhe arsyen përse nuk po bekohej me ndihmë. Ajo mësoi nga Bible Dictionary [Fjalori Biblik] që “ne lutemi në emrin e Krishtit kur mendja jonë është mendja e Krishtit dhe dëshirat tona janë dëshirat e Krishtit. … Ne më pas kërkojmë gjëra që Perëndia mund të na i japë. Shumë lutje mbeten pa përgjigje, sepse ato nuk janë aspak në emrin e Krishtit; ato, në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë mendjen e Tij, por burojnë nga zemra egoiste e një njeriu.”5

Kështu Selestja vendosi të bënte një listë me gjërat për të cilat ishte lutur. Duke e bërë këtë listë, e kuptoi se lutjet e saj përbëheshin kryesisht nga kërkesat ndaj Atit Qiellor për atë që dëshironte ajo, e cila ishte që Ai t’ia ndryshonte rrethanat. Pastaj vendosi të bënte një listë tjetër, duke hedhur në letër ato gjëra për të cilat ishte e sigurt se Ati Qiellor i dëshironte për të. Sigurisht që dy listat nuk ishin tërësisht të papërputhshme – Ai na do dhe dëshiron që të jemi të lumtur. Por ky ushtrim i vogël na mëson një të vërtetë të rëndësishme. Ndërkohë që ajo dëshironte t’i ndryshonte rrethanat e saj, Ai dëshironte të ndryshonteatë. Ndaj, ajo vendosi ta ndreqte qasjen e saj ndaj lutjes në mënyrë që ta përputhte më shumë vullnetin e saj me të Atit Qiellor. Ajo shkroi:

“Sajova një formulë të vogël që të më ndihmonte në lutjet e mia. Është thjesht kjo – sa herë që të kërkoni diçka që dëshironi dhe nuk jeni krejtësisht të sigurt që është diçka që Perëndia dëshiron për ju, vini frazën ‘por nëse jo’ dhe më pas shtoni diçka që jeni të sigurt se Perëndia do ta dëshironte për ju.

Për shembull: ‘[Atë Qiellor], të lutem më ndihmo të fle pak sonte, por nëse jo, më ndihmo të kem energji të mjaftueshme për të qenë pozitive dhe të përpiqem fort sidoqoftë.’ ‘[Atë Qiellor], të lutem më beko që fëmija im ta kalojë këtë sëmundje dhe të ndihet më mirë, por nëse jo, na ndihmo të Të mirëbesojmë dhe të jemi të duruar me njëri-tjetrin.’ ‘[Atë Qiellor], të lutem më beko që të jem e përfshirë në grupin e miqve të mi, por nëse jo, edhe nëse ndihem e përjashtuar, më ndihmo të jem e sjellshme dhe bujare.’” 

Ajo vazhdoi:

“E kam provuar këtë për pothuajse një vit tashmë dhe mund të them se shkalla e suksesit të lutjeve të mia ka kapur majën. …

Ndihem sikur më në fund po e përmbush qëllimin e vërtetë të lutjes, i cili është të mos bëj ujdi për dëshirat e mia, por ta vë veten në të njëjtën vijë me Perëndinë . …

Një përfitim i papritur ka qenë që unë nuk u druhem situatave të vështira ose faktit që mund të mos e marr atë që dua, aq shumë sa e kisha zakon sepse e kam parë dhe e kam ndier Perëndinë t’u përgjigjet lutjeve të mia – edhe dëshirave të mia, edhe ‘nëse jo-ve’ të mia.”6

Përvoja e Selestes jep një model që mund të na ndihmojë me lutjet dhe përpjekjet tona për ta ushtruar besimin si një parim veprimi. Të jemi të qartë: besimi nuk do t’ua marrë lirinë e zgjedhjes fëmijëve ose studentëve tanë dhe nuk do t’i heqë të gjitha sprovat dhe sfidat në jetën tonë. Por mund të na ndihmojmë të durojmë mirë e madje të mësojmë nga rrethanat e vështira. Ai do ta ndryshojë edhe mënyrën se si i shikojmë studentët tanë (dhe fëmijët tanë) dhe mënyrën se si lutemi për ta. Do t’i ndryshojë ndërveprimet tona në klasat dhe shtëpitë tona. Do të na ndihmojë të qëndrojmë në këmbë me shpresë, lumturi dhe optimizëm në një botë gjithnjë e më të errët. Do të krijojë mundësi për zbulesë vetjake dhe do t’i sjellë fuqi mësimdhënies tonë. Do t’i çoj dëshmitë tona në zemrat e atyre që duam.

Besimi i vërtetë e zhduk shfajësimin. Ai na çon drejt vetëshqyrtimit të ndershëm, gjë e cila na çon drejt pendimit të sinqertë dhe rritjes kuptimplote. Ai na shtyn ta shmangim kurthin e pritjes që zgjidhjet të gjenden vetëm nëse ndryshojnë të tjerët, i tillë si kur themi gjëra si: “Po të kisha më tepër përkrahje nga prindërit ose udhëheqësit e Kishës, atëherë gjërat do të ishin më mirë”. Ajo qasje nuk mbështetet te Shpëtimtari dhe, prandaj, nuk do të ketë qasje te fuqia e Tij. Ajo nuk do të prodhojë mrekullinë që na nevojitet. Ne kemi dhe jemi mjaftueshëm për ta përmbushur punën e Zotit nëse kemi mjaftueshëm besim për t’i kërkuar Atij sinqerisht që të na ndryshojë e të na japë formë si mjete në duart e Tij.

Kjo është e vërtetë edhe kur ndihemi të papërshtatshëm ose të mbingarkuar. E mora këtë mësim kur isha i ri duke u përgatitur për mision. E kisha menduar gjithnjë se do të shërbeja, por në vitet kur isha më i vogël, mendimi për këtë më jepte shumë ankth. Nuk ndihesha fare i qetë kur flisja përpara njerëzve. Kam një teto që ende thotë se nuk m’i pa sytë deri në adoleshencë sepse ecja gjithandej kokulur, duke e fshehur fytyrën. Në nëntëvjeçare mora një 5 në lëndën e dramës, nota më e ulët kaluese e mundshme. Thjesht nuk mundesha ta detyroja veten të dilja përpara klasës, as për të lexuar një skenar të parapërgatitur që më dha mësuesi.

Pas mora thirrjen time të misionit për në Meksikë, m’u kërkua të flisja në një mbrëmje rreth vatrës me vëllanë tim më të madh. Unë fola rreth pesë minuta dhe ai foli për pjesën tjetër të kohës. Nuk mendoj se është teprim po të them se biseda ime ishte biseda më e dobët e dhënë ndonjëherë në këtë kishë apo në çfarëdo kishe. Kur mbaroi mbledhja rreth vatrës, shumë të rinj u rreshtuan për t’u përshëndetur me vëllanë tim. Një shpirtmirë doli pak nga rreshti dhe më tha: “Faleminderit. Ishte një bisedë e bukur.” Fjalë për fjalë, mendova: “Je shumë i sjellshëm, por sa po gënjen”. Shkova në shtëpi i shkurajuar, duke vrarë mendjen se si mund të shpresoja të shërbeja në mision. Ndihesha i papërshtatshëm për të dhënë mësim edhe në anglisht, e jo më në gjuhën spanjolle që nuk e kisha mësuar ende.

Pak ditë më vonë, ende me zemër të rënduar, i hapa shkrimet dhe lexova historinë e Enokut. Kur Enoku u udhëzua t’u bënte njerëzve thirrje për pendim, te vargu 31 thuhet: “ ai u përkul përtokë, përpara Zotit, dhe foli përpara Zotit, duke thënë: ‘Përse është që unë kam gjetur favor në sytë e tu dhe unë nuk jam veçse një djalosh dhe të gjithë më urrejnë; sepse unë jam i ngadaltë në të folur; si rrjedhim, a jam unë shërbëtori yt?’”7 Në përgjigje të dyshimit të Enokut te vetja dhe mungesës së dukshme të sigurisë për thirrjen e tij, Zoti dha këtë përgjigje të bukur e siguruese që gjendet te vargu 34: “Vër re, Shpirti im është mbi ty, si rrjedhim të gjitha fjalët e tua do t’i justifikoj; dhe malet do të marrin arratinë përpara teje dhe lumenjtë do ta ndryshojnë rrjedhën e tyre; dhe ti do të banosh në mua dhe unë në ty; prandaj ec me mua”.8

Në ankth, i pasigurt në vete dhe i papërgatitur siç duhet për atë që më priste, por duke u kapur pas atyre fjalëve si litari nga varej jeta ime, hipa në një aeroplan për herë të parë në jetë dhe fluturova drejt Meksikës për të shërbyer. Atje mësova se nëse jemi të gatshëm, mund të ecim vërtet me Zotin. Mësova se ajo që tha Presidenti Ezra Taft Benson është e vërtetë: “Burra e gra që ia dorëzojnë jetën e vet Perëndisë do të zbulojnë se Ai mund të bëjë të arrijnë më shumë në jetën e tyre sesa do të mundeshin ata.”9

Ushtrimi i Besimit si një Parim Fuqie

Nga historia e Enokut, mësova edhe diçka tjetër rreth besimit. Dëgjojeni përshkrimin se ç’u bë me këtë djalosh, i cili ishte i ngadaltë në të folur dhe i urryer nga njerëzit. Te Moisiu 7:13 , lexojmë: “Dhe kaq i madh ishte besimi i Enokut, sa ai udhëhoqi popullin e Perëndisë, dhe armiqtë e tyre erdhën në luftë kundër tyre; dhe ai foli fjalën e Zotit dhe toka u drodh dhe malet morën arratinë, madje sipas urdhërit të tij, dhe lumenjtë e ujit e ndërruan rrjedhën e tyre, dhe ulërima e luanëve u dëgjua prej vendit të shkretë, dhe të gjitha kombet patën shumë frikë, kaq e fuqishme ishte fjala oe Enokut dhe kaq e madhe ishte fuqia e gjuhës që Perëndia i kishte dhënë atij.”10 . Ky nuk tingëllon si një djalë që ishte i ngadaltë në të folur. Tingëllon si një burrë me besim i cili, duke ecur me Zotin, lëvizi male.

Nganjëherë ne e përdorim shprehjen “lëviz busullën” ose “lëviz gurët” për të përfaqësuar përmirësime të vogla e të nevojshme, por Zoti nuk na ka ftuar t’i lëvizim gurët. Ai na ka ftuar të lëvizim male. Ai tha: “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Zhvendosu nga këtu atje’, dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju”.11

Ky besim për të lëvizur male – qoftë nëse ato male janë të njëmendta ose figurative – është një nivel tjetër besimi. Sikurse e dha mësim Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim:

“[Ka] një nivel besim që përbëhet nga siguri shpirtërore dhe që prodhon vepra të mira, veçanërisht më së shumti bindje ndaj parimeve dhe urdhërimeve të ungjillit. Ky është një besim i vërtetë në Krisht. …

Megjithatë, ka një nivel besimi që jo vetëm e sundon sjelljen tonë, por edhe që na fuqizon ta ndryshojmë realitetin dhe të bëjmë të ndodhin gjëra që përndryshe nuk do të ndodhnin. Po flas për besimin jo vetëm si një parim veprimi por edhe si një parim fuqie.”12

Ky është lloji i besimi i përshkruar te Hebrenjve 11 që u përdor nga Enoku, Abrahami, Sara dhe Moisiu. Ky ishte besimi me anë të të cilit profetët “nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, … [dhe me anë të të cilit] gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes”.13

Ky është lloji i besimit të përshkruar tek Ethëri 12, që përmend Almën, Amulekun, Nefin, Lehin dhe Amonin.14 Është lloji i besimit të dëftuar nga “ vëllai i Jaredit [që] i tha malit Zerin, Lëviz—dhe ai lëvizi. Dhe po të mos kishte besim, ai nuk do të kishte lëvizur.”15 Dhe më së fundi, “pati shumë, besimi i të cilëve qe aq jashtëzakonisht i fortë, madje para se të vinte Krishti, të cilët nuk mund të mbaheshin përjashta velit” –dhe pastaj dëgjojeni këtë frazë –, “por panë me të vërtetë me sytë e tyre gjërat që ata kishin parë me  syrin e besimit”.16

Këto janë të gjitha ilustrime të paharrueshme për besimin si një parim fuqie. Por shembulli i fundit është veçanërisht magjepsës për mua. Së pari ata i panë këto gjëra me syrin e besimit përpara se t’i shikonin me sytë e tyre fizikë. Ka një shembull domethënës bashkëkohor për këtë nga Presidenti Brigam Jang. Kur po fliste për tokën mbi të cilën qëndron Tempulli i Solt-Lejkut, ai tha: “Nuk para flas shumë për zbulesat, ose vegimet, por më mjafton të them … isha këtu dhe e pashë tempullin në shpirt. … Nuk i hodha kurrë sytë në tokë, por vegimi i tij ishte aty.”17

Pasja e një largpamësie të asaj që mund të bëhemi, të saj që Zoti dëshiron, është një pjesë e nevojshme e ushtrimi të besimit si një parim fuqie.

A mund ta shikoni mrekullinë që na nevojitet me syrin tuaj të besimit? A mund ta shikoni veten tuaj duke dhënë mësim në orët tuaja mësimore me më shumë mirëbesim te Zoti, fjala e Tij dhe te studentët tuaj? A mund t’i shikoni studentët tuaj duke u larguar nga klasat më të mbështetur te mësimet dhe Shlyerja e Shpëtimtarit, më të qëndrueshëm ndaj mëkatit dhe më të përgatitur për të bërë gjithçka që Zoti po kërkon prej tyre? Dhe a mund të shikoni me syrin tuaj të besimit më shumë të rinj, si anëtarët ashtu dhe ata jo të besimit tonë, duke iu përgjigjur ftesave për të ardhur e për t’iu bashkuar kësaj mrekullie? Çfarë mund të bëjë Zoti nëse ne do ta ushtronim të gjithë besimin tonë kolektiv, edhe si një parim veprimi, edhe si një parim fuqie?

“Zoti Është me Ne; Mos Kini Frikë nga Ata”

Përpara se ta mbyll, do të doja të jepja një shembull të fundit. Në zyrën time kam një gdhendje në dru ulliri që portretizon një prej tregimeve të mia të parapëlqyera nga shkrimet e shenjta dhe është një kujtues i përhershëm për mua mbi nevojën për besim. Është një përshkrim i Kalebit dhe Jozueut, të cilët qenë caktuar nga Moisiu, së bashku me 10 burra të tjerë, që ta vëzhgonin tokën e Kanaanit e të sillnin një raport. 10 burrat e tjerë u kthyen duke thënë: “Populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut”.18

Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: “Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri”.

Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: “Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne”.19

Për shkak të mungesës së besimit të tyre, “paraqitën një informacion të keq për vendin …duke thënë: …‘pamë gjigantë … na dukej se ishim karkaleca’”.20

Por Jozueu dhe Kalebi u përgjigjën: “Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata”.21

Por populli, njësoj si 10 lajmëtarët besimpakë, nuk mund ta shikonin atë që Zoti ishte i gatshëm të bënte dhe nuk pranonin t’i ndiqnin Jozueun dhe Kalebin. Për shkak të kësaj mungese besimi, populli u end në shkretëtirë për 39 vite të tjera. Nga ai grup fillestar, vetëm Jozueu dhe Kalebi mbijetuan dhe u lejtuan të hyjnë në tokën e premtuar. Mund t’ju kujtohen fjalët e famshme të Kalebit ndërsa ai dhe Jozueu qëndronin përpara Malit Hebron, pikërisht vendi që kishin vëzhguar kaq shumë vjet më parë. Kalebi tha:

“Por sot jam akoma i fortë si ditën që Moisiu më nisi. …

“Prandaj ma jep këtë mal.”22

Për shkak të besimit të tij, ai dhe familja e tij e trashëguan për breza me radhë këtë mal në tokën e premtuar.

Ka sfida përpara. Mund të tundohemi të dyshojmë e të japim një raport me informacion të keq të mbushur me frikë e dyshim. Kjo mungesë mirëbesimi te Zoti nuk do të na çojë drejt tokës së premtuar. Si Kalebi dhe Jozueu, ne duhet ta lëmë mënjanë frikën tonë dhe të ushtrojmë besim për të marrë bekimet që na presin prej Tij. Duhet ta shohim çdo sfidë dhe sprovë në jetën tonë si një mundësi për ta thelluar besimin tonë në Jezu Krisht.

Çfarë mund të bëjë Zoti nëse ne si kolektiv e zëvendësojmë frikën dhe dyshimin me shpresën dhe besimin? Besoj se Ai nuk do të lëvizë vetëm gurët por edhe malet – në mënyrë që të ndodhin mrekulli në jetën e rinisë dhe të rinjve në moshë madhore të Kishës. Dhe teksa rritet besimi ynë, kështu do të rritet besimi i atyre të cilëve u japim mësim. E di se Ati ynë në Qiell do t’ju bekojë dhe do t’i bekojë studentët tanë teksa e ushtrojmë besimin tonë te Biri i Tij i dashur e i përkryer, Shpëtimtari, Shëlbuesi dhe Çliruesi i botës. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Dallin H. Dallin H. Oaks, “Challenges to the Mission of Brigham Young University” (onferenca e Udhëheqjes në UBJ më 21 prill 2017), f. 8.

  2. Lectures on Faith (1985), 38; Lectures on Faith u përgatitën nën drejtimin e Profetit Jozef Smith.

  3. Besimi është një dhuratë e Perëndisë e dhuruar si shpërblim për drejtësinë vetjake. Ai jepet gjithnjë kur drejtësia është e pranishme dhe sa më e lartë shkalla e bindjes ndaj ligjeve të Perëndisë, aq më i shumtë do të jetë dhurimi i besimit” (Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 264).

  4. Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f.  40.

  5. Bible Dictionary, “Prayer”.

  6. Celeste Davis, “How to Pray in a Way God Can Answer”, 12 prill 2016, blog.lds.org.

  7. Moisiu 6:31.

  8. Moisiu 6:34.

  9. Ezra Taft Benson, “Jesus Christ—Gifts and Expectations,” Ensign,  dhjetor 1988, f. 4.

  10. Moisiu 7:13; theksimi i shtuar.

  11. Mateu 17:20.

  12. D. Todd Christofferson, “Building Faith in Christ”, Ensign, shtator 2012, f. 55; shih edhe Moroni 7:33.

  13. Hebrenjve 11:33–35.

  14. Shih Ethëri 12:13–15.

  15. Ethëri 12:30.

  16. Ethëri 12:19.

  17. Brigham Young, “Minutes of the General Conference”, Deseret News, 30 prill 1853, f.  150.

  18. Numrat 13:28.

  19. Numrat 13:30–31.

  20. Numrat 13:32–33.

  21. Numrat 14:9.

  22. Jozueut 14:11–12.