Shihni Individin
Transmetimi i Trajnimit Vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë • 13 Qershor 2017
Jam mirënjohëse për mundësinë që kam të jem këtu sot dhe të shpreh dashurinë time për Shpëtimtarin, për ju dhe për rininë e të rinjtë në moshë madhore, të cilëve ne kemi privilegjin t’u shërbejmë.
Më kujtohet dëshmia e fuqishme që mora nga Fryma e Shenjtë herën e parë që lexova thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd K. Paker: “Unë besoj se, në masën që ju i kryeni [detyrat tuaja], sipas ftesës që keni marrë dhe përgjegjësisë suaj, shëmbëlltyra e Krishtit vërtet gdhendet në pamjet tuaja. Dhe në fakt, në atë klasë, në atë kohë dhe me atë mësimdhënie, dhe me atë frymëzim, ju jeni Ai dhe Ai është ju”.1 Mendimi se kam privilegjin ta përfaqësoj Shpëtimtarin në përgjegjësitë e mia, ka qenë një dëshirë nxitëse dhe një e vërtetë udhërrëfyese gjatë gjithë karrierës sime në Seminar e Institut.
Plaku Gong, në mbrëmjen më të fundit me një Autoritet të Përgjithshëm, na mësoi se një nga gjërat që e bëri Shpëtimtarin mësuesin e përsosur, ishte aftësia e Tij që t’u jepte mësim 5.000 njerëzve dhe individit në të njëjtën kohë. Ai tha: “Kjo është një mrekulli që kërkojmë ne si mësues – t’i japim mësim të gjithë klasës sonë dhe çdo personi në klasë. Kjo kërkon të kujdesesh për të 5.000 vetat dhe për secilin. Ajo fton trajtimin e shqetësimeve të përgjithshme dhe nevojave individuale.”2 A e keni pyetur ndonjëherë veten se si qe Shpëtimtari në gjendje ta bënte këtë?
Dëshiroj të tregoj një përvojë që e pata vitin e dytë të mësimdhënies sime, kur Zoti më mbikëqyri duke më ndihmuar të shoh se çfarë do të thoshte ta përfaqësoje Atë në klasë. Në një nga klasat e mia kisha një të ri rreth 15 vjeç. E kuptova brenda pak ditësh se nuk kisha durim për personalitetin e tij të “këndshëm” dhe ndjeva se ky do të ishte një semestër i gjatë duke u përpjekur të ushtroja një dhunti që nuk e zotëroja. U luta që të kisha aftësinë për ta dashur atë dhe të gjithë studentët e mi.
Gjatë javës së dytë të klasës, kur ky i ri u ngrit për të dhënë mendimin shpirtëror dhe tregoi pak më shumë informacion rreth jetës së tij, m’u dha dhuntia për ta parë atë ashtu si e sheh Zoti dhe ndjeva menjëherë një dashuri të shtuar për të. Ai tregoi se prindërit e tij po shkurorëzoheshin dhe nëna e tij jo vetëm që ishte larguar nga Kisha, por edhe po luftonte kundër saj. Në fytyrën e tij mund të shihja ankthin dhe pështjellimin që po ndiente ndërsa tregonte historinë e tij. Sinqerisht, nuk më kujtohet mendimi shpirtëror që ai tregoi, por më kujtohet ajo që Fryma e Shenjtë më mësoi. Në mendje më erdhi ky mendim: “Hiqi sandalet sepse jam gati të të jap aftësi për të hyrë në zemrën [e dikujt]. Po të mirëbesoj që të jesh një ndikim femëror besnik në jetën e këtij të riu dhe kam nevojë që ta duash atë ashtu siç e dua unë.” Që prej atij çasti ndryshova. Zemra ime ndryshoi. E pashë atë – me të vërtetë e pashë atë – si një bir të Perëndisë, me potencial hyjnor, me dhunti shpirtërore dhe që kishte shumë për t’i dhënë klasës sonë. Sjellja e tij nuk është se ndryshoi shumë atë semestër, por unë kisha ndryshuar. Dhe në atë ndryshim ne patëm disa përvoja të mrekullueshme së bashku. Unë do të jem përgjithmonë mirënjohëse për këtë të ri dhe për mundësinë që më dha Zoti të kisha një ndryshim të zemrës dhe largpamësisë.
Mahnitem vazhdimisht nga aftësia e Atit tonë në Qiell që jo vetëm t’i dijë, por gjithashtu t’i plotësojë nevojat e çdo individi. E di se Ai më sheh, më kupton dhe më njeh në mënyrë të përsosur. Dhe përveç kësaj, Ai më do në mënyrë të përsosur. E di gjithashtu se Ai më sheh si një individ me potencial hyjnor dhe Ai e di se me ndihmën e Tij, unë do të bëhem si Ai. E di se Ai ka të njëjtën bindje për secilin prej jush dhe çdo të ri e të re që e kalon pragun e derës [së klasës] sonë. Ai i sheh ata në mënyrë të përsosur dhe dëshiron që ta shpëtojë gjithsecilin prej tyre. Ai sheh përtej pamjes së jashtme dhe sjelljes së tyre dhe zgjedh të përqendrohet te cilësitë hyjnore dhe pikat e tyre të forta. Dhe si mësues, Ai pret që ne të bëjmë të njëjtën gjë.
Këtë vit ne po paraqesim një përparësi të re të titulluar “Shihni Individin”. Qendra e kësaj përparësie është që secili prej nesh të zhvillojë cilësinë si të Krishtit për të parë nevojat individuale, pikat e forta dhe potencialin hyjnor të çdo studenti. Shpresa jonë është që secili prej nesh do ta zhvillojë ose do ta thellojë aftësinë si të Krishtit, për të parë përtej etiketimeve dhe pamjes së jashtme, dhe do të mësojë ta shohë secilin student si një individ të pashoq me potencial hyjnor e do ta trajtojë atë ashtu siç duhet.
Çdo student hyn në klasat tona me rrethana, nevoja dhe sfida individuale që ndikojnë në përvojën e tyre të të mësuarit. Është e rëndësishme të kujtojmë që seminari ose instituti është vetëm një pjesë e jetës së çdo studenti – një pjesë jetike, por ende vetëm një pjesë. Stilet e të mësuarit, ndryshimet kulturore, paaftësitë, varësia dhe humbja [e një njeriu të dashur] dhe pikëllimi janë vetëm disa nga faktorët që mund të ndikojnë në përvojën e të mësuarit të një studenti. Rrethanat dhe etiketimet nuk i përkufizojnë studentët tanë, por na japin mundësinë që t’i shohim dhe t’i duam ata ashtu siç i sheh dhe i do Shpëtimtari. Tonat janë privilegji dhe përgjegjësia e shenjtë që të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar ata njerëz, barrët e të cilëve janë të rënda dhe që vijnë në klasë duke kërkuar me dëshpërim shpresën që siguron Shpëtimtari i të gjithë njerëzimit.
Duke përsiatur mbi këtë përgjegjësi të shenjtë për të parë individin, unë kam mësuar shumë nga mësimet e Apostullit Pal te 1 Korintasve 12. Do të doja të ndaja tri mësime që kam mësuar nga studimi i këtij kapitulli.
Mësimi 1: Pali e fillon mësimdhënien e tij rreth trupit të Krishtit dhe vlerës së secilës gjymtyrë duke dhënë mësim rreth dhuntive shpirtërore. Teksa studiova vargjet 1–11, nuk mund të mos ta pyesja veten nëse një prej çelësave për t’i parë individët ashtu siç i sheh Shpëtimtari, është që së pari të dallojmë se ata kanë dhunti dhe pika të forta që kanë nevojë të shikohen e të përdoren. Kur i shohim studentët në këtë mënyrë, ne do t’i dallojmë pikat e tyre të forta dhe do t’i përdorim ato, në vend që të përqendrohemi tek të metat apo sjelljet e padëshiruara. Ka raste kur sjellja e një studenti/eje nuk e pasqyron saktësisht vlerën e tij apo të saj. Një aftësi e thjeshtë që një mësues mund ta zhvillojë, është që të presë përpara se të reagojë menjëherë ndaj një komenti apo sjelljeje të një studenti dhe më pas të marrë në shqyrtim dy ose tri arsye të mundshme “përse” një student mund të jetë duke reaguar apo vepruar në këtë mënyrë. Kjo do ta ndihmojë një mësues që ta shmangë sjelljen impulsive dhe t’i dallojë më mirë dhuntitë shpirtërore të një studenti.
Në përpjekje për ta kujtuar potencialin hyjnor të çdo studenti, ne duhet të pranojmë gjithashtu se rrethana ose paaftësi mund ta pengojnë dëshirën apo aftësinë e tyre për të mësuar. Kjo kërkon që ne të krijojmë me më shumë kujdes përvoja të të mësuarit që i ftojnë dhe i frymëzojnë individët ta ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes për t’i përdorur dhuntitë e tyre shpirtërore në procesin e të mësuarit. Ky proces nuk është i lehtë por, kur ne e kërkojmë ndihmën e Zotit, Ai do të na ndihmojë të dimë mënyrën se si mund të ndikojmë te fëmijët e Tij.
Vlerën e dallimit të dhuntive shpirtërore te studentët e mi e mësova nga një përvojë që pata nëpërmjet njërës prej studenteve të mia, e cila nuk ishte e entuziazmuar për të lexuar, brenda apo jashtë klasës. Ajo ishte shumë e talentuar për muzikë dhe, kur u luta rreth mënyrës se si ta ndihmoja atë, Zoti u përgjigj me diçka që nuk e kisha provuar kurrë më parë. I dhashë asaj një program të mësimeve dhe i kërkova që të gjente një këngë për çdo mësim që mund të këndohej në klasë, që do të ndihmonte për të shpjeguar njërën prej të vërtetave në atë bllok të shkrimit të shenjtë. Kjo kërkonte që ajo të lexonte jashtë orës së mësimit me qëllim që të përcaktonte të vërtetat, në mënyrë që të mund të gjente një këngë. Kjo gjithashtu i dha mundësinë asaj që të dëshmonte në klasë për atë që kishte mësuar nga përgatitja e saj. Brenda disa javësh, pashë që dashuria e kësaj studenteje për Shpëtimtarin u rrit dhe përfshirja e saj në klasë u përmirësua. Ajo aktualisht po shërben si misionare kohëplotë dhe jo vetëm që lexon, por po jep mësim mbi shkrimet e shenjta dhe po e ndan dhuntinë e saj të dëshmisë nëpërmjet muzikës.
Mësimi 2: Pali thekson se çdo gjymtyrë e trupit ka vlerë. Në vargjet 14–18, Ai na mëson:
“Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.
Sikur të thoshte këmba: ‘Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit’, mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
Dhe sikur veshi të thoshte: ‘Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit’, mos për këtë nuk është pjesë e trupit’?
Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?
Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.”
Më pëlqen shumë shëmbëlltyra e pjesëve të trupit që përmbushin role të ndryshme, por të nevojshme. Dora nuk mund ta zëvendësojë këmbën. Veshi nuk mund ta zëvendësojë syrin. Secila ka një rol unik e të rëndësishëm dhe secila jep ndihmesë ndryshe. Secila është thelbësore që trupi të jetë në gjendje të funksionojë me kapacitet të plotë.
Plaku Holland përdori një analogji të ndryshme për të dhënë mësim po këtë të vërtetë: “Është me anë të paracaktimit hyjnor që jo të gjithë zërat në korin e Perëndisë janë të njëjtë. Kërkohet larmi – soprano, mexosoprano, tenorë dhe baritonë – për ta bërë muzikën të pasur. … Kur ne e nënçmojmë veçantinë tonë ose përpiqemi të përputhemi me stereotipa të rremë … ne e humbasim pasurinë e tonit dhe të timbrit që Perëndia pati si qëllim kur Ai krijoi një botë me shumëllojshmëri.”3
Me qëllim që ta ndihmojmë në mënyrë të efektshme çdo student që të bëhet “i kthyer në besim ndërsa është me ne”,4 ne duhet të besojmë se çdo student ka vlerë dhe të veprojmë sipas kësaj. Në dritën e këtyre të vërtetave, unë e ftoj secilin prej jush që t’i bëjë vetes këto dy pyetje: Së pari, “A e besoj sinqerisht që secili prej studentëve të mi ka vlerë dhe se mund të bëhet një anëtar që jep ndihmesë?” Së dyti, “A e pasqyrojnë veprimet e mia atë bindje?”
Lutem që Zoti do të na ndihmojë të udhërrëfehemi më shumë nga kjo bindje.
Mësimi 3: Pali jep mësim se ne duhet të tregojmë të njëjtin kujdes për çdo anëtar. Ai thotë: “Që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën”5.
Ky ishte një varg i fuqishëm për mua për të reflektuar mbi veten: A i jap “të njëjtin kujdes” çdo studenti? A përqendrohem më shumë te studentët që duket se japin ndihmesë në mënyra të dukshme? A është më e lehtë për mua të dua ata që e ngrenë dorën e tyre dhe gjithmonë i kanë shkrimet e tyre të shenjta të hapura, gati për të ndarë dëshmi dhe komente kuptimplota? A është më e lehtë për mua t’u jap dashuri dhe vëmendje atyre që më duan, që e duan lëndën, që vijnë në orar dhe mungojnë vetëm për shkak të një sëmundjeje të rëndë? A e vënë re studentët e tjerë kur nuk i jap “të njëjtin kujdes” secilit student? Dhe si ndikon kjo në mjedisin e dashurisë, respektit e qëllimit në klasën time? Studentët kanë më shumë gjasa ta shohin dhe trajtojnë njëri-tjetrin ashtu siç bën Shpëtimtari kur secili prej nesh jep shembullin e kësaj për ta.
Teksa përpiqemi ta përfaqësojmë Shpëtimtarin në mësimdhënien tonë dhe ta zhvillojmë aftësinë për të parë ashtu siç sheh Ai, ne duhet të mbajmë mend: 1) të gjithë kanë dhunti shpirtërore për të dhënë ndihmesë, 2) çdo anëtar është me vlerë dhe 3) ne duhet të tregojmë “të njëjtin kujdes” për çdo anëtar.
Do të doja të tregoja një mësim tjetër që kam mësuar ndërsa përsiata mbi nevojën për këtë përparësi. Në kohën tonë, kundërshtari “sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë”.6 Si vjedhësi i madh i identitetit, ai vazhdimisht kërkon që t’u grabitë njerëzve identitetin hyjnor dhe lidhjen me qiellin. Ne duhet të zhvillojmë aftësinë që të shohim ashtu siç sheh Shpëtimtari, që të mund t’i ndihmojmë të tjerët ta kuptojnë potencialin e tyre hyjnor dhe të jenë të vërtetë ndaj Zotit në një botë pështjelluese që e quan “të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërro[n] terrin në dritë dhe dritën në terr”7.
Një prej heroinave të mia të mrekullueshme të shkrimit të shenjtë që e tregon këtë aftësi kaq bukur, është Abigaili. Ajo përshkruhet në Dhiatën e Vjetër si “një grua me gjykim të shëndoshë dhe e hijshme”.8 Ajo është e martuar me Nabalin, një njeri i “keq në veprimet e tij”.9 Pasi Nabali e fyen dhe refuzon ta ndihmojë Davidin, Davidi i mbledh njerëzit e tij me qëllim që ta vrasë Nabalin dhe shtëpinë e tij. Kur shërbëtorët e Nabalit i tregojnë Abigailit për rrezikun e afërt, ajo mbledh menjëherë ushqime dhe shkon për ta takuar Davidin.
Kur e takon Davidin, Abigaili përulet përpara tij dhe, si një simbol i Krishtit, merr përgjegjësi për një fyerje që nuk e kishte bërë ajo vetë dhe lutet që ai ta falë.10 Çfarë sheh Abigaili te Nabali që e nxit atë të jetë mbrojtësja e tij?
Çfarë sheh ajo te Davidi që e bën atë të thotë: “Por falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit, dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe te ti”?11
Përse zgjodhi ajo, në një çast kaq vendimtar, t’i kujtonte Davidit se kush ishte ai dhe premtimet që kishte bërë Zoti? Çfarë ndikimi pati veprimi i saj i besimit?
Më pëlqen shumë përgjigjja që i dha Davidi kur shpalli:
“Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje!
E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësinë me duart e mia!”12
Besoj se në atë çast, i cili më kujton premtimin e Presidentit Paker, Abigaili pati “shëmbëlltyrën e Krishtit … [të] gdhend[ur] në pamje[n e saj]. Dhe në thelb, në atë klasë, në atë kohë dhe me atë mësimdhënie, dhe me atë frymëzim, [ajo ishte Ai dhe Ai ishte ajo].”13
Dëshmoj se ne kemi një mundësi të ngjashme për t’i parë të tjerët ashtu siç i sheh Ai dhe t’i ndihmojmë të shohin potencialin e tyre hyjnor brenda vetes së tyre.
Fjalët nuk mund ta shprehin dashurinë dhe mirënjohjen që ndiej për ata që e kanë treguar këtë cilësi si të Krishtit në jetën time. E para dhe më kryesorja, nëna ime engjëllore më ka parë gjithmonë si dikush me potencial hyjnor e dhunti shpirtërore. Ajo më ka parë gjithmonë si ndihmuese – edhe kur nuk veproja si e tillë – dhe ka punuar pa u lodhur që të më ndihmojë ta zhvilloj atë potencial. Kam pasur udhëheqës priftërie që sollën shpresë në jetën time duke më përçuar dashurinë e Atit Qiellor për mua dhe duke më kujtuar vlerën time. Vetë mësuesit e mi të seminarit dhe institutit – shumë prej të cilëve po e shohin sot këtë – panë te mua diçka që nuk mund ta shihja te vetvetja. Karriera ime është pasuruar shumë nga burra e gra që më kanë nxitur dhe më kanë udhëhequr drejt Shpëtimtarit përmes shembujve të tyre duke e parë individin.
Jam përjetësisht mirënjohëse për mënyrat me anë të të cilave Zoti vazhdon të më tregojë se Ai më sheh mua si dikush që është e çmuar dhe ka vlerë. Ai më ka bekuar me dhunti dhe më jep mundësi që t’i përdor ato dhunti për t’i ndihmuar të tjerët të bëhen si Ai. Dhe e di se Ai e bën këtë edhe për secilin prej jush dhe për secilin prej studentëve tanë.
Muajt e fundit, kam kaluar një përvojë të bukur duke i studiuar shkrimet e shenjta me një përqendrim te mënyra se si e sheh Shpëtimtari individin dhe se si jep mësim sipas asaj largpamësie. Të mësuarit drejtpërdrejt nga Ai më ka ndryshuar. Ju ftoj ta rrokni të njëjtën mundësi. Ai është modeli i përsosur. Ka shembuj të panumërt të mënyrës se si Ai krijoi përvoja të të mësuarit dhe hartoi mësime për të plotësuar nevojat individuale dhe për t’i ndihmuar ata të cilëve Ai u dha mësim, ta kuptojnë potencialin e tyre hyjnor.
Miqtë e mi të dashur, lutem që Ati ynë në Qiell do të vazhdojë ta shtojë kapacitetin tonë individual që të shohim siç sheh Ai, të duam siç do Ai dhe të veprojmë siç do të vepronte Ai. Lutem që ne do ta kërkojmë këtë dhunti dhe do të gjejmë mënyra për ta marrë ose për ta thelluar atë. Lutem që ne do të vazhdojmë të përpiqemi fort për ta pasur shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit në pamjen tonë ndërsa qëndrojmë përpara studentëve tanë çdo ditë. E di se ne mund ta zhvillojmë këtë dhunti ndërsa e kërkojmë ndihmën e Tij. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2017 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 5/17. Miratuar për përkthim: 5/17. Përkthim i “See the One”. Albanian. PD60004121 101