Transmetimet e Trajnimeve
Të Mësuarit në Thellësi dhe Gëzim në Zotin


22:22

Të Mësuarit në Thellësi dhe Gëzim në Zotin

Transmetimi i Trajnimit Vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, • 13 Qershor 2017

Është një bekim që t’i flas familjes së Seminarit dhe Institutit në mbarë botën. Ju dua shumë dhe jam mirënjohës për ju dhe për gjithçka që bëni e për gjithçka që jeni. Lutem që bekimet e Zotit do të jenë mbi ju në punën madhështore që shtrihet përpara nesh.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, është një punë e rëndësishme që t’i japësh mësim brezit të ri, ta përgatitësh, ta frymëzosh dhe ta forcosh atë. Ndiej një nevojë të ngutshme dhe të fortë rreth asaj pune. Rinia dhe të rinjtë në moshë madhore të Kishës së Zotit përballen me shumë sfida të vështira dhe shumë mundësi të mrekullueshme. Bota përreth tyre është e mbushur me teknologji të fuqishme që përdoren për të mira të mëdha dhe të këqija të tmerrshme. Shumë prej të rinjve tanë janë në vende të ndikuara nga lufta dhe zhurmë luftërash, nga akte terrori, korrupsioni, shkatërrimi i familjeve, përçarja politike dhe shoqërore, laicizmi dhe shkretimi prej varfërisë, sëmundjes e zisë së bukës.

Megjithatë, në mes të gjithë kësaj rrëmuje dhe trazire, Zoti Jezu Krisht po e përgatit mbretërinë e Tij dhe popullin e Tij për kthimin e Tij. Ai po lëviz me fuqi kudo në mbarë botën për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë, për ta ndërtuar mbretërinë e Tij dhe për ta ngritur Sionin. Krahët e dashurisë dhe të mëshirës së Tij janë shtrirë drejt rinisë dhe të rinjve në moshë madhore të Kishës së Tij, duke i ftuar ata që ta marrin fuqinë e Tij shëruese, forcuese dhe shëlbuese në jetën e tyre.

Lufta e madhe midis së mirës dhe së keqes që filloi në botën para kësaj jete vazhdon me një intensitet në rritje në ditët e mëvonshme. Në atë betejë, rinia dhe të rinjtë në moshë madhore të brezit të ri nuk janë në frontin e brendshëm. Ata janë në vijën e parë dhe do të luajnë një rol gjithnjë e më vendimtar në punën madhështore të Zotit. Gjë që më sjell te ju.

Ju jeni pikërisht atje në vijën e parë me brezin e ri. Kur mendoj për ju dhe atë që ju bëni çdo ditë, për të prekur jetën e qindra e mijërave nga rinia dhe të rinjve në moshë madhore të Kishës së Zotit, mendoj për vegimin e Nefit për kohën tonë:

“Dhe … unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”1.

Nefi përshkruan një proces hyjnor në të cilin ju jeni përfshirë në një mënyrë thelbësore. Kur të mendoni për atë që po bëni duke dhënë mësim në seminar dhe institut, shpresoj se ky fragment do të vijë në mendjen tuaj. Ju jeni mjetet në duart e Perëndisë, në një proces hyjnor nëpërmjet të cilit fëmijët e Tij të çmuar të besëlidhjes bekohen me drejtësi dhe marrin fuqinë e Tij dhe lavdinë e Tij.

Kjo është ajo që bëni. Ju u mësoni këtyre të rinjve të mrekullueshëm ungjillin e Jezu Krishtit dhe i ndihmoni ata që të marrin fuqi hyjnore në priftëri, në tempull, në shoqërimin e Frymës së Shenjtë, në shkrimet e shenjta, në besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta. Kjo është fuqia e Perëndisë dhe Ai ua jep bijve dhe bijave të Tij të dashura që ata të mund të duan, të japin mësim e të shërbejnë me besim dhe shpresë në Të, duke e bërë punën e Tij gjatë gjithë jetës së tyre.

Nganjëherë mund të jetë e vështirë ta lidhësh vegimin frymëzues të Nefit me realitetin e klasave të seminarit në orën 6:15 të mëngjesit apo me klasat në mbrëmje vonë të institutit me shumë studentë të lodhur kolegji. Më kanë rënë edhe mua për pjesë adoleshentë me sy të përgjumur herët në mëngjes. Dhe e di me siguri se çfarë pamje kanë studentët e lodhur të kolegjit. Por e kam parë atë që u ndodh atyre adoleshentëve dhe atyre studentëve kolegji kur një mësues që i do ata, u jep mësim me Shpirtin e Zotit. E kam parë atë që ndodh në zemrat e tyre dhe shpirtrat e tyre kur mësuesi e hap fuqinë e shkrimeve të shenjta për ta dhe i ndihmon që të mësojnë thellësisht në mënyrën e Zotit. E di atë sepse kjo është ajo që u ndodhi të gjithë fëmijëve të mi. Dhe është ajo që po u ndodh nipave e mbesave të mia.

Rinia dhe të rinjtë në moshë madhore që ju u jepni mësim, janë të mahnitshëm. Por ne kemi nevojë që shumë më tepër prej tyre t’i marrin bekimet e priftërisë e të tempullit, të shërbejnë në misione, të martohen në tempull, të krijojnë familje të përjetshme, t’i shërbejnë Zotit në mbretërinë e Tij dhe të jenë një dritë për botën – shumë më tepër prej tyre. Kjo nënkupton se ju duhet të vazhdoni të përmirësoheni gjithnjë e më shumë në atë që po bëni. Zoti ka nevojë që të jeni edhe më të fuqishëm e më të efektshëm në këtë punë madhështore.

Gëzim në Zotin

Dua të ndaj me ju sot disa mendime që shpresoj se do t’ju ndihmojnë ndërsa e ndiqni atë qëllim hyjnor. Mesazhi im është i thjeshtë: kemi nevojë të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar rininë dhe të rinjtë në moshë madhore të Kishës që të përjetojnë gëzim – gëzim të vërtetë e shpirtëror – në Zotin Jezu Krisht. Besoj se mënyra më e mirë për ta bërë këtë është nëpërmjet të mësuarit në thellësi të doktrinës së Krishtit në mënyrën e Zotit. Është dëshmia dhe dëshmimi im për ju se të mësuarit thellësisht i doktrinës së Jezu Krishtit çon drejt gëzimit në Zotin.

Ashtu siç dha mësim Presidenti Nelson:

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.

Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit.”2

Ky është gëzimi që të rinjtë tanë duhet të ndiejnë. Kjo i mbron ata kundrejt së keqes, i nxit që të jenë të drejtë, ta ushqejnë dëshirën e tyre për ta pasur Frymën e Shenjtë gjithnjë me vete dhe i tërheq te Zoti.

Shpëtimtari na ka dhënë një model të mrekullueshëm në Librin e Mormonit për t’ju ndihmuar ju që t’i ndihmoni studentët tuaj të gjejnë gëzim në Të:

“Prandaj, mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë. Vini re, ju e patë që unë iu luta Atit dhe të gjithë e keni dëshmuar.

Dhe ju e shihni se kam urdhëruar që askush prej jush nuk duhet të largohet, por në vend të kësaj kam urdhëruar që ju të vini tek unë, që të mund të ndieni dhe të shihni; kështu madje, do të bëni ndaj botës.”3

Kur Shpëtimtari iu shfaq njerëzve në tempull në [vendin] Begati, Ai i deshi ata, u mësoi atyre doktrinën e Tij dhe i bekoi ata. Ata ndien gëzim të madh. Në këtë fragment, Shpëtimtari ju bën thirrje të vini tek Ai dhe, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ta shihni veprën e Tij, ta ndieni dashurinë e Tij dhe ta përjetoni gëzimin e Tij. Më pas, Ai ju urdhëron që t’ua përçoni atë që keni parë e ndier, studentëve tuaj: duajini ata, mësojuani atyre doktrinën e Tij, ftojini ata të vijnë tek Ai dhe ta ndiejnë gëzimin e Tij. Nëse dashuria, doktrina, drita dhe gëzimi i Jezu Krishtit janë në ju, ju mund t’i frymëzoni ata dhe t’i nxitni ata që të kërkojnë të kenë vetë përvojat e tyre vetjake, personale e shpirtërore me Zotin.

Gëzimi dhe të Mësuarit në Thellësi

Të mësuarit që çon drejt gëzimit është të mësuarit në thellësi në doktrinën e Jezu Krishtit, dhe duhet të bëhet në mënyrën e Zotit. Të mësosh në thellësi do të thotë të mësosh për gjithë shpirtin – mendjen, zemrën, trupin dhe frymën e pavdekshme. Të mësuarit në thellësi e rrit fuqinë e studentit për të bërë tri gjëra:4

1. Të dijë dhe të kuptojë

Së pari, është që të dijë dhe të kuptojë. Kjo është njohuri e mendjes dhe e zemrës. Për shembull, kur zbatohet për besimin në Jezu Krisht, studentët mësojnë se besimi në Krisht është një parim veprimi dhe fuqie. Nëpërmjet dëshmisë së Shpirtit, ata e ndiejnë të vërtetën e atij parimi dhe fillojnë t’i shohin më qartë, t’i dëshirojnë më thellësisht dhe, si rrjedhojë, t’i kuptojnë në zemrat e tyre më plotësisht veprat e atij parimi në jetën e tyre.

2. Të ndërmarrë veprime të efektshme e të drejta

Së dyti, është që të ndërmarrë veprime të efektshme e të drejta. Studentët mësojnë se si ta zbatojnë parimin e besimit në Jezu Krisht në jetën e tyre dhe më pas ta vënë me të vërtetë në zbatim atë. Për shembull, ata mund të vendosin të veprojnë me besim në Shpëtimtarin që të kenë guximin për ta ftuar një mik që të lexojë Librin e Mormonit. Ndërsa veprojnë me besim në Të, vetëbesimi i tyre në Të rritet dhe Zoti i bekon ata me besim më të madh.

3. Të bëhet më shumë si Ati ynë Qiellor

Së treti, është që të bëhet më shumë si Ati ynë Qiellor. Bërja është një proces i ndryshimit të karakterit dhe të vetë natyrës së studentit. Ajo vjen nëpërmjet fuqisë shëlbuese dhe forcuese të Jezu Krishtit. Kur zbatohet në parimin e besimit te Shpëtimtari, do të thotë se një student bëhet një njeri gjithnjë e më shumë besnik. Besimi në Krisht bëhet një tipar i karakterit të tyre, e asaj që janë, ndërsa vazhdimisht dhe qëndrueshëm rriten në njohuri dhe kuptueshmëri për besimin në Jezu Krisht, veprojnë me besim në Të për të bërë atë që Ai do që të bëhet, dhe i kërkojnë dhuratat e bekimet e Tij për t’u bërë si Ai dhe Ati i Tij.

Këto tri përmasa të të mësuarit në thellësi ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe e përforcojnë njëra-tjetrën. Bërja një person besnik e rrit aftësinë e një studenti për të ditur dhe për të kuptuar. Një kuptueshmëri më e thellë nxit një veprim më të efektshëm, i cili, si rezultat, krijon ide të reja dhe çon drejt një karakteri më të fortë. Ka gëzim të madh në secilin element të të mësuarit në thellësi – gëzim në një kuptueshmëri të re, gëzim në një veprim të drejtë, gëzim në bërjen më shumë si Ati dhe Biri.

Mënyra e Zotit për të Mësuar Thellësisht

Tri Ftesa

Mënyra e Zotit për të mësuar thellësisht është e thjeshtë, por e fuqishme. Ja ku është përshkrimi i Zotit për të mësuar në mënyrën e Tij:

“Nëse syri juaj drejtohet te lavdia ime, tërë trupat tuaj do të mbushen me dritë”5.

“Të përgatiteni, dhe të shenjtëroheni. ”6

“T’ia mësoni njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë.”7

“I mësoni me zell dhe hiri im do të jetë me ju.”8

“Kërkoni me zell dhe i mësoni njëri-tjetrit fjalë urtësie.”9

“Kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit.”10

“Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë.”11

“Njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë … që … të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje.”12

“Mbi të gjitha, vishuni me lidhjen e dashurisë hyjnore.”13

Këto fragmente të bukura nga seksioni 88 i Doktrinës e Besëlidhjeve, përcaktojnë tri elemente ndërvepruese e përforcuese në mënyrën e Zotit për të mësuar thellësisht: E para është studimi, kërkimi, përgatitja dhe bindja me zell.14 E dyta është të mbledhurit për të mësuar njëri-tjetrin, në lidhjet e dashurisë hyjnore, të udhëhequr nga një mësues i frymëzuar, të shoqëruar nga hiri i Jezu Krishtit. E treta është marrja e zbulesës, frymëzimit dhe dhuratave të tjera shpirtërore që vijnë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Mësuesi në mënyrën e Zotit luan një rol aktiv e të frymëzuar në përfshirjen e studentëve në të gjitha elementet e të mësuarit në thellësi. Dy gjëra janë thelbësore: së pari, që ju ta keni Frymën e Shenjtë me vete dhe, së dyti, që t’i doni studentët.

Ju keni një burim të mrekullueshëm – manualin Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit15 – për t’ju ndihmuar që të jepni mësim, në mënyrë që studentët tuaj do të mësojnë në mënyrën e Zotit. Prandaj, më lejoni t’ju jap një detyrë: Dëshiroj që ta lexoni dhe studioni manualin nëpërmjet thjerrave të të mësuarit në thellësi, veçanërisht të doktrinës së Jezu Krishtit, e cila çon drejt gëzimit. Sapo ta kuptoni atë të mësuar në thellësi, sepse objektivi juaj është gëzimi, kjo do ta ndryshojë mënyrën se si i zbatoni parimet e fuqishme të shtjelluara në manual. Më lejoni t’ju jap tre shembuj të thjeshtë (ka shumë më tepër):

  • Ju do t’u kërkoni studentëve tuaj të vijnë të përgatitur në klasë për t’i dhënë mësim njëri-tjetrit.

  • Ju do ta vendosni si përparësi që t’i ndihmoni studentët tuaj të zhvillojnë cilësi si të Krishtit.

  • Ju do ta bëni gëzimin një qëllim të përbashkët për klasën tuaj dhe studentët do të tregojnë rregullisht dëshmi të gëzimit.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, e di se ju tashmë bëni shumë gjëra të mahnitshme dhe të mrekullueshme për t’i ndihmuar studentët tuaj që ta marrin ungjillin e Jezu Krishtit thellë në zemrën e tyre dhe të përjetojnë gëzim në Të. E di sakrificën tuaj dhe përkushtimin tuaj. Edhe Zoti e di këtë.

Dëshiroj ta mbyll sot me tri ftesa. E di që, nëse veproni sipas këtyre ftesave, ju do t’i ndihmoni studentët tuaj të mësojnë edhe më thellësisht në mënyrën e Zotit dhe të përjetojnë edhe më shumë gëzim në Të.

Ftesa 1:

Identiteti dhe Qëllimi i Përjetshëm. Ju ftoj që t’i ndihmoni studentët tuaj të mësojnë se cilët janë ata në të vërtetë. Ndihmojini ta shohin dhe ta ndiejnë dhe ta dinë se ata janë me të vërtetë fëmijë të Perëndisë, bijtë dhe bijat e Tij të dashura. Ndihmojini që t’i kuptojnë domethënien dhe rrjedhojat e dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, kur ajo shpall që secili prej studentëve tuaj “ka një natyrë dhe destinacion hyjnor … e [një] identitet dhe qëllim … të përjetsh[ë]m”16.

Ju lutem, ndihmojini që ta ndiejnë thellë në zemrat e tyre se ata janë qenie shpirtërore që po kalojnë një përvojë në vdekshmëri. Zoti dhe Shpëtimtari, Jezu Krishti, vuajti dhe vdiq për ta, që ata të mund të “përpar[ojnë] drejt përsosjes dhe së fundi, [të] mund të arri[jnë] destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme”17. Ky është plani i Atit Qiellor për ta. Ju lutem, ndihmoni që ta bëni planin e Tij të vërtetë për ta.

Mësojuni se ata u lindën nga Prindër Qiellorë, që të mësojnë dhe të rriten, dhe të bëhen si Ata. Të mësuarit është thelbësor për qëllimin e jetës paratokësore dhe të jetës në vdekshmëri dhe për shpëtimin e tyre të përjetshëm. Ata kanë nevojë të mësojnë rreth gjërave të Perëndisë dhe gjërave të botës, në mënyrë që të mund t’i përmbushin qëllimet e Perëndisë në jetën e tyre. Ndihmojini të kuptojnë se të mësuarit është thelbësor në planin e përjetshëm të Perëndisë dhe, si rrjedhojë, për qëllimin e tyre të përjetshëm dhe fatin e tyre hyjnor.

Ftesa 2:

Mënyra e Zotit drejt të Mësuarit në Thellësi. Ju ftoj që t’i ndihmoni studentët tuaj të mësojnë se si të mësojnë në mënyrën e Zotit. Ju e bëni këtë pjesërisht me anë të shembullit. Në një mënyrë shumë të fuqishme, mënyra se si ju jepni mësim është ajo që u mësoni studentëve tuaj rreth mënyrës së Zotit për të mësuar. Nëse krijoni për ta përvoja që të mësojnë në mënyrën e Zotit, ata do ta mësojnë mënyrën e Tij. Nëse nuk e bëni këtë, ata nuk do ta mësojnë atë.

Shpresoj se ju do t’ua mësoni studentëve tuaj mënyrën e Zotit për të mësuar, me anë të shembullit tuaj. Por unë gjithashtu shpresoj se ju do t’ua mësoni atyre mënyrën e Tij në mënyrë të drejtpërdrejtë e të ndërgjegjshme, me një qëllim. Ka një mundësi të mrekullueshme për ta bërë atë në Zotërimin Doktrinor, ku parimet e “Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, japin mësim saktësisht mënyrën e Zotit për të mësuar. Ndërsa i jepni mësim ato parime gjatë gjithë vitit, ju do t’u mësoni atyre mënyrën e Zotit se si të mësojnë. Ajo mësimdhënie mund të bëhet po ashtu edhe në kurset që jepni mësim në institut.

Ju lutem, ndihmojini studentët tuaj ta kuptojnë se mënyra e Zotit gjen zbatim për çdo gjë që ata studiojnë. Metodat e veçanta që ata ndeshin në klasat e tyre në arsimin e mesëm apo të lartë, do të varen nga mësuesit që kanë. Por studentët tuaj mund të jenë gjithnjë të përfshirë aktivisht, të zellshëm në studimin e tyre dhe të bekuar me shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ju lutem, ftojini studentët tuaj ta marrin Frymën e Shenjtë me vete në shkollë.

Ftesa 3:

Pendimi dhe të Mësuarit. Unë ju ftoj që t’u mësoni studentëve tuaj se pendimi është thelbësor për të mësuarin në thellësi. Pendimi është procesi i Zotit për të mësuarin vetjak, rritjen shpirtërore dhe bërjen gjithnjë e më shumë si Ai. Studentët tuaj mësojnë në mënyrën e Zotit nëpërmjet fuqisë shëlbuese dhe forcuese të Jezu Krishtit që vepron në jetën e tyre, duke u shtrirë atyre mëshirën e Tij dhe hirin e Tij.

Ju lutem, ndihmojini studentët tuaj ta kuptojnë se pendimi është procesi hyjnor nëpërmjet të cilit ata mund të bëhen më shumë si Shpëtimtari gjatë gjithë kohës. Nganjëherë pendimi i tyre do të jetë rreth diçkaje që duhet ta ndalojnë së bëri. Nganjëherë pendimi do të jetë rreth diçkaje që duhet të fillojnë ta bëjnë. Ju lutem, ndihmojini ata të dinë se pendimi është shumë më tepër sesa t’i thonë Zotit dhe peshkopit të tyre se bënë diçka të gabuar. Të mëkatosh do të thotë të largohesh nga Zoti. Të pendohesh do të thotë të rikthehesh tek Ai. Pendimi kërkon një ndryshim të zemrës dhe mendjes, një ndryshim të jetës që i shkon për shtat situatës vetjake të studentit.

Por ju lutem, mësojuni atyre gjithashtu se pendimi mund t’i bekojë ata vazhdimisht. Kjo është mënyra se si Zoti i ndihmon ata që të veprojnë më mirë dhe të jenë më të mirë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo kërkon që ata të ndryshojnë e të rriten, dhe kjo do të thotë se ata kanë nevojë të pendohen, të kthehen më plotësisht te Shpëtimtari, t’ia japin Atij zemrën e tyre më plotësisht gjatë gjithë kohës. Ai proces i kthimit dhe ai proces i dhënies zgjat gjithë jetën. Është vendimtar për të mësuarin në thellësi.

Dëshmia

Unë ju jap këtë premtim: Nëse do t’u mësoni studentëve tuaj se cilët janë ata në të vërtetë, se si të mësojnë thellësisht në mënyrën e Zotit dhe parimin hyjnor të pendimit, ata do ta mësojnë thellësisht doktrinën e Jezu Krishtit, besimi në Të dhe dashuria e tyre për Të do të rriten dhe ata do kenë gëzim në Zotin. Si ju dhe studentët tuaj do të përjetojnë këtë premtim të mrekullueshëm të Zotit: “Në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them ty, unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim”18.

Unë e di se ai premtim është i vërtetë. Ju jap dëshminë time se Perëndia, Ati ynë, jeton. Jezusi është Krishti. Ai jeton! Kjo është puna e Tyre e shenjtë. Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë dashurinë time, në emrin e Jezu Krishtit, amen.