Mbushur me Gëzim
Transmetimi i Trajnimit të Përvitshëm për Seminaret dhe Institutet e Fesë • 13 qershor, 2017
Dy vjet më parë, Komisioneri ynë, Plaku Kim B. Klark, na dha mësim nga 3 Nefi për engjëjt dhe fëmijët që u rrethuan me zjarr. Ai na mësoi që si mësues të fesë, edhe ne duhet të rrethohemi nga ai zjarr i shenjtë.1 Siç e dini, ka një tregim tjetër në Librin e Mormonit me individë që rrethohen nga flakë qiellore. Lehin dhe Nefin i kishin futur në burg dhe tregimi thotë:
“Ata sikur ishin në mes të një zjarri plot flakë. …
Dhe vini re, Shpirti i Shenjtë i Perëndisë zbriti nga qielli … dhe ata u mbushën sikur të ishin plot zjarr.”2
Tregimi thotë gjithashtu: “ Dhe ishin mbushur me atë gëzim që është i patregueshëm dhe plot lavdi”.3
Mesazhi im sot është ky: Si mësues të fesë, ne nuk duhet vetëm të rrethohemi nga zjarri, duhet edhe të mbushemi me gëzim. Studentët duhet të mësojnë në klasat tona rreth “planit të shpëtimit”, por duhet edhe të shohin te ne provën që plani funksionon –që të jetuarit e ungjillit sjell gëzim. Në ëndrrën me pemën e jetës, Lehi e thërriti familjen e tij për të marrë frutën që “ishte [e] dëshiruesh[me] për ta bërë dikë të lumtur”.4 Ftesa e tij kishte një fuqi dhe vërtetësi për shkak se ai fliste nga përvoja. Ai e kishte marrë dhe e kishte ndier atë gëzim vetë.
Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Është shumë e rëndësishme të jemi të lumtur në këtë punë. Kemi shumë njerëz të zymtë në Kishë sepse ata ma merr mendja, nuk e kuptojnë që ky është ungjilli i lumturisë.”5 Ne mund ta kemi lumturinë për të cilin foli Presidenti Hinkli duke e pranuar Shpirtin në jetën tonë dhe pastaj, sikurse thonë shkrimet e shenjta, duke jetuar “sipas mënyrës së lumturisë”.6
Dua t’ju ofroj që t’i merrni parasysh disa parime që më kanë ndihmuar, si mësues i fesë që të jetoj “sipas mënyrës së lumturisë”. Ato nuk janë ide të thella apo të reja dhe unë i përmend me shpresën se do ta ndihmoj dikë të jetojë e të japë mësim me më tepër gëzim. Nuk u flas vetëm atyre që janë mësues të fesë me profesion, por edhe atyre që, për një periudhë, e jetojnë jetën e një mësuesi “të thirrur” të fesë në seminare dhe institute.
Shumë vite më parë, hasa një citim nga Presidenti Spenser W. Kimball që më trazoi. Ai tha: “Le të kapemi fort pas lumturisë sot, pasi dijeni këtë, nëse nuk jeni të lumtur sot, mund të mos jeni kurrë të lumtur”.7
Kjo nuk mund të jetë e saktë, mendova. Po pendimi? Nëse nuk jam i lumtur sot, a nuk mund të bëj diçka për ta ndryshuar këtë? E mendova më gjatë dhe besoj se synimi i mesazhit të Presidentit Kimball ishte ky: Nëse nuk jeni të lumtur dhe besoni se mund të jeni të lumtur vetëm nëse rrethanat tuaja do të ishin ndryshe, mund të mos jeni kurrë të lumtur sepse lumturia nuk është e lidhur me rrethanat tuaja. Një autor e shprehu kështu:
“Ne priremi të besojmë se po të ishim diku tjetër me pushime, me një partner tjetër, në një karrierë të ndryshme, në një shtëpi të ndryshme, në një rrethanë të ndryshme –do të ishim në njëfarë mënyre më të lumtur e më të kënaqur. Nuk do të ishim më të lumtur!
E vërteta është, se nëse keni zakone mendore shkatërruese … ose nëse jeni vazhdimisht duke uruar që gjërat të ishin ndryshe, po këto prirje do t’ju ndjekin, kudo që të shkoni.”8
Lamani dhe Lemueli besonin se lumturia e tyre ishte e lidhur me rrethanat – veçanërisht me rrethanat që nuk do t’ua prishnin rehatinë. Duke folur për udhëtimin e tyre nëpër vendin e shkretë, ata t hanë:
“[Gratë tona] kanë lindur fëmijë në vendin e shkretë dhe vuajtën të gjitha gjërat, me përjashtim të vdekjes; dhe do të kishte qenë më mirë që ato të kishin vdekur para se të dilnin nga Jeruzalemi, sesa të kishin vuajtur këto pikëllime.
Vër re, këto vite të shumta ne kemi vuajtur në vendin e shkretë, kohë në të cilën ne mund të kishim gëzuar pasuritë tona dhe tokën e trashëgimit tonë; po, dhe mund të kishim qenë të lumtur.”9
Kam mësuar se lumturia ime nuk është e lidhur me vendin ku jetoj, detyrën që kam, personat me të cilët punon, studentët që kam apo mundësitë që nuk kanë ardhur. Nuk po sugjeroj që pasja e “një qëndrimi të mirë” do t’i bëjë sfidat tuaja të largohen e t’jua mbushin jetën me rreze dielli. Rrethanat në të cilat e gjejmë veten nganjëherë mund të jenë zemërkëputëse e thuajse të papërballueshme. Por jap dëshminë time që madje edhe në ato rrethana, mund të ketë një frymë të dërguar nga qielli dhe një perspektivë që mund ta bëjë jetën të gëzueshme.
Një varg në librin e Almës thotë: “Dhe ky është rrëfimi i Amonit dhe i vëllezërve të tij, udhëtimet e tyre në vendin e Nefit, vuajtjet e tyre në atë vend, pikëllimet e tyre dhe mjerimet e tyre dhe gëzimi i paimagjinueshëm i tyre.10 Pikëllimi dhe gëzimi nuk janë kategorikisht të ndarë nga njëri-tjetri. Si një mësues i thirrur, ndoshta po uroni të kishit një thirrje tjetër. Si një mësues i punësuar, ndoshta po uroni të kishit një detyrë tjetër. Nuk është keq të urosh [të ndodhin] gjëra, por ju lutem, mbajeni mend se lumturia juaj nuk është e lidhur me plotësimin e dëshirës suaj. Lumturia është një mënyrë udhëtimi, jo një vendmbërritje. Nëse e jetoni jetën duke menduar se është një vendmbërritje, mund të mos jeni kurrë të lumtur.
Si e gjen dikush lumturinë, cilatdo qofshin rrethanat? Unë nuk i di të gjitha përgjigjet, por po ju ofroj një të rëndësishme: Mirënjohja ka shumë të bëjë me të jetuarin “sipas mënyrës së lumturisë”. Presidenti Diter F. Uhtdorf tha:
“Po sugjeroj që në vend që të jemi mirënjohës për gjëra, të përqendrohemi tek të qenit mirënjohës në rrethanat tona – cilatdo qofshin ato. …
Kjo lloj mirënjohjeje e lë pas gjithçka që po ndodh përreth nesh. … Lulëzon me po aq bukuri në një peizazh të akullt dimri, siç lulëzon në ngrohtësinë e këndshme të verës. …
Të qenit mirënjohës në rrethanat tona është një vepër e besimit te Perëndia. …
Mirënjohja e vërtetë është një shprehje e shpresës dhe e dëshmisë.”11
Më lejoni t’ju ofroj një parim tjetër që më ka ndihmuar të jetoj e të jap mësim me më tepër gëzim. Pasi kishin kaluar disa vite karrierë, mora vendimin të largohesha nga seminaret dhe institutet. Arrita tek ai vendim sepse nuk mendoja që isha aq i zoti sa mësuesit që shihja rreth e rrotull. Shihja mësues të angazhuar, akademikë, me humor dhe me vetëbesim – dhe shikoja shumë pak nga ato gjëra te vetja. Në fund, nuk u largova nga seminaret dhe institutet, por vazhdova të ndeshesha së brendshmi teksa vrisja mendjen a mund të jepja mësim me efektshmëri dhe a mund ta ndihmoja rininë me këtë personalitet.
Duke folur për personalitetet tona të pashoqe, motra Patrisha Holland, bashkëshortja e Plakut Xhefri R. Holland, tha këtë:
“Atit tonë në Qiell i nevojitemi siç jemi, ata që do të bëhemi duke u rritur. Ai na ka bërë qëllimisht të ndryshëm nga njëri-tjetri në mënyrë që edhe me papërsosuritë tona ne të mund t’i përmbushim qëllimet e tij. Mjerimi im më i madh vjen kur ndiej se duhet të përshtatem me atë që po bëjnë të tjerët ose me atë që të tjerët presin nga unë. Jam më se i lumtur kur ndihem rehat me të qenit vetja dhe përpiqem të bëj atë që Ati im Qiellor pret që unë të bëhem dhe unë nga vetja.
Për shumë vjet, jam përpjekur ta krahasoj Pet Hollandin e qetë, reflektuese me Xhef Hollandin e fortë, gazmor, fjalëshumë dhe energjik e të tjerë me cilësi të ngjashme. E kam mësuar përgjatë disa dështimeve rraskapitëse që nuk mund të gjesh gëzim nga të qenit gazmor nëse nuk je një person gazmor. Është një kontradiktë termash. Kam hequr dorë nga të parit e vetes si një person me cene. … Heqja dorë nga kjo më ka çliruar për ta përqafuar dhe për t’u gëzuar në vetë mënyrën dhe personalitetin tim.
… Diku, disi, Zoti ‘ma përçoi sinjalin’ se personaliteti im u krijua për t’iu përshtatur me saktësimisionit dhe talenteve që Ai më dha. … Kam zbuluar se kam burime të bollshme e të pathëna energjie për të qenë vetja. Por në çastin që bie pre e imitimit të fqinjës sime, ndihem e copëtuar dhe e rraskapitur dhe e gjej veten duke notuar përherë kundër rrymës. Kur bëhemi pengese për planin që Perëndia ka për ne, i mohojmë kësaj bote dhe mbretërisë së Perëndisë ndihmesën tonë të pashoqe.”12
Rreth të qenit vetja, më lejoni t’ju jap dy paralajmërime. I pari: Nuk po sugjeroj që të jetojmë me një qëndrim që thotë: “Epo unë kështu jam”. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Ungjilli i Jezu Krishtit është ungjill ndryshimi”.13 Duhet të kërkoj me zell përshtypje nga udhëheqësit e mi mbi mënyrën se si mund të ndryshoj e t’i përputh më mirë personalitetin tim dhe përpjekjet e mia për ta arritur objektivin tonë. Më e rëndësishmja, unë kam një urdhër të dhënë nga vetë Krishti që duhet të bëhem madje siç Ai është. Por nuk kam pse të jem si ai mësuesi jashtë në korridor. Personaliteti im, i përmirësuar nga dhuratat e Shpirtit, mund të japë një ndihmesë të pashembullt për punën në seminar dhe institut.
Paralajmërimi i dytë: Kur erdha për herë të parë në Zyrën Qendrore për të marrë një detyrë të re, administratori ynë i asaj kohe, Pol V. Xhonson, më ftoi në zyrën e vet për disa udhëzime e këshilla. Midis të tjerash, ai tha: “Mos e përkufizo veten”. Kuptova se domethënia e kësaj ishte që nëse e përkufizoja mënyrën më të mirë se si Zoti mund të më përdore për ta përmbushur punën e Tij, mund t’i kufizoja mundësitë e mia për rritje e shërbim.
Fatkeqësisht, ndihem pre pikërisht e gjësë për të cilën ai më lajmëroi. U përpoqa të bëjë më të mirën në detyrën administrative që më caktoi të kryeja, por murmurisja në zemër. “Nuk jam administrator”, i thoja vetes. “Jam mësues. Duhet të jem në klasë, jo ulur në mbledhje.” Ishte një proces i gjatë dhe i dhembshëm përpara se të mësoja që dëshira ime e shpallur për të dhënë mësime isht thjesht një mantel për të mbuluar dëshirën për të plotësuar nevojat e mia vetjake. Kalimi i kohës suaj me studentët dhe shkrimet e shenjta është shumë shpërblyes. Kalimi i ditës në mbledhje duke diskutuar mbi rregulloret, jo dhe aq. Por nuk është kjo çështja. A e bëj këtë punë për shpërblim dhe përmbushje vetjake apo e bëj me një sy të vetëm në lavdinë e tij dhe qëllimet e Perëndisë?
Shpresoj që ju të jeni më të mençur se unë dhe të mos e përkufizoni veten dhe mënyrën se si duhet të përdoreni. Ka një lumturi të pashembull që vjen nga dorëzimi ndaj vullnetit të Atit, sikurse na e mësoi dhe dëftoi Shpëtimtari në mënyrë të përsëritur.
Kjo tema e dorëzimit më çon në një sugjerim tjetër që mund të na ndihmojë “[të] jet[ojmë] sipas mënyrës së lumturisë” si mësues të fesë. Jam i sigurt se shumica prej nesh duan t’i dorëzohen vullnetit të Atit tonë Qiellor me çiltërsi. Bëhet më sfiduese kur na kërkohet t’u dorëzohemi të vdekshmëve këtu në toka që Zoti i përdor për ta drejtuar punën e Tij, qoftë në lagje, kunj apo në seminar dhe institut. Kam njohur në karrierën time mësues shumë të aftë që janë fyer nga veprimet e një udhëheqësi ose nga një rregullore me të cilën nuk ishin dakord. Edhe sikur këto padrejtësi të kishin qenë reale ose të perceptuara, këta mësues e mbajtën dhe e ushqyen lëndimin e tyre – e gjithë kjo me koston e humbjes së vetë lumturisë së tyre. Lëndimi i tyre shpesh kthehej në hidhësi, gjë që më pas çonte në grindje me të tjerët, veçanërisht me ata që i mbikëqyrnin.
Plaku Nil A. Maksuell shkroi dikur: “Jeta në Kishë [dhe do të shtoja, jeta në seminar dhe institut], do të thotë të përjetosh një larmi udhëheqësisht të cilët jo të gjithë janë gjithnjë të mençur, të pjekur e të shkathët. Në fakt, disa prej nesh janë aq me gunga e të çrregullt sa një thes me patate. Një pjesë e përmirësimit që ne përjtojmë është në fakt rrjedhojë e përplasjes me njëri-tjetrin. Sa jetike janë durimi dhe dashuria zbutëse në të tilla rrethana!”14
Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se sa të rëndësishme janë për një mësues të fesë “durimi dhe dashuria zbutëse”. Ato janë thelbësore për gjetjen e lumturisë dhe mësimdhënien me Shpirtin.
Presidenti Bojd K. Paker tha: “Një njeri që thotë se do ta mbështetë Presidentin e Kishës ose Autoritetet e Përgjithshme, por nuk mund të mbështetë peshkopin e vet, po mashtron veten. Njeriu që nuk do ta mbështetë peshkopin e lagjes së tij dhe presidentin e kunjit të tij, nuk do ta mbështetë Presidentin e Kishës.”15
Koha nuk më lejon koment të mëtejshëm, por ka një parim në atë pohim që besoj se zbatohet për mësuesit e fesë dhe marrëdhënien e tyre me ata të cilët janë caktuar t’i udhëheqin. Nëse ndonjë prej jush ka ndjenja të këqija kundrejt administratës, kundrejt një udhëheqësi apo rregulloreje të caktuar, ngaqë ju anashkalojnë apo sepse ju kontrollojnë me imtësi, ju lutem hidhini pas krahëve për hir të vetes suaj. Lumturia do ta përjashtojë përherë individin që nuk fal, që e shpreh pakënaqësinë e tij tek të tjerët ose që nxit grindje.
Tani, si sugjerimi im i fundit. Vetëm disa orë përpara vdekjes së Shpëtimtarit, Ai u lau këmbët Apostujve dhe më pas tha:
“Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.. …
“Po t’i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t’i bëni.”16
Pjesa më e madhe e lumturisë që mund të përjetojmë në jetë do të vijë teksa e harrojmë veten dhe i përqendrojmë mendimet dhe shërbimin tonë tek të tjerët. Si mësues të fesë do të gjejmë lumturi të madhe teksa i përqendrojmë mendimet, dëshirat dhe përpjekjet tona te bekimi i studentëve tona. Duke u folur mësuesve të festë, Presidenti Spenser W. Kimball dikur tha se rritja dhe zhvillimi i të rinjve tanë duhet të jetë “fiksimi [ynë] i madh e madhështor”.17 Nëse ndonjëherë pika jonë e përqendrimit do të ikë nga studentët tanë e të fillojë të përqendrohet te nevojat, rehati, përmbushja apo vlerësimi ynë vetjak, fuqia jonë për të dhënë mësim me efektshmëri do të ketë një humbje domethënëse, pa përmendur humbjen e një pjese të madhe të lumturisë sonë vetjake.
Herri Emerson Fosdik, një pastor protestant i shekullit të kaluar, shkroi: “ Disa të krishterë e mbajnë fenë e tyre në shpinë. Është një grumbull bindjesh e praktikash që ata duhet ta mbartin. Me raste, ajo rëndohet dhe ata do ta ulnin poshtë me gatishmëri, por kjo do të nënkuptonte shkeljen e traditave të vjetra, kështu ata prapë e mbajnë mbi supe. Por të krishterët e vërtetë nuk e mbajnë fenë e tyre; feja e tyre i mban ata. Ajo nuk është peshë; është krah. Ajo i ngre ata, i ndihmon t’i kalojnë periudhat e vështira, e bën universin të duket miqësor, jetën të duket plot qëllime, shpresën të duket reale dhe sakrificën të duket me vlerë. Ajo i çliron nga frika, kotësia, shkurajimi dhe mëkati – robëruesit e mëdhenj të shpirtrave të njerëzve. Mund ta njihni një të krishterë të vërtetë kur ta shikoni, nga aftësia e tij për të qëndruar mbi këto gjëra.”18
Është shpresa dhe lutja ime për secilin prej jush që ungjilli në fakt të jetë krah dhe jo peshë, që ju të rrethoheni nga zjarri dhe të mbusheni me gëzim dhe që lumturia juaj vetjake do t’i ftojë të tjerët ta kërkojnë e ndjekin burimin e lumturisë suaj, që është Zoti Jezu Krisht. Jap dëshmi që Ai ishte personi më i lumtur që eci ndonjëherë në këtë tokë dhe që Ai na fton të vijmë ta ndjekim duke jetuar “sipas mënyrës së lumturisë”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2017 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 5/17. Miratuar për përkthim: 5/17. Përkthim i “Filled with Joy.” Albanian. PD60004121 101