2021
Kërkimi i Sionit dhe Bekimeve të Zotit
Shtator 2021


“Kërkimi i Sionit dhe Bekimeve të Zotit”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2021, f. 2–5.

Eja, Më Ndiq

Kërkimi i Sionit dhe Bekimeve të Zotit

Doktrina e Besëlidhje 97:21

Ndërtimi i Sionit është një përgjegjësi e madhe, por gjithashtu sjell shpërblime të mëdha.

vajzë duke studiuar shkrimet e shenjta

E vërteta e parë e madhe e qiellit është se Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij. Ai dëshiron më të mirën për ne – gjithmonë e ka dëshiruar dhe do ta dëshirojë këtë gjë. Ai dëshiron që ne të jemi të lumtur; të lumtur jo përkohësisht ose sa për sy e faqe, por të lumtur thellësisht dhe përjetësisht siç është edhe Ai. Ai dëshiron që ne të rritemi dhe të arrijmë potencialin tonë hyjnor si bir ose bijë e Perëndisë.

E di që kjo nuk është përherë e lehtë. Disa prej jush përballen me vështirësi dhe sprova vetjake që ndonjëherë mund të jenë rraskapitëse. Ndoshta ju keni parë vetë rrethanat tuaja, disa prej kushteve në familjen tuaj ose problemet midis kombeve anembanë botës dhe e keni pyetur veten: “Si mund t’ia dal në këtë labirint sfidash?” Njëra përgjigje mund t’ju habitë: Kërkoni të ngrini Sionin.

Ku është Sioni?

Jezu Krishti me peshkatarët

A më Do ti Mua më Shumë se Këta?, nga David Lindsley

Gjatë gjithë historisë, Perëndia e ka thirrur rregullisht popullin e Tij për të themeluar Sionin. Pati zakonisht një vend të veçantë ku populli i Sionit mund të çlirohej nga ndikimet e botës dhe pjesëtarët e tij të jetonin në harmoni me njëri-tjetrin. Por në këtë periudhë të fundit e të mrekullueshme ungjillore, Sioni nuk kufizohet në një vendndodhje të vetme gjeografike. Në kohën tonë, Sioni mund të jetë kudo ku gjendet një anëtar besnik i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zoti i përshkroi këta njerëz të Sionit si “të një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18) dhe “të kulluar në zemër” (Doktrina e Besëlidhje 97:21). Me pak fjalë, ne nuk e mendojmë më Sionin si një vend ku do të jetojmë por si një mënyrë se si do të jetojmë.

Shumë bekime të mrekullueshme janë ruajtur për ju ndërsa bëni më të mirën tuaj për ta ndërtuar Sionin, për të qenë personi që Shpëtimtari ka nevojë që ju të jeni, dhe për të ndihmuar që të përgatitni udhën për kthimin e Tij në tokë. Një përpjekje e tillë kërkon kohë dhe besim të jashtëzakonshëm, por ajo gjithashtu do të sjellë lumturi dhe gëzim të përhershëm. Shpresoj që kjo të jetë për ju aq prekëse edhe emocionuese sa është edhe për mua! Sikurse ka dhënë mësim edhe Presidenti Rasëll M. Nelson, nuk ka asgjë – me të vërtetë – asgjë – që mund të jetë më e rëndësishme.1 Dhe ne kemi mundësinë të marrim pjesë! Ne jemi ushtarë në vijat e para të së vërtetës. Ne nuk mbajmë plumba; mbajmë fasha! Jemi thirrur që të ndihmojmë për ta shëruar botën dhe për të siguruar një bashkësi mbarëbotërore njerëzish tek të cilët mund të vijë Shpëtimtari.

Duajeni Perëndinë dhe Të Afërmin

të rinj duke bërë fotografi të vetes në grup

Ne mund ta arrijmë këtë lloj familjeje ose lagjeje apo kombi duke zbatuar urdhërimin për të pasur dashuri. Dhe sa më shumë ta duam Perëndinë, aq më shumë do t’i duam të afërmit tanë dhe do të shohim mënyrat se si mund t’i bekojmë ata. Kemi të afërm për të ndihmuar, të varfër për të ngritur moralisht dhe të mira për të bërë kudo.

Zoti e përshkroi njëherë këtë përgjegjësi dhe bekim në këtë mënyrë:

“Prandaj ji besnik; … ndihmo të dobëtit, ngri duart që varen poshtë dhe forco gjunjët e këputur.

Dhe nëse je besnik deri në fund, ti do të kesh një kurorë pavdekësie dhe jete të përjetshme në banesat që unë kam përgatitur në shtëpinë e Atit tim” (Doktrina e Besëlidhje 81:5–6).

Ngrihuni për të Vërtetën

djem duke biseduar

Kur Perëndia na thërret për të ndërtuar Sionin, Ai na thërret që të ngrihemi për mësimet e Tij dhe të qëndrojmë të fortë në besimin tonë. Kjo nuk do të jetë përherë e lehtë ose e volitshme për t’u bërë, por ne duhet ta bëjmë atë – me dhembshuri, përulësi, mirëkuptim dhe dashuri hyjnore të pashtershme për të tjerët. Në synimin tonë për ta themeluar Sionin, me siguri do të ndeshemi me ata që mund të mos duken ose vishen apo edhe sillen siç duhet. Kur takojmë njerëz të tillë, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të përgjigjemi siç është e drejtë, jo siç na duket neve e drejtë. Në të tilla situata gjëja më e mirë që ne mund të bëjmë, është të sillemi vetë siç duhet dhe të tregojmë “dashuri [të] pashtirur” për ta (shih Doktrina e Besëlidhje 121:41).

Dëshiroj që të tjerët t’i gëzojnë bekimet që unë kam, por ndonjëherë pyes veten se si t’i ndaj ato me të tjerët në një mënyrë që nuk do të jetë fyese ose që do të keqkuptohet. Ky shkrim i shenjtë më ka ndihmuar gjatë gjithë thirrjeve të mia në Kishë dhe përgjegjësive vetjake si një dishepull i Krishtit:

“Si rrjedhim, në të vërtetë unë ju them, ia ngrini zërat tuaj këtij populli; flisni mendimet që unë do të vë në zemrat tuaja dhe ju nuk do të ngatërroheni përpara njerëzve;

Sepse do t’ju jepet në orën e duhur, po, në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni.

Por një urdhërim ju jap që ju do të shpallni çfarëdo gjë që shpallni, në emrin tim, me seriozitetin e zemrës, në shpirtin e zemërbutësisë, në të gjitha gjërat.

Dhe unë ju jap këtë premtim se për aq sa e bëni këtë, Fryma e Shenjtë do të derdhet për të dhënë dëshmi për të gjitha gjërat që ju do të thoni” (Doktrina e Besëlidhje 100:5–8).

Një Bekim që Ju Shtyn Përpara

të rinj në qytet

Miqtë e mi të rinj dhe të dashur, do të keni ditë sfiduese përpara, por në fund të fundit jeta juaj do të jetë madhështore ndërsa ia jepni zemrën tuaj Perëndisë, e doni Zotin Jezu Krisht dhe bëni më të mirën tuaj për ta jetuar ungjillin. Nëse jeni besnik/e, Zoti do të jetë kudo që ju jeni. Ju bekoj që ta përqafoni atë me gëzim. Zoti ka shumë gjëra në ruajtje për ju!

Shënim

  1. Shih Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), f. 6, HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.