“Të Ndërtosh Veten Tënde më të Mirë”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2021, f. 6–7.
Eja, Më Ndiq
Të Ndërtosh Veten Tënde më të Mirë
Pesë mënyra për të ndërtuar një jetë të lumtur dhe të gëzueshme.
Kur Zoti e urdhëroi Jozef Smithin të ndërtonte tempullin e Kirtlandit, Ai nuk e la atë ta gjente mënyrën për ta bërë gjithçka vetë. Ai i zbuloi një plan që do të rezultonte i suksesshëm.
“Shtëpia duhet të ndërtohet, jo sipas mënyrës së botës”, shpalli Zoti. “Ajo duhet të ndërtohet sipas mënyrës që unë do t’ia tregoj” (Doktrina e Besëlidhje 95:13–14). Më pas Zoti dha udhëzime mbi mënyrën se si ta ndërtonin tempullin (shih Doktrina e Besëlidhje 95:15–17).
Fatmirësisht, Zoti na ka treguar më shumë sesa thjesht se si të ndërtojmë tempuj. Ai na ka dhënë gjithashtu udhëzime që të na ndihmojë të bëhemi personi më i mirë që mund të jemi. Ndërsa i ndjekim ato, ne do ta ndërtojmë jetën tonë “jo sipas mënyrës së botës” por sipas mënyrës që Zoti ka projektuar.
Këtu janë pesë mënyra për të ndërtuar një jetë të lumtur dhe të gëzueshme të përqendruar te Jezu Krishti.
Ndërtoni një Themel të Sigurt
Çdo arkitekt ose ndërtues do t’ju thotë se një themel i fortë është thelbësor për çdo ndërtesë. Helamani dha mësim se themeli më i mirë për jetën tonë është “shkëmbi [i] Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë” (Helamani 5:12). Ne mund ta bëjmë Krishtin themelin tonë duke ardhur tek Ai dhe duke i ndjekur mësimet e Tij. Si mendoni se po ia dilni për ta bërë Krishtin themelin e jetës suaj?
Shërbejuni të Tjerëve
Një mënyrë tjetër e shkëlqyer për ta ndërtuar jetën tonë, sipas Presidentit Diter F. Uhtdorf, ish-këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, vjen kur “jemi në këmbë, duke i shërbyer Zotit dhe duke u shërbyer atyre që janë rreth nesh”1. Kur ju u shërbeni të tjerëve, ju po bëni atë që Jezusi bëri dhe po mësoni të bëheni më shumë si Ai. Dhe ju nuk do të bekoni vetëm jetën e njerëzve të cilëve u shërbeni, por do të bekoni edhe veten tuaj.
Krijoni një Rutinë të Rregullt Lutjeje dhe Studimi të Shkrimeve të Shenjta
Një mënyrë tjetër për të ndërtuar një jetë të lumtur është të ndërtojmë një marrëdhënie me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Një mënyrë e mrekullueshme për ta bërë këtë është nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta.
Presidenti Uhtdorf tha: “Që ta forcojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë, na duhet një kohë kuptimplote vetëm me Të. Përqendrimi i qetë në lutjen vetjake dhe studimin e shkrimeve të shenjta përditë … do të jenë disa investime të urta të kohës dhe përpjekjeve tona për t’iu afruar Atit tonë Qiellor.”2
Lutja është një mundësi për të komunikuar me Atin tonë në Qiell. Ai na njeh, na do dhe dëshiron të na dëgjojë! Kur lutemi me sinqeritet, ofrojmë falënderimet tona dhe kërkojmë gjërat për të cilat kemi nevojë, Ai dëgjon dhe gjithmonë përgjigjet në mënyrën dhe kohën e Vet.
Kur është fjala për studimin e shkrimeve të shenjta, nuk ka vetëm një mënyrë të drejtë për ta bërë atë. Gjëja e rëndësishme është që ju ta bëni atë! Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Zhytja e përditshme në fjalën e Perëndisë është jetike për mbijetesën tonë shpirtërore”3. Kalimi i kohës çdo ditë me studimin e shkrimeve të shenjta do t’ju ndihmojë, pa dyshim, që të ndërtoni një jetë me besim dhe forcë.
Rrethohuni nga Njerëz që ju Nxitin të Bëni Mirë
Ati Qiellor dëshiron që ne të lidhemi dhe krijojmë marrëdhënie me të tjerët – sidomos familjen dhe miqtë. Ne shpesh marrim trajtë nga ata me të cilët e kalojmë kohën. Qoftë nëse janë apo nuk janë anëtarë të Kishës, ju duhet të rrethoheni nga njerëz që ju ndihmojnë ta jetoni ungjillin, t’i mbani standardet e Zotit dhe të bëheni një person më i mirë. Ju gjithashtu mund t’i ndihmoni ata që keni përreth, të bëjnë të njëjtën gjë. Cili nga miqtë tuaj po ju ndihmon ta ndërtoni themelin tuaj mbi drejtësinë?
Gjeni Gëzim nga Ndërtimi i Themelit Tuaj
Ka shumë mënyra të tjera se si mund ta ndërtoni jetën tuaj për të qenë të fortë shpirtërisht dhe për të pasur gëzim, duke përshirë shkuarjen në kishë dhe marrjen e sakramentit, bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve dhe ndjekjen e këshillave të profetëve të gjallë.
Është e rëndësishme të mbani mend se të gjitha këto gjëra kërkojnë punë dhe kohë. Ka përherë gjëra që duhen ndërtuar dhe që duhen mësuar, por ju nuk keni përse t’i bëni ato të vetëm. Zoti do t’ju ndihmojë çdo ditë ndërsa përpiqeni në maksimum për të ndërtuar një jetë për të cilën ju dhe Ai të mund të jeni krenarë dhe që do t’ju sjellë gëzim.