“Duket e vështirë t’i mbaj standardet kur kushdo që njoh është në një marrëdhënie serioze me dikë. Çfarë duhet të bëj?” Për Forcën e Rinisë, shtator 2021, f. 9.
Pyetje dhe Përgjigje
“Duket e vështirë t’i mbaj standardet kur kushdo që njoh është në një marrëdhënie serioze me dikë. Çfarë duhet të bëj?”
Përmirësimi i Vetes
“Përpiquni të keni një këndvështrim të përjetshëm dhe të kaloni kohë duke zhvilluar marrëdhënie më të thella me familjen dhe miqtë tuaj. Këto modele të shëndetshme do t’i afrojnë të tjerët tek ju sepse do të shohin më të mirën tek ju – atë që jeni në të vërtetë!”
Elli S., 17 vjeçe, Kaliforni, SHBA
Kërkoni Udhërrëfim
“Nëse po luftoni me ndjesinë sikur ju kanë mënjanuar, kërkojini ngushëllim Atit Qiellor. Fryma e Shenjtë do t’ju udhërrëfejë dhe do të jetë atje për ju. Gjithashtu, ju përherë mund t’u kërkoni prindërve dhe udhëheqësve tuaj këshillë, sepse ata kanë qenë në të njëjtën situatë që jeni ju!”
Xhejm G., 17 vjeç, Nuevo-Kasas-Grandes, Meksikë
Zini Miq të Rinj
“Do t’i kujtoja vetes se Perëndia më do. Më pas, do të gjeja mundësinë për t’u vënë në kontakt me miq të vjetër dhe do të krijoja veprimtari për të zënë miq të rinj. Ju mund ta përdorni këtë kohë për të ndërtuar vetëbesimin, talentet dhe dëshminë tuaj, dhe gjithçka do të rregullohet.”
Xhulia S., 12 vjeçe, Alberta, Kanada
Këshillat e Profetëve
“Mund të jetë e vështirë të mendoni për përjetësinë kur ‘e tanishmja’ duket më e rëndësishme. Mbajeni mend se profetët dhe udhëheqës të tjerë të Kishës na kanë këshilluar fuqishëm kundër krijimit të marrëdhënieve në moshën e adoleshencës, madje edhe pas moshës 16 vjeç. Marrëdhëniet serioze kur jeni të rinj, mund të çojnë në thyerje zemre dhe pamoralshmëri. Ju gjithashtu mund të pyetni Atin Qiellor se cila do të ishte gjëja më e mirë për t’u bërë.”
Xhulja C., 17 vjeçe, Jutë, SHBA
Përfshihuni
“Një mënyrë e mirë për t’u ndier i/e përfshirë është të përfshiheni në gjëra të tjera. Provoni një sport të ri, konkurroni në prova përzgjedhëse për shfaqjet shkollore ose bashkojuni klubit të robotikës. Nëse po bëni diçka që ju pëlqen shumë, do të takoni njerëz me të cilët ju pëlqen të shoqëroheni.”
Maja S., 16 vjeçe, Pekin, Kinë
Është Zgjedhja Juaj
“Nëse tashmë jeni 16 vjeç/e, ju mund të zgjidhni nëse dëshironi të dilni në takim vetëm për vetëm me dikë. Por kur e bëni atë zgjedhje, mos mendoni se çfarë mund të mendojnë të tjerët për ju. Nëse ndiheni gati, atëherë bëjeni. Nëse nuk ndiheni, mos e bëni.”
Filip M., 14 vjeç, Rio‑de‑Zhaneiro, Brazil
Marrëdhënie të Tjera të Rëndësishme
“Ndonëse mund të mos jeni në marrëdhënie me një ‘person të rëndësishëm’ ju ende keni marrëdhënie të mira me miqtë dhe familjen përreth jush. Jini mirënjohës/e për ato marrëdhënie. Për t’i forcuar ato, jini si Krishti dhe një shembull i mirë.”
Tejli L., 17 vjeçe, Jutë, SHBA
Prisni për të Krijuar Marrëdhënie Serioze
“Nuk më pëlqen ende të jem në një marrëdhënie. Disa nga miqtë e mi nuk duan të dalin me mua sepse e kalojnë gjithë kohën me të dashurin ose të dashurën e tyre. Ndiej se jam e lirë të njoh njerëz pa marrë vendime të rëndësishme shumë herët.”
Xhina C., 16 vjeçe, Nuevo-Kasas-Grandes, Meksikë
Mos i Bëni Presion Vetes
“Kam pasur të njëjtën ndjesi, por lutja ndaj Zotit, leximi i shkrimeve të mia të shenjta dhe bashkëbisedimi me prindërit më kanë ndihmuar. Nuk kemi përse të ndihemi nën presion, sepse Zoti do të na ndihmojë të dimë se kur është koha e saktë. Shijojeni jetën dhe kaloni kohë me miqtë dhe familjen ndërsa jeni të rinj! Kjo periudhë e jetës ndodh vetëm një herë, ndaj mos u ndjeni nën presion për ta përshpejtuar.”
Viktoria G., 16 vjeçe, Nuevo-Kasas-Grandes, Meksikë