“Nuk Më Zgjodhën në Grupin e Vallëzimit”, Për Forcën e Rinisë, shtator 2021, f. 10–11.
Nuk Më Zgjodhën në Grupin e Vallëzimit
Emri im nuk ishte në listë. U bëra vrer. Por Zoti më mësoi diçka.
Më ka pëlqyer shumë të vallëzoj që kur isha tri vjeçe. Ndaj kur isha në shkollë të mesme, isha e emocionuar kur u zhvilluan provat për grupin e vallëzimit. Nuk kisha dyshime se me talentin dhe përvojën time, do të më zgjidhnin pa problem në grupin e vallëzimit.
Pak ditë pas provave, u afishuan emrat e grupit të vallëzimit. Nuk po u besoja syve. Nuk mund ta gjeja askund emrin në listë. U bëra vrer. Shkova në shtëpi dhe qava mbi shtrat. Isha e inatosur me mësuesen e vallëzimit dhe e zhgënjyer që nuk kisha qenë aq e zonja sa të më zgjidhnin në grup. Mami me të shpejtë hyri në dhomë dhe më sugjeroi që t’i kërkoja Atit Qiellor forcë për ta kaluar këtë “goditje” në jetën time. Me ngurrim pranova dhe bëra një lutje të shkurtër. Pas lutjes nuk është se u ndjeva më mirë, ndaj vazhdova të rrija e ngrysur dhe të isha e mjeruar. Fjeta shumë keq atë natë.
Mëngjesin tjetër mezi u ngrita nga shtrati. E kisha të freskët në mendje kujtimin e dështimit tim dhe thjesht doja të futesha sërish nën kuvertë. Por përpara se ta bëja, m’u kujtua premtimi që kishte bërë peshkopi im. Ai tha se, nëse do t’i lexoja shkrimet e shenjta çdo ditë, madje edhe për vetëm 15 minuta, atëherë do të bekohesha. Nëse do të kisha ndonjëherë nevojë për një bekim, ishte pikërisht tani.
Ndërsa lexova, zbulova këtë varg te Doktrina e Besëlidhje:
“Unë ju them juve, miqve të mi, mos kini frikë, zemrat tuaja duhet të ngushëllohen; po, gëzohuni më shumë se kurrë dhe në gjithçka jepni falënderime;
Duke pritur me durim Zotin, sepse lutjet tuaja kanë hyrë në veshët e Zotit të Sabaothit dhe janë regjistruar me këtë vulë dhe dëshmi—Zoti është betuar dhe ka shpallur se ato do të përmbushen.
Si rrjedhim, ai jua jep këtë premtim, me një besëlidhje të patundshme, që ato do të përmbushen dhe të gjitha gjërat me të cilat jeni munduar, do të veprojnë së bashku për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit tim, thotë Zoti” (Doktrina e Besëlidhje 98:1–3).
U trondita. U ula e veshur me pizhamet dhe me flokët e shpupurisura, dhe u habita se sa nevojë kisha pasur për këto shkrime të shenjta. Ato tri vargje m’i hoqën të gjitha ndjenjat e zemërimit dhe trishtimit. E ndjeva dashurinë e Atit tim Qiellor dhe e dija se Ai e dinte se çfarë po kaloja. Me këtë këndvështrim të ri, unë mund të kuptoja se vendimi për të mos u zgjedhur në grupin e vallëzimit në të vërtetë ishte thjesht një gungë e vogël në rrugën e jetës sime. Rashë në gjunjë me mirënjohje dhe e falënderova Atin Qiellor.
Gjatë pjesës tjetër të ditës, isha në gjendje ta mbaja me vete Shpirtin dhe t’i shihja sprovat e mia si mundësi për rritje. Këto vargje do të jenë gjithnjë të shtrenjta për mua. Dhe do ta kujtoj premtimin e peshkopit tim për bekime kur u drejtohemi shkrimeve të shenjta. Jam shumë mirënjohëse që mund të jem pjesë e kësaj Kishe dhe që kam një njohuri për ungjillin. Unë e di se plani i Atit Qiellor për ne është me të vërtetë një plan lumturie.