“Zgjedhjet”, Për Forcën e Rinisë, Shtator 2021, f. 12–14.
Zgjedhjet
Shumë vite më parë, njëri nga Autoritetet tona të Përgjithshme, tregoi këtë histori sfiduese:
Një çeroki i urtë, një nga fiset autoktone në Shtetet e Bashkuara, i tregoi nipit të tij një shëmbëlltyrë për jetën. “Brenda meje ka një luftë të tmerrshme midis dy ujqërve”, tha gjyshi. “Njëri është i lig: i mbushur me zemërim dhe smirë, me vetëmëshirim dhe brengë, me lakmi dhe me gënjeshtra. Tjetri është i mirë: i mbushur me dashamirësi dhe dhembshuri, përulësi dhe të vërtetë, dashuri dhe gëzim. Ajo luftë po ndodh brenda secilit prej nesh.”
“Cili ujk do të fitojë?” pyeti nipi.
“Ai që ti ushqen”, u përgjigj gjyshi me urtësi.1
Kjo shëmbëlltyrë e dy ujqërve shpreh një të vërtetë të përjetshme. Fëmijët e Perëndisë kanë lindur që të bëjnë zgjedhje midis së mirës dhe së ligës. Kundërshtimi na lejon të bëjmë zgjedhje kuptimplota dhe të drejta. Libri i Mormonit na e mëson këtë të vërtetë në gjuhën e shkrimeve të shenjta: “Pasi, është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat”2.
Plani i Atit tonë Qiellor siguron të paktën dy dhurata për të na ardhur në ndihmë në këto zgjedhje: 1) Ai na jep Frymën e Shenjtë për t’i udhërrëfyer zgjedhjet tona dhe 2) Ai na jep një Shpëtimtar, Shlyerja e të Cilit e bën të mundur pendimin tonë për të hequr efektin e zgjedhjeve të këqija – kur ato kanë ushqyer ujkun e lig.
I. Pendimi dhe Pranimi
Ndërsa u kam folur të rinjve dhe të rejave, një nga temat më të shpeshta për të cilën më pyetin, është pendimi. “Si mund ta dini se jeni penduar mjaftueshëm?” “Si mund ta dini se jeni falur vërtet?” Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë, anëtarit të Kreut‑Perëndi, i cili sjell mesazhe nga qielli.
Dhurata e pendimit është quajtur “lajmi i mirë i ungjillit”3. Ajo na lejon t’i fshijmë pasojat e zgjedhjeve të këqija që e kanë ushqyer ujkun e lig dhe e kanë dobësuar aftësinë tonë për t’i dëgjuar nxitjet e Frymës së Shenjtë. Pendimi përfshin pranimin që kemi vepruar gabim, braktisjen e atij gabimi dhe vendosmërinë për ta kthyer zemrën tonë drejt Perëndisë dhe zbatimin e urdhërimeve të Tij. Kur pendohemi, ne i bëjmë thirrje fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit, e cila e rrit vlerësimin dhe dashurinë tonë për Të si Shpëtimtarin tonë.
Nevoja për pendim nuk kufizohet te mëkatet e rënda që duhet t’i rrëfehen peshkopit. Pendimi është një domosdoshmëri e përditshme. Shumica e pendimit përfshin pranimin privatisht që kemi vepruar gabim, marrjen e vendimit për të ndryshuar dhe përpjekjen për t’i ndrequr gjërat me ata me të cilët kemi vepruar gabim. Me fjalët e shëmbëlltyrës së dy ujqërve, pendimi përbëhet nga ndalja e ushqyerjes së ujkut të lig madje edhe me vakte të vogla, të tilla si kur zgjedhim të jemi të zemëruar ose ziliqarë. Ne gjithashtu kemi nevojë të pendohemi (ndryshojmë) kur zgjedhim që ta çojmë dëm kohën e dhënë nga Perëndia ynë me disa nga shumë aktivitetet e vëna në dispozicion që nuk kanë potencial për të na bërë më të mirë.
II. Dallimi i një Ndryshimi të Rëndësishëm
Një rezultat i mrekullueshëm i pendimit është ta rivendosim denjësinë sonë për të marrë nxitjet nga Fryma e Shenjtë, i cili na ndihmon të bëjmë zgjedhje të urta dhe na mbush me gëzim. Shumë të rinj dhe të reja gjithashtu e pyetin veten: “Si ta di nëse nxitja ose përgjigjja që marr është me të vërtetë nga Zoti dhe jo thjesht ajo që unë dëshiroj?”
Për ta dalluar nëse një nxitje është një mesazh nga Fryma e Shenjtë apo thjesht një dëshirë vetjake, ne duhet të vëmë në zbatim tri të vërteta.
-
Në ordinancën e sakramentit, premtimi që ne do të “ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [vete]” pason premtimin tonë se ne do të marrim mbi vete emrin e Tij, gjithmonë do ta kujtojmë Atë dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.4 Kur nuk arrijmë t’i mbajmë këto premtime, ne jemi të prekshëm nga ngatërrimi i burimit të nxitjeve që ndiejmë.
-
Nxitjet nga Zoti zakonisht merren në çaste të qeta ose në mes të adhurimit, studimit të shkrimeve të shenjta ose lutjes apo gjatë një shërbimi në thirrjet tona, jo në synimet egoiste ose kur rrethohemi nga veprimtaritë që i përkasin botës.
-
Në fund, nevojitet të jemi veçanërisht të ndjeshëm ndaj drejtimit për të ndryshuar një kurs që tashmë po e ndjekim. Mbresa për të ndryshuar kursin mund të jetë më e besueshme sesa mbresa për të kërkuar diçka që tashmë dëshirojmë ta bëjmë.
III. E Drejta Vazhdon të Jetë Ende e Drejtë
Miqtë e mi të dashur e të rinj, ju po i afroheni pjekurisë në një botë shumë të ndryshme nga ajo që kanë përjetuar prindërit dhe gjyshërit tuaj. Kjo e bën veçanërisht të rëndësishme që ju të kujtoni se vlerat dhe urdhërimet e lashtësisë janë ende në fuqi. Ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe urdhërimet e Tij mbeten thelbësore, qoftë nëse udhëtojmë me karrocë dore ose anije kozmike dhe qoftë nëse komunikojmë me zë ose me mesazhe me celular.
E drejta vazhdon të jetë ende e drejtë dhe e gabuara vazhdon të jetë ende e gabuar, pavarësisht se çfarë thuhet ose bëhet nga idhujt e filmave, personazhet televizivë ose yjet e sportit. Standardet në shkrimet e shenjta, mësimet e profetëve të gjallë dhe vlerat te broshura Për Forcën e Rinisë, janë ende udhërrëfyesit tuaj më të mirë për zgjedhjet vetjake për pastërtinë seksuale, shëndetin fizik, ndershmërinë, veshjen dhe pamjen e jashtme dhe të gjitha temat e tjera të saj. Zbatojini ato me besnikëri dhe ju do të bekoheni. “Broshura e titulluar Për Forcën e Rinisë duhet të jetë standardi juaj”, dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson. “Ai është standardi që Zoti pret të mbahet nga e gjithë rinia e Tij.”5
Në takimin e tij të fuqishëm shpirtëror mbarëbotëror për rininë, profeti ynë premtoi:
“Nëse do ta bëni sinqerisht dhe me ngulm punën shpirtërore të nevojshme për ta zhvilluar aftësinë vendimtare, shpirtërore të të mësuarit se si t’i dëgjoni pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë, do të keni të gjithë drejtimin që do t’ju duhet ndonjëherë në jetën tuaj. Do t’ju jepen përgjigje për pyetjet tuaja në mënyrën dhe kohën e Zotit.”6
Ia bashkoj premtimin tim premtimit të tij, ndërsa dëshmoj për Shpëtimtarin tonë Jezu Krishtin, mësimet dhe Shlyerja e të cilit e bëjnë gjithçka të mundur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.