2010–2019
I Vendosur dhe i Paepur në Besimin te Krishti
Tetor 2018


2:3

I Vendosur dhe i Paepur në Besimin te Krishti

Për të qëndruar i vendosur dhe i paepur në besimin te Krishti kërkohet që ungjilli i Jezu Krishtit të depërtojë në zemrën dhe shpirtin e individit.

Në historinë e Dhiatës së Vjetër, lexojmë për periudha të njëpasnjëshme kur fëmijët e Izraelit e nderuan besëlidhjen e tyre me Jehovën dhe e adhuruan Atë dhe raste të tjera kur e shpërfillën atë besëlidhje dhe adhuruan idhuj ose Baalin.

Mbretërimi i Ashabit ishte një nga periudhat e braktisjes në mbretërinë veriore të Izraelit. Profeti Elia në një rast i tha mbretit Ashab që ta mblidhte popullin e Izraelit si edhe profetët ose priftërinjtë e Baalit në malin e Karmelit. Kur populli ishte mbledhur tok, Elia u tha atyre: “Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? [ose me fjalë të tjera: ‘Kur do të vendosni një herë e mirë?’] Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë. Populli nuk tha asnjë fjalë.” Ndaj Elia udhëzoi që si ai edhe profetët e Baalit të copëtonin një viç dhe ta vendosnin në një shtrat prej druri në altarët e tyre përkatës, por “pa i ndezur ato”. Pastaj “ju do t’i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia. Tërë populli u përgjigj dhe tha: ‘E the bukur!’”

Do t’ju kujtohet se priftërinjtë e Baalit i thirrën me zë të fortë për orë të tëra perëndisë së tyre që nuk ekzistonte, që të dërgonte zjarr, por “nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin”. Kur erdhi radha e Elias, ai e rregulloi altarin e thyer të Zotit, vendosi drunjtë dhe blatimin mbi të dhe pastaj urdhëroi që e gjitha të mbushej me ujë, jo një herë por tri herë. Nuk kishte fare dyshim që as ai, as ndonjë fuqi tjetër njerëzore nuk mund ta ndizte zjarrin.

“Në orën që ofrohej blatimi, profeti Elia u afrua dhe tha: ‘O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd’. …

Atëherë ra zjarri i Zotit dhe konsumoi olokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë.

Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën për tokë dhe tha: ‘Zoti është Perëndia!’”

Sot Elia mund të thotë:

  • Ose Perëndia, Ati ynë Qiellor, ekziston, ose Ai nuk ekziston, por nëse ekziston, adhurojeni Atë.

  • Ose Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, Shëlbuesi i ringjallur i njerëzimit, ose Ai nuk është, por nëse është, ndiqeni Atë.

  • Ose Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë ose nuk është, por nëse është, atëherë “afro[juni] më shumë Perëndisë duke [i studiuar dhe] duke iu bindur porosive të tij”.

  • Ose Jozef Smithi i pa dhe bisedoi me Atin dhe Birin atë ditë pranvere të vitit 1820, ose nuk i pa dhe nuk bisedoi, por nëse i pa dhe bisedoi, atëherë ndiqeni mantelin profetik, duke përfshirë çelësat e vulosjes që unë, Elia, ia dhashë atij.

Në konferencën e përgjithshme më të fundit, Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli: “Nuk keni përse ta pyesni veten se çfarë është e vërtetë [shih Moroni 10:5]. Nuk keni përse ta pyesni veten se kujt mund t’i mirëbesoni me siguri. Nëpërmjet zbulesës vetjake, ju mund të merrni vetë dëshminë tuaj se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, se Jozef Smithi është një profet dhe se kjo është Kisha e Zotit. Pavarësisht nga ajo që mund të thonë ose bëjnë të tjerët, askush nuk mund ta largojë asnjëherë një dëshmi të lindur në zemrën dhe mendjen tuaj për atë që është e vërtetë.”

Kur Jakobi premtoi se Perëndia “u jep të gjithëve pa kursim”, që e kërkojnë urtësinë e Tij, ai gjithashtu paralajmëroi:

“Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.

Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,

sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.”

Shpëtimtari ynë, nga ana tjetër, ishte shembulli i përsosur i qëndrueshmërisë. Ai tha: “Ati s’më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë”. Merrini parasysh këto përshkrime nga shkrimet e shenjta të burrave dhe grave që, sikurse Shpëtimtari, ishin të vendosur dhe të paepur:

Ata “ishin kthyer në besimin e vërtetë; dhe ata nuk donin të ndaheshin prej saj, pasi ishin të vendosur dhe të paepur dhe të palëkundshëm, duke dashur me gjithë zell të zbatonin urdhërimet e Zotit”.

“Mendjet e tyre janë të vendosura dhe ata e vendosin përherë besimin e tyre në Perëndi.”

“Dhe vini re, ju vetë e dini, pasi ju e keni dëshmuar atë, se të gjithë ata që janë sjellë në njohurinë e së vërtetës … janë të vendosur dhe të paepur në besimin dhe në gjënë me të cilën ata janë bërë të lirë.”

“Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje.”

Për të qëndruar i vendosur dhe i paepur në besimin te Krishti kërkohet që ungjilli i Jezu Krishtit të depërtojë në zemrën dhe shpirtin e individit, që do të thotë që ungjilli bëhet jo vetëm një nga shumë prej ndikimeve në jetën e një personi, por përqendrimi përcaktues i jetës ose karakterit të tij apo të saj. Zoti thotë:

“Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.

Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.

… Ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.”

Kjo është besëlidhja që bëjmë nëpërmjet pagëzimit tonë dhe në ordinancat e tempullit. Por disa njerëz nuk e kanë marrë ende plotësisht ungjillin e Jezu Krishtit në jetën e tyre. Ndonëse, sikurse thotë Pali, ata u “varrosë[n] me [Krishtin] me anë të pagëzimit”, atyre u mungon ende pjesa “ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish … , kështu edhe ne … [duhet] të ecim në risinë e jetës”. Ungjilli ende nuk i përkufizon ata. Ata ende nuk janë përqendruar te Krishti. Ata janë përzgjedhës për doktrinat dhe urdhërimet që do të zbatojnë, dhe për vendin ku e kohën kur do të shërbejnë në Kishë. Në kontrast, është nga mbajtja e besëlidhjeve të tyre me saktësi që ata “që janë të zgjedhurit sipas besëlidhjes”, e shmangin mashtrimin dhe qëndrojnë të vendosur në besimin te Krishti.

Shumica prej nesh në këtë çast e gjejnë veten në vazhdën midis një pjesëmarrjeje të nxitur nga shoqëria në ritualet e ungjillit nga njëra anë dhe një zotimi të zhvilluar plotësisht e si të Krishtit ndaj vullnetit të Perëndisë nga ana tjetër. Diku gjatë asaj vazhde, lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit hyn në zemrën tonë dhe e merr në zotërim shpirtin tonë. Kjo mund të mos ndodhë në një çast, por ne të gjithë duhet të lëvizim drejt asaj gjendjeje të bekuar.

Është sfiduese por jetike të qëndrosh i vendosur dhe i paepur kur e gjen veten të rafinuar “në furrën e pikëllimit”, diçka që vjen herët a vonë tek të gjithë ne në vdekshmëri. Pa Perëndinë, këto përvoja të errëta priren drejt shkurajimit, dëshpërimit dhe madje hidhërimit. Me Perëndinë, qetësimi e zëvendëson dhembjen, paqja e zëvendëson trazirën dhe shpresa e zëvendëson pikëllimin. Të qëndruarit i vendosur në besimin te Krishti do të sjellë hirin dhe përkrahjen mbështetëse të Tij. Ai do ta shndërrojë sprovën në bekim dhe sipas fjalëve të Isaias, do të “[japë] … një diademë në vend të hirit”.

Më lejoni të përmend tre shembuj për të cilët kam njohuri vetjake:

Është një grua e cila vuan nga një sëmundje ligështuese dhe kronike, që këmbëngul pavarësisht nga vëmendja mjekësore, bekimet e priftërisë dhe agjërimet e lutjet. Prapëseprapë, besimi i saj te fuqia e lutjes dhe realiteti i dashurisë që Perëndia ka për të, nuk janë zvogëluar. Ajo ngulmon ditë pas dite (dhe ndonjëherë orë pas ore) të shërbejë në thirrjet që merr në Kishë, dhe bashkë me bashkëshortin e saj, kujdeset për familjen e saj të re, duke buzëqeshur aq sa mundet. Dhembshuria e saj për të tjerët i ka rrënjët e thella, e rafinuar nga vetë vuajtja e saj, dhe ajo shpesh e humb veten në dhënien e shërbesës ndaj të tjerëve. Ajo vazhdon e paepur dhe njerëzit ndihen të lumtur kur janë rreth saj.

Një burrë që u rrit në Kishë, shërbeu si misionar kohëplotë dhe u martua me një grua të hijshme, u befasua kur disa prej motrave dhe vëllezërve të tij filluan të flisnin me kritika për Kishën dhe Profetin Jozef Smith. Pas njëfarë kohe ata u larguan nga Kisha dhe u përpoqën ta bindnin atë që t’i ndiqte. Siç ndodh shpesh në të tilla raste, ata e bombarduan me ese, transmetime dhe materiale filmike të krijuara nga kritikët, shumë prej të cilëve ishin vetë ish‑anëtarë të pakënaqur të Kishës. Motrat dhe vëllezërit e tij e përqeshën për besimin që kishte, duke i thënë se ishte sylesh dhe i shpërkënditur. Ai nuk kishte përgjigje për të gjitha pohimet e tyre dhe besimi i tij filloi të lëkundej nga kundërshtimi i pamëshirshëm. Ai pyeste veten nëse duhet të ndalonte së shkuari në kishë. Foli me bashkëshorten. Foli me njerëz të cilëve u besonte. U lut. Ndërsa meditoi për këtë gjendje mendore të trazuar, ai solli ndërmend rastet kur e kishte ndier Shpirtin e Shenjtë dhe kishte marrë një dëshmi për të vërtetën me anë të Shpirtit. Ai doli në përfundimin: “Nëse jam i ndershëm me veten, duhet ta pranoj se Shpirti më ka prekur më shumë se një herë dhe dëshmia nga Shpirti është e vërtetë”. Ai ka një ndjenjë të përtëritur lumturie dhe paqeje që e ka edhe bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Një bashkëshort dhe bashkëshorte që e kanë ndjekur vazhdimisht dhe me gëzim këshillën e Vëllezërve në jetën e tyre, u vrerosën nga vështirësia që përjetuan për të pasur fëmijë. Ata shpenzuan fonde të konsiderueshme duke punuar me profesionistë mjekësorë të aftë dhe pas njëfarë kohe, ata u bekuan me një djalë. Tragjikisht, sidoqoftë, pas afro vetëm një viti, foshnja ishte viktimë e një aksidenti që nuk ishte faji i askujt, por që e la atë në gjendje thuajse të pandërgjegjshme, me dëme të konsiderueshme në tru. Ai ka marrë kurimin më të mirë, por doktorët nuk mund ta parashikojnë se si do të shpalosen gjërat në të ardhmen. Fëmija për të cilin ky çift punoi dhe u lut kaq shumë për të ardhur në botë, në njëfarë mënyre u është marrë dhe ata nuk e dinë nëse ai do t’u kthehet atyre. Tani ata përpiqen të kujdesen për nevojat kritike të foshnjës së tyre, ndërsa përmbushin përgjegjësitë e tyre të tjera. Në këtë çast jashtëzakonisht të vështirë, ata janë kthyer te Zoti. Ata mbështeten te “buk[a e] nevojshme” që marrin prej Tij. Ata ndihmohen nga miqtë dhe familja e dhembshur dhe forcohen nga bekimet e priftërisë. Ata janë afruar më pranë njëri‑tjetrit, bashkimi i tyre ndoshta tani është më i thellë dhe më i plotë sesa mund të kishte qenë i mundur në të kundërt.

Më 23 korrik 1837, Zoti i dha një zbulesë Presidentit të dikurshëm të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Tomas B. Marshit. Ajo përfshiu sa vijon:

“Dhe lutu për vëllezërit e tu të të Dymbëdhjetëve. Këshilloji ata fort për hir të emrit tim dhe ata duhet të qortohen për gjithë mëkatet e tyre dhe ti duhet të jesh besnik përpara meje për emrin tim.

Dhe pas tundimeve të tyre dhe shumë shqetësimi, vër re, unë, Zoti, do t’u afrohem atyre dhe nëse ata nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre dhe nuk i forcojnë kokat e tyre kundër meje, ata do të kthehen në besim dhe unë do t’i shëroj.”

Unë besoj se parimet që janë shprehur te këto vargje, gjejnë zbatim për të gjithë ne. Tundimet dhe fatkeqësitë që ne përjetojmë, bashkë me çdo provë që Zoti sheh të përshtatshme të na i ngarkojë, mund të çojnë në shërimin dhe kthimin tonë të plotë në besim. Por kjo ndodh nëse, dhe vetëm nëse, nuk i ngurtësojmë zemrat tona apo bëhemi kryelartë kundrejt Tij. Nëse qëndrojmë të vendosur dhe të paepur, pavarësisht se çfarë ndodh, ne e arrijmë kthimin në besim që kishte ndër mend Shpëtimtari kur i tha Pjetrit: “Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu”, një kthim në besim aq i plotë saqë nuk mund të zhbëhet. Shërimi i premtuar është pastrimi dhe shenjtërimi i shpirtrave tanë të plagosur nga mëkati, duke na bërë të shenjtë.

Më kujtohet këshilla e mamasë sime: “Haji perimet; do të të bëjnë mirë”. Nënat tona kanë të drejtë, dhe në kontekstin e vendosmërisë në besim, “të hash perimet” do të thotë të lutesh vazhdimisht, të ushqehesh me bollëk çdo ditë me shkrimet e shenjta, të shërbesh dhe të adhurosh në Kishë, të marrësh denjësisht sakramentin çdo javë, të duash fqinjin tënd dhe të marrësh mbi vete kryqin si bindje ndaj Perëndisë çdo ditë.

Gjithmonë mbajeni mend premtimin se gjëra të mira do të vijnë, si tani edhe në të ardhmen, për ata që janë të vendosur dhe të paepur në besimin te Krishti. Kujtojeni “jetën e përjetshme dhe … gëzimin e shenjtorëve”. “O të gjithë ju që jeni të kulluar në zemër, ngrini lart kokat tuaja dhe merrni fjalën e këndshme të Perëndisë dhe ushqehuni me bollëk me dashurinë e tij; pasi ju mund ta bëni, në qoftë se mendjet tuaja janë të forta përgjithmonë.” Në emrin e Jezu Krishtit, amen.