Të Plagosur
Në grumbullin e sprovave tokësore me durim shkoni përpara dhe fuqia shëruese e Shpëtimtarit do t’ju sjellë dritë, kuptueshmëri, paqe dhe shpresë.
Më 22 mars 2016, pikërisht përpara orës 8:00 të mëngjesit, shpërthyen 2 bomba të vëna nga terroristët në aeroportin e Brukselit. Plaku Riçard Norbi, Plaku Mejzon Uells dhe Plaku Xhozef Empi kishin çuar Motrën Feni Klein në aeroport për të fluturuar drejt misionit të saj në Klivlend të Ohajos. Tridhjetë e dy njerëz humbën jetën dhe të gjithë misionarët u plagosën.
Ai që u plagos më rëndë qe Plaku Riçard Norbi, 66 vjeç, i cili po shërbente me bashkëshorten e tij, Motrën Pem Norbi.
Plaku Riçard Norbi reflektoi për atë çast:
“Sakaq e dija se çfarë kishte ndodhur.
U përpoqa të vrapoja për të gjetur siguri, por u rrëzova menjëherë … Munda ta shihja që këmba e majtë qe dëmtuar keq. [Vura re] se nga të dy duart po më varej një blozë e zezë si rrjetë merimange. E tërhoqa me butësi, por e kuptova se nuk qe blozë, por lëkura ime që ishte djegur. Këmisha ime e bardhë po bëhej e kuqe nga një plagosje në shpinë.
Teksa u bëra i vetëdijshëm për atë që kishte ndodhur, [pata] këtë mendim shumë të fortë … Shpëtimtari e dinte ku isha, atë që sapo kishte ngjarë dhe [atë] që po përjetoja në atë çast.”
Riçard Norbin dhe bashkëshorten e tij, Pemin, i prisnin ditë të vështira. Ai u vendos në koma artificiale, që u pasua nga operacione, infeksione dhe pasiguri e madhe.
Riçard Norbi jetoi, por jeta e tij nuk do të ishte më kurrë njësoj. Dy vjet e gjysmë më vonë, plagët nuk i janë shëruar ende; një protezë i zëvendëson pjesën që i mungon në këmbë; çdo hap është i ndryshëm nga koha përpara atij çasti në aeroportin e Brukselit.
Pse t’i ndodhte kjo Riçard dhe Pem Norbit? Ata kishin qenë të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre, kishin shërbyer në një mision përpara këtij në Bregun e Fildishtë dhe kishin rritur një familje të mrekullueshme. Dikush në mënyrë të kuptueshme mund të thoshte: “Ata nuk e meritonin! Thjesht nuk është e drejtë! Ata po jepnin jetën për ungjillin e Jezu Krishtit; si mund të ndodhë kjo?”
Kjo Është Vdekshmëria
Ndonëse hollësitë do të ndryshojnë, tragjeditë, provat dhe sprovat e papritura, si fizike ashtu edhe shpirtërore, i vijnë secilit prej nesh sepse kjo është vdekshmëria.
Ndërsa mendoja këtë mëngjes për folësit e pikërisht këtij sesioni të konferencës, më erdhi ndër mend se dy prej tyre kanë humbur fëmijë dhe tre prej tyre kanë humbur nipër ose mbesa të cilët u kthyen papritmas në shtëpinë e tyre qiellore. Askush nuk është përjashtuar nga sëmundja dhe trishtimi dhe pikërisht ashtu siç është folur këtë javë, një engjëll i tokës të cilën e duam të gjithë, Motra Barbara Ballard, kaloi butësisht përtej velit. Presidenti Ballard, ne nuk do ta harrojmë kurrë dëshminë tënde këtë mëngjes.
Ne kërkojmë lumturinë. Jemi të dëshiruar për paqe. Shpresojmë për dashuri. Dhe Zoti na derdh një bollëk të mahnitshëm bekimesh. Por, pleksur me gëzimin dhe lumturinë, një gjë është e sigurt: do të ketë çaste, orë, ditë, nganjëherë vite kur shpirti ynë do të jetë i plagosur.
Shkrimet e shenjta na mësojnë se do të shijojmë hidhërimin dhe ëmbëlsinë dhe se do të ketë një “kundërshtim në të gjitha gjërat”. Jezusi tha: “[Ati juaj] bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët”.
Plagët e shpirtit nuk janë të pashembullta për të pasurit apo të varfrit, për një kulturë, një komb ose një brez. Ato u vijnë të gjithëve dhe janë pjesë e mësimit që marrim nga kjo përvojë në vdekshmëri.
Të Drejtët Nuk Janë të Paprekshëm
Mesazhi im sot është veçanërisht për ata që po i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë, që po i mbajnë premtimet ndaj Perëndisë dhe, si çifti Norbi dhe burra, gra e fëmijë të tjerë në këtë masë mbarëbotërore shikuesish, ballafaqohen me sprova e sfida që janë të papritura e të dhembshme.
Plagët tona mund të vijnë nga një katastrofë natyrore ose një aksident fatkeq. Mund të vijnë nga një bashkëshort ose bashkëshorte i/e pabesë, që ia kthen jetën përmbys një bashkëshorti ose bashkëshorteje të drejtë dhe fëmijëve. Plagët mund të vijnë nga errësira dhe zymtia e depresionit, nga një sëmundje e papritur, nga vuajtja ose vdekja e parakohshme e dikujt që duam, nga trishtimi kur një pjesëtar i familjes e braktis besimin e vet, nga vetmia kur rrethanat nuk sjellin një shok jete të përjetshëm ose njëqind “[hidhërime të tjera] që s’[i] sheh syri” që ta copëtojnë zemrën e shkaktojnë dhembje.
Secili prej nesh e kupton se vështirësitë janë pjesë e jetës, por kur na vijnë vetë neve, ato mund të na lënë pa frymë. Pa u alarmuar, nevojitet që të jemi gati. Apostulli Pjetër tha: “Mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme”. Së bashku me ngjyrat e çelura të lumturisë dhe gëzimit, në pëlhurën e planit të Atit tonë thuren thellë fije të errëta sprovash e tragjedish. Këto mundime, ndonëse të vështira, shpesh bëhen mësueset tona më të mëdha.
Kur e tregojmë historinë çudibërëse të 2060 ushtarëve të rinj të Helamanit, neve na pëlqen shumë ky shkrim i shenjtë: “Sipas mirësisë së Perëndisë dhe për çudinë tonë të madhe dhe gëzimin e gjithë ushtrisë sonë, nuk pati asnjë shpirt prej tyre që të mbaronte”.
Por fjalia vazhdon: “Nuk pati asnjë shpirt mes tyre që të mos kishte marrë shumë plagë”. Secili prej të 2060-ve mori plagë të shumta dhe çdonjëri prej nesh do të plagoset në betejën e jetës, qoftë fizikisht, shpirtërisht ose që të dyja.
Jezu Krishti është Samaritani Ynë i Mirë
Kurrë mos u dorëzoni – sado të thella qofshin plagët e shpirtit tuaj, cilido qoftë shkaku i tyre, kudo ose kurdo që të ndodhin dhe sado pak ose gjatë që të ngulmojnë, nuk është e thënë që ju të mbaroni shpirtërisht. Është e thënë që ju të mbijetoni shpirtërisht dhe të lulëzoni në besimin dhe mirëbesimin tuaj ndaj Perëndisë.
Perëndia nuk e krijoi shpirtin tonë që ne të ishim të pavarur prej Tij. Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, nëpërmjet dhuratës së pamatshme të Shlyerjes së Tij, jo vetëm që na shpëton nga vdekja dhe na ofron falje për mëkatet tona nëpërmjet pendimit, por Ai gjithashtu rri gati për të na shpëtuar nga pikëllimet dhe dhembjet e shpirtrave tanë të plagosur.
Shpëtimtari është Samaritani ynë i Mirë, i dërguar për të “shëruar ata që e kanë zemrën të thyer”. Ai vjen te ne kur të tjerët na anashkalojnë. Me dhembshuri, na vë balsamin e Tij shërues mbi plagë dhe na i lidh ato. Ai na mban në krahë. Ai kujdeset për ne. Ai na grish: “[Ejani] tek unë … dhe unë do t’[ju] shëroj”.
“Dhe [Jezusi] do të … vuaj[ë] dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; që … të [mund të] marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij … [duke marrë përsipër] dobësitë [tona], [duke pasur] mëshirë.
Në një kohë vuajtjeje të pamasë, Zoti i tha Profetit Jozef Smith: “Gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde”. Si mund të jenë plagët e dhembshme për të mirën tonë? Në grumbullin e sprovave tokësore me durim shkoni përpara dhe fuqia shëruese e Shpëtimtarit do t’ju sjellë dritë, kuptueshmëri, paqe dhe shpresë.
Kurrë Mos u Dorëzoni
Lutuni me gjithë zemër. Forcojeni besimin tuaj te Jezu Krishti, te qenia reale e Tij, te hiri i Tij. Kapuni pas fjalëve të Tij: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”.
Mbajeni mend, pendimi është ilaç i fuqishëm shpirtëror. Zbatojini urdhërimet dhe jini të denjë për Ngushëlluesin, duke kujtuar se Shpëtimtari premtoi: “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju”.
Paqja e tempullit është balsam qetësues për shpirtin e plagosur. Kthehuni në shtëpinë e Zotit me zemrën tuaj të plagosur dhe emrat e familjarëve tuaj sa më shpesh të jetë e mundur. Tempulli e projekton çastin tonë të shkurtër në vdekshmëri në ekranin e gjerë të përjetësisë.
Vështroni prapa, duke kujtuar se e vërtetuat denjësinë tuaj në gjendjen para lindjes. Ju jeni fëmijë trima të Perëndisë dhe me ndihmën e Tij, mund të ngadhënjeni në betejat e kësaj bote të rënë. E keni bërë më parë dhe mund ta bëni përsëri.
Vështroni para. Telashet dhe pikëllimet tuaja janë shumë reale, por nuk do të zgjatin përgjithmonë. Nata juaj e errët do të kalojë, sepse “Biri … do të ngrihet me shërim në krahët e tij”.
Çifti Norbi më tha: “Zhgënjimi na vjen për vizitë me raste, por e ka gjithnjë të ndaluar të rrijë këtu”. Apostulli Pal tha: “Ne jemi të shtrënguar … por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar. Jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatër[r]uar.” Mund të jeni të rraskapitur, por kurrë mos u dorëzoni.
Madje edhe me plagët tuaja të dhembshme, ju instinktivisht do t’u shkoni në ndihmë të tjerëve, duke i mirëbesuar premtimit të Shpëtimtarit: “Ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë”. Të plagosurit që kujdesen për plagët e të tjerëve janë engjëjt e Perëndisë në tokë.
Pas pak çastesh, do të dëgjojmë profetin tonë të dashur, Presidentin Rasëll M. Nelson, një burrë me besim të patrembur te Jezu Krishti, një burrë me shpresë e paqe, i dashur për Perëndinë por i papërjashtuar nga plagët e shpirtit.
Në vitin 1995, bija e tij, Emilia, ndërkohë që priste një fëmijë, u diagnostikua me kancer. Pati ditë shprese dhe lumturie kur u lind foshnja e saj e shëndetshme. Por kanceri u rikthye dhe Emilia e tyre e dashur do të largohej nga kjo jetë vetëm dy javë pas ditëlindjes së saj të 37-të, duke lënë pas bashkëshortin e saj të dashur dhe pesë fëmijë të vegjël.
Në konferencën e përgjithshme, pak kohë pas vdekjes së saj, Plaku Nelson rrëfeu: “Lotët e mi të pikëllimit kanë rrjedhur bashkë me dëshirën që të kisha mundur të bëja më tepër për bijën tonë. … Po të kisha fuqinë e ringjalljes, do të isha tunduar që ta riktheja [atë] në jetë. … [Por] Jezu Krishti i mban ato çelësa dhe do t’i përdorë ato për Emilinë … dhe për të gjithë njerëzit në kohën e vetë Zotit.”
Muajin e kaluar, ndërkohë që po vizitonte shenjtorët në Puerto-Riko dhe po kujtonte uraganin shkatërrimtar të një viti më parë, Presidenti Nelson foli me dashuri e dhembshuri:
“ [Kjo] është pjesë e jetës. Është arsyeja pse jemi këtu. Jemi këtu për të pasur një trup dhe për t’u provuar e për t’u vënë në provë. Disa nga ato prova janë fizike; disa janë shpirtërore dhe sprovat tuaja këtu kanë qenë si fizike, ashtu edhe shpirtërore.”
“Ju nuk jeni dorëzuar. Sa mirënjohës jemi për ju! Ju, shenjtorë besnikë, keni humbur shumë, por gjatë gjithë kësaj, e keni mbajtur gjallë besimin tuaj te Zoti Jezu Krisht.”
“Duke i zbatuar urdhërimet e Perëndisë, ne mund të gjejmë gëzim madje në mes të rrethanave tona më të rënda.”
Do të Na Fshihen të Gjithë Lotët
Vëllezërit e motrat e mia, është premtimi im për ju se rritja e besimit tuaj te Zoti Jezu Krisht do t’ju sjellë forcë të shtuar dhe shpresë më të madhe. Juve, të drejtëve, Shëruesi i shpirtrave tanë, në kohën e Tij dhe sipas mënyrës së Tij, do t’jua shërojë të gjitha plagët. Asnjë padrejtësi, asnjë përndjekje, asnjë sprovë, asnjë trishtim, asnjë brengë, asnjë vuajtje, asnjë plagë – sado e thellë, sado e gjerë, sado e dhembshme – nuk do të përjashtohet nga ngushëllimi, paqja dhe shpresa e përhershme e Atij, krahët e hapur dhe duart e plagosura të së Cilit do të na mirëpresin përsëri në praninë e Tij. Atë ditë, dëshmon Apostulli Gjon, të drejtët “që [vijnë] nga shtrëngimi i madh”, do të qëndrojnë të “veshur me rroba të bardha … përpara fronit të Perëndisë”. Qengji “do të banojë … mes [nesh] … dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë [tuaj]”. Kjo ditë do të vijë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.