2013
Të Ndihmuarit e Fëmijëve për t’u Përgatitur për Pagëzim
Prill 2013


Të Ndihmuarit e Fëmijëve për t’u Përgatitur për Pagëzim

Fëmijëria është një kohë për plot herë të para që sjellin gëzim. Ngarja e një biçiklete për herë të parë, vajtja në shkollë për herë të parë ose të provuarit e një ushqimi të ri janë disa nga aventurat emocionuese që i japin formë jetës së një fëmije. Si të rritur, ne kemi mundësinë për t’i ndihmuar fëmijët përgjatë atij shtegu të zbulimit. Si të rritur në Kishë, ne gjithashtu kemi mundësinë për t’i ndihmuar ata të rriten në ungjill (shih DeB 68:25). Çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar që pagëzimi i një fëmije – besëlidhja e parë që një njeri bën me Atin tonë të dashur Qiellor – të jetë një ngjarje e bukur dhe kuptimplotë?

“Ai është parimi bazë i kësaj Kishe për ta mësuar rininë: në fillim në shtëpi dhe më pas në kishë”, tha Presidenti Bojd K. Paker.1

Në shembujt e mëposhtëm, prindërit tregojnë se si i kanë përgatitur fëmijët e tyre për ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta të pagëzimit dhe të konfirmimit.

Ne Fillojmë Herët

“Viti kur çdo fëmijë mbush shtatë vjeç është koha për të festuar”, thotë Lori, një nënë e katër fëmijëve. Ajo dhe bashkëshorti i saj i mësojnë fëmijët rreth pagëzimit që nga dita kur ata linden. Megjithatë, kur çdo fëmijë mbush shtatë vjeç, familja e tyre fillon një përgatitje më të veçantë. Ata mbajnë një mësim çdo muaj në mbrëmjet familjare rreth temave të ndryshme që lidhen me pagëzimin, të tilla si besëlidhjet dhe shembulli i Jezusit.

Lori thotë se mësimet gjatë muajit që fëmijët kanë ditëlindjen e tetë vjetorit, janë veçanërisht prekës. Ajo u tregon fëmijëve rrobat që veshën kur morën një emër e një bekim dhe ajo u flet për ditën kur u krye ajo ordinancë.

“Është koha e përsosur për t’u përqendruar te bekimet e besëlidhjeve të tempullit”, vë në dukje Lori. “Ne gjithmonë i vëmë rëndësi të mësuarit që zgjedhja për t’u pagëzuar është hapi i parë në përgatitjen për bekimet e tempullit.”

Ne e Bëjmë një Çështje të Familjes

Monika, një nënë me katër fëmijë, rekomandon përfshirjen e fëmijëve më të rritur që të ndihmojnë në përgatitjen e motrave dhe vëllezërve më të vegjël, kurdoherë që është e mundur. “Dëgjimi i vëllait ose motrës së tyre adoleshente duke dëshmuar dhe duke treguar përvojën e tij ose të saj, me të vërtetë shton fuqi”, thotë ajo. Lori thotë se nganjëherë ata u kërkojnë fëmijëve që po përgatiten për pagëzim, që t’u mësojnë atë që ata u kanë mësuar vetë vëllezërve dhe motrave të tyre më të vegjël.

Ne e Përdorim si Mjet Misionar

Kur vajza e Danielit mbushi tetë vjeç, ai e dinte se ajo do të dëshironte ta ndante ditën e saj të pagëzimit me shoqet dhe shokët që nuk ishin anëtarë të Kishës. Kështu, familja e tyre vendosi t’u bënte ftesa për pagëzimin e Alisonit miqve nga shkolla dhe nga lagjja e banimit. Këtyre miqve iu kërkua të sillnin vargje të preferuara nga Bibla lidhur me pagëzimin. Pas pagëzimit, Alisoni i nënvizoi vargjet në kompletin e saj të shkrimeve të shenjta dhe shkroi emrat e miqve të saj në cep.

“Sigurisht, si familja e saj, ne ishim shumë të përfshirë në atë ditë. Por gjithashtu e lamë atë të ishte me miqtë e saj për një kohë të gjatë më pas dhe për të folur me ta rreth asaj që ndieu”, tha Danieli. “Ishte një çast vërtet prekës ta shihnim fëmijën tonë të bëhej një shembull.”

Ne Praktikojmë Intervistën me Peshkopin

Kimberli, një nënë me fëmijë që po i afroheshin moshës së pagëzimit, e kujton hyrjen në zyrën e peshkopit për intervistën e saj pagëzimore, kur ishte tetë vjeç. “Isha shumë e shqetësuar!” thotë Kimberli.

Tani ajo përpiqet të sigurohet që fëmijët e saj të mos përballen me ndjenja paniku. Ajo dhe bashkëshorti i saj u flasin fëmijëve të tyre rreth intervistës me peshkopin dhe u bëjnë pyetje rreth pagëzimit në një mjedis të ngjashëm me atë të intervistës. Këto intervista bëjnë më shumë sesa thjesht t’i njohin fëmijët me procesin e intervistës – ato gjithashtu i nxisin fëmijët të mendojnë thellë rreth asaj se çfarë do të thotë për ta besëlidhja e pagëzimit.

Ne Kemi një Mundësi të Mrekullueshme

Këta prindër vënë shpejt në dukje se nuk kanë bërë ndonjë gjë të stërmadhe në përgatitjen e fëmijëve të tyre për pagëzim dhe konfirmim, për shumë prej tyre përdorën vërtet fjalë të tilla si “tërësor” dhe “të vazhdueshëm” për të përshkruar mësimet që ata dhanë gjatë viteve. “Ne u siguruam që fëmijët tanë ta kuptonin se ky ishte një hap i rëndësishëm në jetën e tyre dhe se ishte diçka e madhe” thotë Kimberli. “Ne gjithmonë u siguruam që të ishim ne ata që po i përgatisnin dhe jo thjesht të shpresonim se mësuesit e tyre të Fillores do t’u jepnin mësim.”

Çfarë mundësie e mrekullueshme që na është dhënë t’i ndihmojmë fëmijët që i duam, të përgatiten për pagëzim dhe konfirmim! Kur e bëjmë këtë gjë plot lutje, Zoti do të jetë me ne për t’i dhënë kësaj përvoje të parë të bërjes së besëlidhjes formën e një themeli të fuqishëm për rritje shpirtërore në të ardhmen.

Shënim

  1. Bojd K. Paker, “Teach the Children”, Liahona, maj 2000, f. 16.

Fotoilustrime nga John Luke, Craig Dimond dhe Cody Bell