“Plani i Shpëtimit: Plani i Atit Qiellor për Fëmijët e Tij”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Plani i Shpëtimit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Materiale Paraqitëse
Plani i Shpëtimit
Plani i Atit Qiellor për Fëmijët e Tij
Përmes udhëtimit tonë në vdekshmëri, shpesh dalin pyetje rreth qëllimit dhe kuptimit të jetës: Nga kam ardhur unë? Përse jam këtu? Ku po shkoj? Dija e përgjigjeve për këto pyetje mund të të ndihmojë për të kaluar nëpër sfidat e jetës dhe për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve të Zotit. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh e ta ndiesh rëndësinë e planit të Atit Qiellor.
Plani i Atit Qiellor
-
Pa çfarë njohurie mendon se nuk mund të jetoje dot? Përse?
Nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe zbulesës moderne, ne kemi njohuri për jetën para lindjes, Shlyerjen e Shpëtimtarit, jetën pas vdekjes dhe shumë elemente të tjera të ekzistencës sonë të përjetshme. Pa këtë njohuri do të ishte e vështirë të jetonim. Merr pak kohë për të menduar se çfarë di rreth planit të Atit Qiellor. Përsiat se si mund të ishte jeta jote pa atë njohuri.
Teksa studion sot, kërko shoqërimin e Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar të mësosh më shumë rreth planit plot dashuri të Atit Qiellor për fëmijët e Tij.
Plani i Atit Qiellor në Librin e Mormonit
Libri i Mormonit na mëson shumë rreth planit të Atit Qiellor. Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli: “Unë dëshmoj se Libri i Mormonit është vërtet fjala e Perëndisë. Ai përmban përgjigjet për pyetjet më të vështira të jetës” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 62). Këtu janë disa nga pyetjet të cilave u përgjigjet Libri i Mormonit. Përzgjidh të paktën dy dhe lexo fragmentin e shkrimit të shenjtë që të ndihmon t’i përgjigjesh pyetjes.
-
Çfarë na mëson Libri i Mormonit për jetën para lindjes? (Alma 12:25, 30; fraza “krijimi i botës” i referohet jetës para lindjes.)
-
Çfarë roli luan Jezu Krishti në planin e Atit Qiellor? (Alma 22:12–14)
-
Cili është qëllimi i jetës? (Alma 34:32–33)
-
Çfarë ndodh kur vdesim? (Alma 40:11–14, 21–23)
-
Çfarë do të ndodhte pa Shlyerjen e Jezu Krishtit? (2 Nefi 9:6–11)
Plani i Atit Qiellor dhe jeta ime
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si të kuptuarit e planit të Atit Qiellor për shpëtimin mund të na ndihmojë në jetën tonë.
“Ne të vdekshmit kemi një pamje të kufizuar të jetës nga këndvështrimi i përjetshëm. Por nëse e dimë dhe e kuptojmë planin e Atit Qiellor, ne kuptojmë se të përballemi me kundërshti është një nga mënyrat kryesore se si vihemi në provë. …
Duke u përqendruar te parimet e planit të Atit Qiellor për lumturinë tonë të përjetshme dhe duke i jetuar ato, ne mund ta shkëputim veten tonë nga ligësia e botës. Nëse ankorohemi tek të kuptuarit e saktë të asaj që jemi, përse jemi këtu në këtë tokë dhe se ku mund të shkojmë pas kësaj jete të vdekshme, Satani nuk mund ta kërcënojë lumturinë tonë me anë të çfarëdo forme tundimi. Nëse jemi të vendosur të jetojmë sipas planit të Atit Qiellor, ne do ta përdorim lirinë morale të zgjedhjes që na është dhënë nga Perëndia, për të marrë vendime bazuar tek e vërteta e zbuluar, jo te mendimet e të tjerëve ose tek të menduarit aktual të botës.” (M. Russell Ballard, “Answers to Life’s Questions”, Liahona, maj 1995, f. 23–24)