“Të Mësuarit me anë të Shpirtit: ‘Nëpërmjet Fuqisë së Frymës së Shenjtë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Të Mësuarit me anë të Shpirtit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Materiale Paraqitëse
Të Mësuarit me anë të Shpirtit
“Nëpërmjet Fuqisë së Frymës së Shenjtë”
Gjatë gjithë Librit të Mormonit, profetët theksuan rolin e rëndësishëm të Frymës së Shenjtë. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë që ti t’i njohësh Ata dhe ta mësosh të vërtetën “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:5). Ky mësim mund të të ndihmojë të përcaktosh rolet kyç të Frymës së Shenjtë, të cilat janë thelbësore për rritjen dhe përparimin tënd shpirtëror.
Komunikimi shpirtëror
Mendo rreth mjeteve të shumta e të ndryshme të komunikimit që ekzistojnë në botë, dhe se si mund të ndikojnë ato në jetën tënde. Një mjet i rëndësishëm që e ka përmirësuar shumë komunikimin në mbarë botën, është telefoni inteligjent.
-
Çfarë roli mund të luajë një telefon inteligjent për t’i ndihmuar njerëzit të qëndrojnë të lidhur?
-
Si mund ta ndihmojë ai një person për të përftuar njohuri dhe për të kuptuar më shumë rreth botës?
Edhe më i rëndësishëm se çdo mjet komunikimi fizik, Ati Qiellor e dinte në mënyrë të përsosur se sa thelbësor do të ishte për ne komunikimi shpirtëror gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri. Ai ka siguruar Frymën e Shenjtë për të të ndihmuar të qëndrosh i/e lidhur me Të dhe të kuptosh gjithçka që është e nevojshme për lumturi tani dhe shpëtimin tënd më pas.
Mendo rreth çasteve në jetën tënde kur ke përjetuar ndikimin e Frymës së Shenjtë dhe se si ndikimi i Tij e ka bekuar jetën tënde. Ndoshta mund të pyesësh veten a ke marrë mësim ndonjëherë nga Fryma e Shenjtë ose a e ke ndier ndonjëherë ndikimin e Tij. Teksa studion dhe përcakton rolet thelbësore të Frymës së Shenjtë, merr parasysh se si ndikimi i Tij mund ta bekojë jetën tënde dhe përsiat pyetjet vijuese:
-
Sa mirë i kuptoj rolet e Frymës së Shenjtë?
-
Si mund ta ftoj më mirë ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën time?
-
Si e kam ndier dhe dalluar Frymën e Shenjtë në jetën time deri tani?
Dy rolet e Frymës së Shenjtë
Fryma e Shenjtë shërben për shumë qëllime dhe ka një larmi rolesh. Lexo grupin e mëposhtëm të shkrimeve të shenjta, duke kërkuar dy rolet thelbësore të Frymës së Shenjtë.
-
Roli 1: 2 Nefi 26:12–13; 3 Nefi 28:11
-
Roli 2: 1 Nefi 10:19; Moroni 10:4–5
-
Çfarë zbulove?
Lexo thënien në vijim nga Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Fryma e Shenjtë është ai që zbulon dhe dëshmon për gjithë të vërtetën, veçanërisht atë për Shpëtimtarin. Pa Frymën e Shenjtë, ne nuk mund ta dimë vërtet se Jezusi është Krishti. Roli i Tij thelbësor është që të japë dëshmi për Atin dhe Birin, për titujt e Tyre dhe lavdinë e Tyre.” (Kuentin L. Kuk, “Bekimi i Zbulesës së Vazhdueshme të Dhënë Profetëve dhe i Zbulesës Vetjake për ta Udhërrëfyer Jetën Tonë”, Liahona, maj 2020, f. 98)
-
Çfarë të vërtetash mund të përcaktohen nga referencat e shkrimeve të shenjta që studiove, dhe nga thënia e Plakut Kuk?
Një e vërtetë e rëndësishme që mund të kesh përcaktuar, është: Fryma e Shenjtë jep mësim të vërtetën dhe dëshmon për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Merr parasysh ta mbash shënim këtë ose të vërteta të ngjashme në shkrimet e tua të shenjta ose në ditarin tënd të studimit. Mbajtja shënim rregullisht e të vërtetave mund ta forcojë kujtesën tënde shpirtërore dhe ta lejojë Frymën e Shenjtë të t’i sjellë ato ndërmend kur nevojiten (shih Gjoni 14:26).
-
Si mund të sjellë dobi në jetën tënde të kuptuarit e këtyre dy roleve të Frymës së Shenjtë?
Përsiat në heshtje ndonjë përvojë që mund të kesh pasur me Frymën e Shenjtë dhe se si e ke vënë re se Fryma e Shenjtë po vepron në jetën tënde.
-
Si të ka ndihmuar Fryma e Shenjtë të ndihesh më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Kur e ke ndier Frymën e Shenjtë duke dëshmuar të vërtetën?
-
Çfarë duhet të bësh nëse nuk e ndien se ke pasur përvoja me Frymën e Shenjtë?
Të ndierit dhe të ftuarit e Frymës së Shenjtë
Fryma e Shenjtë mund të komunikojë me ne në shumë mënyra. Shpirti mund ta ndriçojë mendjen tënde, të të ndihmojë të përjetosh paqe e gëzim, dhe të të drejtojë të bësh atë që është e drejtë (shih Doktrina e Besëlidhje 11:12–13; Galatasve 5:22–23). Shkrimet e shenjta shpesh e përshkruajnë ndikimin e Tij si një “zë të qetë, të ulët” të cilin ne e “nd[iejmë]” (shih te 1 Nefi 17:45).
Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi disa nga mënyrat se si Fryma e Shenjtë mund të komunikojë me ne:
“Përvoja ime ka qenë se Shpirti më së shumti komunikon si një ndjenjë. Ju e ndieni atë në fjalë që janë të njohura për ju, që kanë kuptim për ju, që ju nxitin. …
… Shpirti flet fjalë që ne i ndiejmë. Këto ndjenja janë të buta, një shtytje e lehtë për të vepruar, për të bërë diçka, për të thënë diçka, për të reaguar në njëfarë mënyre. Nëse jemi rastësorë ose të vetëkënaqur në adhurimin tonë, të largët dhe moskokëçarës si pasojë e veprimtarive në botë, ne do ta gjejmë veten të mpakur në aftësinë tonë për të ndier.” (Ronald A. Rasband, “Shpirti i Shenjtë na Udhëzoftë”, Liahona, maj 2017, f. 94–95)
-
Cilat janë disa nga mënyrat se si e ke ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë?
-
Si mund të jetë një bekim në jetën tënde dallimi i rasteve kur e ndien Frymën e Shenjtë?
Shkrimet e shenja përmbajnë shumë shembuj të individëve që e kërkuan me zell ndikimin e Frymës së Shenjtë. Nefi dhe bijtë e Mosias në Librin e Mormonit janë disa prej tyre.
Lexo te 1 Nefi 2:16–17 dhe Alma 17:2–3, duke kërkuar për veprime të drejta që e ftuan Frymën e Shenjtë.
-
Duke u bazuar te këto vargje dhe vetë idetë e tua, cilat janë disa nga mënyrat se si mund ta ftojmë Frymën e Shenjtë në jetën tonë?