“Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 3: Kërkoni Kuptueshmëri të Mëtejshme nëpërmjet Burimeve të Caktuara në Mënyrë Hyjnore” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 3: Kërkoni Kuptueshmëri të Mëtejshme nëpërmjet Burimeve të Caktuara në Mënyrë Hyjnore” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 3
Kërkoni Kuptueshmëri të Mëtejshme nëpërmjet Burimeve të Caktuara në Mënyrë Hyjnore
Njëri prej qëllimeve të zotërimit doktrinor është të të ndihmojë t’i mësosh dhe zbatosh parimet për marrjen e njohurisë shpirtërore. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh rëndësinë e kërkimit të së vërtetës nga burimet që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë siguruar me dashuri.
Burimet kanë rëndësi
Reflekto për një çast për domethënien e ujit në jetën tënde.
-
Kur ka më tepër rëndësi për ty që të kesh ujë?
-
Pse burimi i ujit që pi është i rëndësishëm?
Kërkimi i së vërtetës mund të jetë si pirja e ujit: burimi ka rëndësi. Mendo për burimet të cilave u drejtohesh kur ke pyetje ose shqetësime. Sa i sigurt je se këto burime sigurojnë përgjigje të vërteta?
Kërkimi i përgjigjeve nga burimet e besueshme mund të bëjë ndryshimin mes të mësuarit të së vërtetës dhe të qenit i mashtruar nga idetë e rreme. Ne mund të mos ta dallojmë gjithnjë kur burimet përmbajnë keqinformim. Disa burime mund edhe të bëhen me qëllimin për të shkaktuar mosbesim, frikë dhe dyshime. Ati Qiellor dëshiron t’u përgjigjet pyetjeve të tua të sinqerta dhe ka siguruar burime të besueshme për të të udhërrëfyer. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të mësosh rreth burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore dhe të kërkosh përgjigje nëpërmjet tyre.
Kërkimi i së vërtetës
Në Librin e Mormonit, një burrë i quajtur Sherem u ballafaqua me Jakobin, vëllanë e Nefit, në një tentativë që ta “tundte [Jakobin] nga besimi]” (Jakobi [LiM] 7:5). Sheremi pretendoi se Jakobi po jepte mësim doktrinë të rreme rreth Jezu Krishtit: “Asnjë njeri nuk i di këto gjëra; pasi ai nuk mund të tregojë për gjërat që do të vijnë” (Jakobi [LiM] 7:7). Jakobi u përgjigj duke deklaruar se si e dinte të vërtetën rreth Shpëtimtarit të ardhshëm.
Lexo te Jakobi [LiM] 7:8–12, duke kërkuar burime që e ndihmuan Jakobin të mësonte rreth Jezu Krishtit.
-
Si mendon, pse Jakobi besonte që këto burime jepnin të vërtetën?
Lexoji paragrafët 1, 11–12 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018) duke kërkuar informacion rreth burimeve të njohurisë. Merre parasysh t’i shenjosh fjalët dhe frazat që janë domethënëse për ty.
Pyetjet e shpirtit
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u është referuar pyetjeve dhe shqetësimeve të vështira të jetës si “pyetje të shpirtit” (shih “Po Të Më Kishit Njohur”, Liahona, nëntor 2016, f. 103). Në ditarin tënd të studimit, rendit disa “pyetje të shpirtit”. Këto mund të jenë pyetje që ke ti ose pyetje që mund të kenë miqtë e tu ose pjesëtarë të familjes sate.
Zgjidh një pyetje për të cilën të nevojitet ndihma e Atit Qiellor për ta kuptuar. Shpenzo ca kohë për të kërkuar kuptueshmëri të mëtejshme nga burimet e caktuara në mënyrë hyjnore. Ftoje Frymën e Shenjtë të të udhërrëfejë dhe shënoje në ditarin tënd të studimit të kuptuarit që merr.
Për të filluar mund të kërkosh në ChurchofJesusChrist.org, në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose në numrat e konferencave të revistave të Kishës për të gjetur thënie nga udhëheqësit e Kishës që trajtojnë pyetjen tënde. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe treguesi i kombinimit tresh mundet gjithashtu të përcaktojnë shkrime të shenjta të dobishme.
Mbaje mend, kërkimi i përgjigjeve për pyetjet shpirtërore do kohë. Ndërsa e ndjek modelin e Zotit për marrjen e njohurisë shpirtërore, Fryma e Shenjtë mund të të mësojë “rresht pas rreshti, … pak këtu dhe pak atje” (2 Nefi 28:30). Kërko mundësi për t’ua treguar atë që po mëson, pjesëtarëve të familjes ose udhëheqësve të Kishës.