“1 Nefi 8:19–38: Mbahuni Fort te Fjala e Perëndisë” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“1 Nefi 8:19–38: Mbahuni Fort te Fjala e Perëndisë” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
1 Nefi 8:19–38
Mbahuni Fort te Fjala e Perëndisë
Shumë njerëz në botë duan të ndiejnë gëzim dhe dashuri por nuk e dinë se ku ta gjejnë. Nëpërmjet vegimit të tij për pemën e jetës, Lehi mësoi rreth shtegut që duhet të përshkojmë dhe si të qëndrojmë në të për të shijuar bekimet e dashurisë së Perëndisë. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndjekësh fjalën e Perëndisë që të të udhërrëfejë drejt bekimeve të Tij më të mëdha.
Vegimi i Lehit
Gjej një çast për të parë këtë pikturë të vegimit të Lehit. Ajo përfshin pemën, e cila përfaqëson dashurinë e Perëndisë, dhe frutën e saj, që simbolizon bekimet e ofruara nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Dejvid A. Bednar, “Ëndrra e Lehit: Duke u Mbajtur me Vendosmëri te Shufra”, Ensign, tetor 2011, f. 32–37). Ajo gjithashtu përfshin disa elemente shtesë.
-
Çfarë të bie në sy te kjo pikturë?
-
Çfarë të vërtetash mëson nga ajo që vëren?
Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Ju mund të mendoni se ëndrra apo vegimi i Lehit nuk ka ndonjë kuptim të veçantë për ju, por në fakt ka. Ju jeni pjesë e saj; të gjithë ne jemi në të.” (Boyd K. Packer, “Finding Ourselves in Lehi’s Dream [“Gjetja e Vetes në Ëndrrën e Lehit”], Liahona, gusht 2010, f. 22)
Ndërsa e studion këtë mësim, kërko udhërrëfim nga Ati Qiellor për të kuptuar se si mund të lidhet vegimi i Lehit me jetën tënde. Kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë ta marrësh gëzimin e premtuar nëpërmjet Shpëtimtarit, si dhe çfarë pengesash mund të të nevojitësh të shmangësh ose kapërcesh.
Shumë njerëz duke u shtyrë përpara
Në ëndrrën e vet, Lehi pa “grumbullime të panumërta njerëzish” (1 Nefi 8:21) duke u përpjekur të çanin rrugën për te pema e jetës. Ata hasën disa elemente që ndikuan në aftësinë e tyre për të shkuar te pema: mjegulla e errësirës, shufra e hekurit dhe njerëzit në ndërtesën e gjerë e të madhe. Mund t’i shohësh këto tri elemente në pikturën e mësipërme.
Ndërsa lexon te 1 Nefi 8:22–34, kërkoji këto elemente dhe atë që mendon se mund të simbolizojnë ato.
Mendo rreth tundimeve me të cilat përballesh dhe në çfarë mënyre krenaria mund të ndikojë tek ti. Përsiat se si këto mund të të shpërqendrojnë ose ta pengojnë aftësinë tënde për të ardhur te Krishti dhe për ta ndier dashurinë e Perëndisë.
Ndihma që na ofron Perëndia
Në vegimin e Lehit, Perëndia kishte përgatitur mënyra gjithashtu për t’i ndihmuar fëmijët e Tij të shkonin te pema. Atje kishte “një shteg të ngushtë dhe të ngushtuar” (1 Nefi 8:20) që të çonte te pema. Përgjatë shtegut, Ai siguroi një “shufër hekuri” që i udhëhiqte njerëzit (1 Nefi 8:19, 24, 30).
-
Si mendon, çfarë mund të jetë domethënëse rreth shufrës që bërë me hekur?
Lexo te 1 Nefi 15:23–25 për të zbuluar se çfarë dha mësim Nefi rreth kuptimit të shufrës së hekurit dhe premtimet e tij rreth saj.
-
Çfarë të bëri përshtypje nga këto vargje?
Një e vërtetë që mund të mësojmë, është se nëse ia vëmë veshin dhe mbahemi fort te fjala e Zotit, tundimet e kundërshtarit nuk do të na mposhtin.
-
Si mund të japin siguri dhe forcë gjatë kohëve të tundimit fjalët e Zotit në shkrimet e shenjta dhe ato të thëna nga profetët e Tij?
-
Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si fjala e Perëndisë mund të na udhëheqë të marrim bekimet dhe gëzimin që ofron Shpëtimtari nëpërmjet Shlyerjes së Tij?
-
Çfarë të mëson kjo e vërtetë rreth Zotit?
Për ta mbyllur këtë mësim, përsiat se ku je në atë vegim. Si ke ardhur te Shpëtimtari dhe si po vazhdon të përpiqesh fort që të vish tek Ai? Me çfarë shpërqendrimesh dhe tundimesh përballesh? Si po të ndihmon Zoti nëpërmjet fjalës së Tij?
Merr parasysh të vlerësosh synimin për studimin e shkrimeve të shenjta dhe si po të ndihmon ai, si dhe çdo përmirësim ose ndryshime që do të të pëlqente të bëje. Nëse nuk ke një synim studimi, merr parasysh të gjesh disa çaste për ta vënë një të tillë.