“1 Nefi 19–22: ‘Ata Mund të Harrojnë, por Unë Nuk do të të Harroj’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“1 Nefi 19–22: ‘Ata Mund të Harrojnë, por Unë Nuk do të të Harroj’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
1 Nefi 19–22
“Ata Mund të Harrojnë, por Unë Nuk do të të Harroj”
Si ndihesh kur të kujton dikush që është i rëndësishëm për ty? Ndërkohë që jepte mësim rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së Izraelit, Nefi i përdori profecitë e Isaias për të treguar se Zoti nuk do ta harronte shtëpinë e shpërndarë të Izraelit. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh dashurinë e Zotit për ty dhe për të gjithë njerëzit dhe dëshirën e Tij për të të mbledhur pranë Vetes.
Dashuria e Shpëtimtarit për ne
Ka raste kur secili prej nesh mund ta dallojë dhe ndiejë dashurinë e Perëndisë në jetën tonë, por në raste të tjera mund të mos e dallojmë fare atë. Imagjino sikur po flet me një shoqe që të tha se ajo nuk është e sigurt që Perëndia e do.
-
Çfarë mund t’i tregosh nga shkrimet e shenjta që mund ta ndihmojë shoqen tënde?
-
Çfarë përvojash mund t’i tregosh shoqes sate rreth mënyrës se si ke arritur ta njohësh dhe ndiesh dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Përsiati ndjenjat e tua rreth dashurisë së Perëndisë për ty, përfshirë çdo pyetje ose shqetësim që mund të kesh. Ndërsa studion, kërko për të vërteta që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë dhe ta ndiesh dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ty.
Nefi jep mësim rreth dashurisë së Shpëtimtarit për ne
Te 1 Nefi 19, Nefi profetizoi për jetën dhe misionin e ardhshëm të Jezu Krishtit. Lexo te 1 Nefi 19:7–10, duke kërkuar atë që Nefi dha mësim rreth mënyrës se si Jezu Krishti do të trajtohej gjatë kohës së Tij në tokë dhe pse Ai do të ishte i gatshëm të trajtohej në këtë mënyrë.
-
Çfarë fjalësh apo frazash të bëjnë më shumë përshtypje nga këto vargje? Përse?
-
Si mund të ndikojë të kuptuarit e mësimeve në këto vargje te ndjenjat e tua për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Pasi i shënoi profecitë e tij rreth Jezu Krishtit, Nefi tregoi profeci nga profeti i Dhiatës së Vjetër, Isaia rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së Izraelit. Këto profeci qenë të rëndësishme për Nefin dhe familjen e tij, që ishin shpërndarë nga vendlindja e tyre, Jerusalemi, për shkak të ligësisë së njerëzve që jetonin në zonë. Profecitë e Isaias treguan se shumë nga izraelitët do të ndiheshin të harruar nga Zoti në gjendjen e tyre të shpërndarë.
Lexo te 1 Nefi 21:14–16 dhe kërko fjalët e Zotit për ata që do të ndiheshin të harruar.
Dashuria e Shpëtimtarit manifestohet nga gatishmëria e Tij për të mbledhur njerëzit pranë Vetes
Njerëzit e Izraelit të lashtë shpërndaheshin sa herë që ndalonin ta adhuronin Jehovën dhe i shkelnin besëlidhjet dhe urdhërimet e Perëndisë (shih te 2 Nefi 6:10–11; 10:3–6). Populli i Izraelit mblidhet kur ata vijnë te Krishti, e pranojnë ungjillin e Tij nëpërmjet pagëzimit dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij. Shpëtimtari i premtoi Izraelit të shpërndarë se Ai nuk do t’i harronte ata dhe se Ai do t’i mblidhte te vetja në ditët fundit (shih te 1 Nefi 15:13–14; 2 Nefi 6:11; 9:1–2; 10:7–8).
Studioji krerët e kapitujve te 1 Nefi 21 dhe 22 për ta kuptuar më mirë atë që Isaia po profetizon dhe po jep mësim në këta kapituj.
Studioji fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta rreth mbledhjes së Izraelit në ditët e mëvonshme. Kushtoju vëmendje fjalëve ose frazave që tregojnë dashurinë e Zotit për popullin e Tij.
Ndërsa e mbyll mësimin e sotëm, mendo rreth asaj që ke mësuar dhe ndier rreth dashurisë së Perëndisë. Merr parasysh se si Perëndia të ka mbajtur mend dhe të është gjendur me mëshirë dhe dashamirësi. Çfarë mund të bësh për të treguar mirënjohje për atë që Ai ka bërë për ty? Merr parasysh t’i shkruash mendimet dhe mbresat e tua shpirtërore në ditarin tënd të studimit.