“2 Nefi 32:1–7: ‘Ushqehuni me Bollëk me Fjalët e Krishtit’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 32:1–7”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 32:1–7
“Ushqehuni me Bollëk me Fjalët e Krishtit”
Përfytyro një gosti kremtuese me bollëk ushqimesh të shijshme. Si e sheh veten duke e shijuar një gosti të tillë? Pasi i dha mësim popullit të tij rreth ndjekjes së Jezu Krishtit përgjatë shtegut të besëlidhjeve, Nefi pati ndjesinë se ata ishin ende të pasigurt rreth asaj që duhej të bënin pas pagëzimit. Ai u përgjigj duke i inkurajuar ata që të “ushqeh[eshin] me bollëk me fjalët e Krishtit” dhe i siguroi ata që fjalët e Shpëtimtarit do t’i udhërrëfenin ata për të shkuar përpara (2 Nefi 32:3). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ushqehesh me bollëk me fjalët e Jezu Krishtit.
Koha për të ngrënë!
Vështroji figurat vijuese dhe mendo rreth ngjashmërive dhe ndryshimeve mes ngrënies së një ushqimi të lehtë, ngrënies së një vakti ose të ushqyerit me bollëk gjatë një rasti të veçantë.
-
Cilat janë disa ngjashmëri dhe ndryshime për të cilat mendove?
-
Po ta krahasonim studimin e fjalëve të Krishtit me këto tri mënyra ngrënieje, çfarë mund të përfaqësojë secila?
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë t’ju bekojnë me udhërrëfim, drejtim, ndihmë dhe ngushëllim. Mendo rreth herës së fundit kur i studiove fjalët e Shpëtimtarit. A do ta përshkruajë përvojën si kur hëngre lehtë, hëngre aq sa duhet apo u ushqeve me bollëk? Po gjatë javës ose muajit të fundit? Ndërsa e vazhdon studimin tënd, kërko ndihmën e Frymës së Shenjtë për të ditur se si studimi i fjalëve të Krishtit ka qenë një bekim në jetën tënde. Kërko gjithashtu frymëzim që të të ndihmojë të dish se si t’i përmirësosh përpjekjet e tua për t’u ushqyer me bollëk me fjalët e Krishtit.
Fjalët e Jezu Krishtit
Sill ndër mend se Nefi i dha mësim popullit të tij rreth “shteg[ut] të ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme” dhe kualifikimeve për ta filluar atë udhëtim (shih te 2 Nefi 31:17–18). Nefi e kuptoi se njerëzit e tij vrisnin mendjen se çfarë të bënin pasi të merrnin ordinancën e pagëzimit dhe si të vazhdonin në shtegun e besëlidhjeve.
Lexo te 2 Nefi 32:1–3, duke kërkuar këshillën e Nefit rreth studimit të fjalëve të Krishtit. Ndërsa e bën këtë, mendo rreth shqetësimeve, pyetjeve dhe nevojave të tua vetjake dhe se si mund të të sjellin dobi mësimet e Nefit. Mund të jetë e dobishme të dish se fraza “flisnit me gjuhën e engjëjve” (2 Nefi 32:2) “thjesht do të thotë [të] … flisni me fuqinë e Frymës së Shenjtë” (Boyd K. Packer, “The Gift of the Holy Ghost: What Every Member Should Know”, Ensign, gusht 2006, f. 50).
-
Çfarë zbulove?
Një e vërtetë që mund të kesh zbuluar nga 2 Nefi 32:3 është se kur ushqehemi me bollëk me fjalët e Jezu Krishtit, ato do të na i tregojnë të gjitha gjërat që duhet të bëjmë. Merre parasysh ta shenjosh këtë të vërtetë në shkrimet e tua të shenjta.
-
Ku mund t’i gjejmë fjalët e Jezu Krishtit?
-
Si mendon, pse Nefi e përdori frazën “ushqehuni me bollëk” kur përshkroi se si ne duhet t’i studiojmë fjalët e Shpëtimtarit (2 Nefi 32:3)?
Lexoje thënien në vijim nga Plaku Takashi Uada, i Të Shtatëdhjetëve. Nëse është në dispozicion, merr parasysh ta shikosh mesazhin e Plakut Uada në ChurchofJesusChrist.org nga kodi kohor 00:53 deri në 01:42.
“Kur isha i vogël, mendoja se ushqyerja me bollëk ishte thjesht pasja e një vakti të bollshëm me oriz, sushi dhe salcë soje. Tani e di se ushqyerja e vërtetë me bollëk është më shumë se të shijosh një vakt të shijshëm. Ajo është një përvojë gëzimi, edukimi, kremtimi, dhënieje, shprehjeje dashurie për familjet e të dashurit, komunikimi të falënderimeve tona Perëndisë dhe ndërtim marrëdhëniesh ndërsa gëzojmë ushqim të bollshëm e tejet të shijshëm. Unë besoj se kur ushqehemi me bollëk me fjalët e Krishtit, ne duhet të mendojmë për të njëjtën lloj përvoje. Ushqyerja me bollëk me shkrimet e shenjta nuk është thjesht t’i lexosh ato. Ajo duhet të na sjellë gëzim të vërtetë dhe të ndërtojë marrëdhënien tonë me Shpëtimtarin.” (Takashi Uada, “Duke u Ushqyer me Bollëk me Fjalët e Krishtit”, Liahona, maj 2019, f. 38–39)
-
Çfarë të bëri përshtypje nga thënia e Plakut Uada?
-
Çfarë të ndihmon, ose mund të të ndihmojë, që jo vetëm t’i lexosh fjalët e Krishtit por të ushqehesh me bollëk me to?
-
Duke kujtuar atë që di rreth Jezu Krishtit, pse mund të sjellin fjalët e Tij ndjenja gëzimi, plotësimi dhe dashurie?
-
Si mund të sigurojë të ushqyerit me bollëk me fjalët e Shpëtimtarit drejtim për jetën tënde dhe të të tregojë se çfarë duhet të bësh?
ChurchofJesusChrist.org
Marrja parasysh e vetë përvojave të tua mund të të ndihmojë të ushqehesh me bollëk me fjalët e Krishtit.
Ka shumë metoda studimi për ta përmirësuar të ushqyerit me bollëk me fjalët e Krishtit që mund të ndihmojnë, përfshirë lutjen për frymëzim përpara se të studiosh, bërjen e pyetjeve që ke bërë përpara dhe gjatë studimit, përkufizimin e fjalëve, përsiatjen, bërjen e referencave–kryq, mbajtjen e shënimeve, kërkimin e të vërtetave rreth Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit dhe përshtatjen e shkrimeve të shenjta me vetë jetën tonë (Shih te 1 Nefi 19:23).
-
Çfarë përshtypjesh të përgjithshme ose udhërrëfimi specifik të kanë ardhur ndërkohë që je ushqyer me bollëk me fjalët e Krishtit?
Të ushqyerit me bollëk me fjalët e Krishtit
Duke e përdorur atë që ke mësuar sot, gjej disa minuta për të ushtruar të ushqyerit me bollëk me fjalët e Krishtit. Kjo mund të përfshijë studimin e shkrimeve të shenjta ose fjalëve të profetëve. Provo të arrish një ose më shumë nga gjërat në vijim ndërkohë që ushqehesh me bollëk:
-
Ndërtoje marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Duaji dhe mirëbesoju Atyre më shumë.
-
Gjej të vërteta që të sjellin gëzim dhe plotësim.
-
Merr udhërrëfim për atë që duhet të bësh në jetën tënde.