“Mosia 4:9–10: ‘Besoni në Perëndinë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mosia 4:9–10”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mosia 4:9–10
“Besoni në Perëndinë”
A ke ndaluar ndonjëherë për të përsiatur ndikimin që kanë bindjet e tua te veprimet e tua dhe te njeriu që po bëhesh? Ndërkohë që dha mësim rreth asaj që duhet të bëjmë për të mbajtur një heqje të mëkateve tona, mbreti Beniamin theksoi rëndësinë e të besuarit te Perëndia. Ky mësim mund të të ndihmojë ta forcosh besimin tënd te Perëndia dhe dashurinë tënde për Të.
Ndikimi i bindjeve tona
Në vijim janë disa ide të rreme që njerëzit dikur mendonin se ishin të vërteta. Përsiate ndikimin që këto bindje mund të kenë pasur në jetën e atyre individëve
-
Bota është e sheshtë.
-
Prej zhabave të dalin lytha.
-
Yjet rrotullohen rreth tokës.
-
Çfarë problemesh mund të vijnë nga të besuarit në ide të rreme?
-
Si i ke parë bindjet e tua ose të të tjerëve të ndikojnë te qëndrimet ose veprimet?
-
Si mund të ndikojë te ne nga ana shpirtërore ajo që besojmë?
Besoni në Perëndinë
Mbreti Beniamin dha mësim për rëndësinë e të besuarit te Perëndia. Përpara se të fillosh studimin tënd, shpenzo një çast për të reflektuar mbi atë që ti beson rreth Perëndisë. Si ndikojnë bindjet e tua rreth Perëndisë te veprimet e tua? Merre parasysh t’i renditësh në ditarin tënd të studimit disa nga këto bindje dhe të përsiatësh se pse e beson atë që beson. Gjatë gjithë studimit tënd, shto çdo mendim ose mbresë që mund të kesh.
Lexo te Mosia 4:9–10, duke kërkuar gjërat e ndryshme që mbreti Beniamin e ftoi popullin e tij të besonte rreth Perëndisë. Shkruaje secilën prej këtyre në rrathët e jashtëm. Nëse është nevoja, mund t’i shtosh më shumë rrathë figurës sate.
-
Me një fjali të thjeshtë, si mund t’i përmblidhje mësimet e mbretit Beniamin te Mosia 4:9–10? Merre parasysh ta përdorësh fjalinë tënde përmbledhëse si titullin e materialit pamor që krijove.
-
Si mund të ndikojë në jetën tënde të kuptuarit dhe të besuarit te këto mësime nga mbreti Beniamin?
-
Si i sheh këto mësime të kundërshtohen ose shpërfillen nga bota sot?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha këshillën vijuese për ata që nuk janë të sigurt a besojnë te Perëndia:
“Nëse nuk jeni të sigurt që mbase besoni te Perëndia, fillojeni nga ajo. Kuptojeni se në mungesë të përvojave me Perëndinë, dikush mund të dyshojë për ekzistencën e Perëndisë. Prandaj, vendoseni veten tuaj në një gjendje që të filloni të keni përvoja me Të. … Kërkojini Atij t’ju tregojë nëse Ai është vërtet atje – nëse Ai ju njeh. Pyeteni se si Ai ndihet rreth jush. Dhe më pas, dëgjoni.” (Rasëll M. Nelson, “Eja, Më Ndiq”, Liahona, maj 2019, f. 90)
-
Çfarë përvojash ke pasur që e kanë forcuar besimin tënd tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?
Shkuarja më thellë
Një mënyrë se si mund ta forcojmë besimin dhe mirëbesimin tonë te Perëndia, është duke mësuar nga mësimet e frymëzuara dhe përvojat e të tjerëve (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besim”). Zgjidh të paktën një nga tri veprimtaritë vijuese për të të ndihmuar ta zgjerosh besimin tënd te Perëndia:
-
Himnet: Kërko te libri i himneve fjalë, fraza, strofa ose himne të plota që japin mësim rreth natyrës dhe karakterit të Perëndisë ose që mund ta forcojnë besimin tënd tek Ai.
-
Tregime të tjera nga shkrimet e shenjta: Gjej dhe studio tregime në shkrimet e shenjta ku të tjerët dëshmuan për bindjet e tyre rreth Atit tonë Qiellor ose Birit të Tij, Jezu Krishtit. Shembuj fragmentesh që mund të studiosh, përfshijnë vargjet tek Alma 26:16, 35–37; 34:8–10 dhe Doktrina e Besëlidhje 76:22–24.
-
Konferenca e përgjithshme: Duke përdorur fjalime nga konferenca më e fundit e përgjithshme, kërko fjalë, fraza, tregime ose histori që japin mësim rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe e forcojnë besimin tënd tek Ata. (Merre parasysh t’i kërkosh fjalimet e konferencës së përgjithshme sipas temave si “Atë Qiellor”, “Kreu-Perëndi” ose “Jezu Krisht”.)
Hapat e tu të radhës
Qoftë nëse ke një besim të fortë te Perëndia ose po përpiqesh të përcaktosh se çfarë beson, ka gjëra që secili prej nesh mund t’i bëjë për ta forcuar besimin e vet te Perëndia dhe dashurinë për Të. Shpenzo një çast për të reflektuar për atë që ndien se është hapi yt i radhës drejt njohjes më mirë të Perëndisë. Shënoji mendimet dhe mbresat e tua në ditarin tënd të studimit.