“Zotërimi Doktrinor: Mosia 4:9 – ‘Besoni në Perëndinë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Zotërimi Doktrinor: Mosia 4:9”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Zotërimi Doktrinor: Mosia 4:9
“Besoni në Perëndinë”
Gjatë studimit tënd të vargjeve te Mosia 4:9–10, mësove rëndësinë e të besuarit te Perëndia. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Mosia 4:9, ta shpjegosh doktrinën dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.
Mëso përmendsh dhe shpjego
Kujtoje përvojën tënde me studimin e ftesës së mbretit Beniamin te Mosia 4:9–10 ndaj popullit të tij që të besonte te Perëndia. Nëse nevojitet, merr parasysh t’i lexosh këto vargje përsëri dhe të rishikosh diagramin që krijove në ditarin tënd të studimit nga mësimi i mëparshëm.
-
Për cilat karakteristika ose cilësi të rëndësishme të Perëndisë e ftoi popullin e tij të besonte mbreti Beniamin?
-
Si mund të ndikojë në jetën tënde të besuarit në këto cilësi hyjnore të Perëndisë?
Zgjidh një nga karakteristikat ose cilësitë e Perëndisë që përmenden te Mosia 4:9–10, të cilat mbreti Beniamin i mësoi popullit të tij ta besonte. Trego se si mund t’ia shpjegosh këtë dikujt që nuk e kupton atë që do të thotë kjo.
Fraza kyç për vargun te Mosia 4:9 është: “Besoni në Perëndinë; … besoni se ai ka të gjithë diturinë”. Veprimtaria vijuese mund të të ndihmojë ta mësosh përmendsh këtë referencë të shkrimit të shenjtë dhe frazë kyç të shkrimit të shenjtë.
Në ditarin tënd të studimit shkruaj fjalën besoni me germa të mëdha. Poshtë kësaj, shkruaj frazën në Perëndinë dhe poshtë kësaj shkruaj frazën besoni se ai ka të gjithë diturinë. Më pas shkruaj referencën e shkrimit të shenjtë Mosia 4:9 me germa të mëdha në fund. Duke nisur nga lart, thuaje çdo rresht me zë të lartë ndërsa e drejton gishtin te fjala, fraza ose referenca. Përsërite këtë veprimtari shumë herë derisa ta kesh ngulitur në kujtesë.
Ushtroje vënien në zbatim
Rishikoji shkurtimisht parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore te paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018). Mund të përpiqesh t’i renditësh të tri parimet përmendsh. Më pas, në ditarin tënd të studimit, mbaj shënim se si ti i ke përdorur, ose mund t’i përdorësh këto parime.
Lexoje skenarin vijues, duke menduar për situata në jetën tënde ku besimi yt te Perëndia është sfiduar ose nuk ka qenë aq i fortë sa do të të pëlqente.
Mira është në një klasë ku mësuesi tallet me fenë dhe nuk beson te Perëndia. Këto komente e bezdisën Mirën në fillim, por me kalimin e muajve në klasë, ajo po fillon të pyesë veten mos vallë mësuesi ka të drejtë. Ajo kishte besuar gjithnjë te Perëndia, por tani ndien se mund të jetë duke filluar të dyshojë tek ekzistenca e Perëndisë.
Përdori parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën te Mosia 4:9 për të ndihmuar në situatën e Mirës ose në një skenar tjetër në lidhje me të besuarit te Perëndia që përshtatet më tepër me jetën tënde.
Mendo rreth përgjigjeve të tuaj për pyetjet vijuese teksa merr parasysh se si do ta ndihmoje Mirën.
Vepro me besim
-
Çfarë veprimesh plot besim mund të ndërmarrë dikush nëse po has vështirësi të besojë te Perëndia?
-
Si mund ta ndihmojë atë ndërmarrja e këtyre veprimeve?
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
-
Cilat mësime nga Mosia 4:9 mund ta ndihmojnë dikë në këtë situatë që të ketë një këndvështrim të përjetshëm?
-
Si mund të ndikojë vendimi i një personi për të besuar ose për të mos besuar te Perëndia tek e ardhmja e tij ose saj?
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
-
Çfarë fragmentesh të tjera nga shkrimet e shenjta ose përvoja (që ti ose të tjerët kanë pasur) mund ta ndihmojnë dikë për këtë sfidë?
-
Ku tjetër mund të gjejnë njerëzit informacion që t’i ndihmojë në këtë situatë? Gjej të paktën një burim tjetër dhe shpjego se si mund të ndihmojë ai.