Seminari
Mosia 21–24, Pjesa 1: Gjetja e Qëllimeve të Zotit prapa Sprovave dhe Pikëllimeve Tona


“Mosia 21–24, Pjesa 1: Gjetja e Qëllimeve të Zotit prapa Sprovave dhe Pikëllimeve Tona”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 21–24, Pjesa 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 21–24, Pjesa 1

Gjetja e Qëllimeve të Zotit prapa Sprovave dhe Pikëllimeve Tona

një i ri duke përsiatur dhe që duket i trishtuar

Si do t’ia shpjegoje dikujt përse Zoti na lejon të përjetojmë sprova dhe pikëllime? Mosia 21–24 përshkruan përvojat e popullit të Limhit dhe popullit të Almës, të cilët u përballën që të dy me sfida të vështira. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh mirëbesim më të madh tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur përjeton sprova dhe pikëllime në jetën tënde.

Mbajtja e barrëve

person duke mbajtur një çantë shpine të rëndë

Përfytyro sikur sprovat, barrët dhe pikëllimet e tua përfaqësohen nga gurët që duhet t’i mbash fizikisht në një çantë ose çantë shpine.

  • Cilat janë disa nga sprovat ose barrët që adoleshentët mund të përjetojnë që mund të duken si gurët e rëndë në një çantë shpine?

  • Çfarë pyetjesh mund të kenë njerëzit rreth barrëve që ata bartin?

Gjej një çast për të menduar rreth disa prej sprovave dhe barrëve me të cilat po përballesh aktualisht ose je përballur në jetën tënde. Merre parasysh t’i renditësh këto në ditarin tënd të studimit. Nëse dëshiron, mund të përfshish pyetje, shqetësime ose dëshira që i ke lidhur me sprovat dhe barrët e tua.

Ndërsa studion sot, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë arsyen përse Zoti mund të lejojë që t’i përjetosh këto sprova.

Populli i Limhit dhe populli i Almës

Te Mosia 21–24, ne mësojmë rreth dy grupeve të njerëzve që përjetuan sprova dhe pikëllime të mëdha. Grupi i parë jetonte në tokën e Nefit dhe udhëhiqej nga Limhi, djali i mbretit Noe. Grupi i dytë jetonte në tokën e Helamit dhe udhëhiqej nga Alma.

ilustrim i vendeve te Mosia 21–24

Ajo që vijon është një përmbledhje e shkurtër e ngjarjeve që lidhen me robërimin e secilit grup:

Populli i Limhit

Pasi i refuzuan mësimet dhe paralajmërimet e Abinadit, nefitët, të cilët tashmë udhëhiqeshin nga mbreti Limhi, u zunë robër nga lamanitët në tokën e Nefit dhe iu kërkua të paguanin taksa të rënda (shih te Mosia 19:15). Sikurse u profetizua nga profeti Abinad (shih te Mosia 12:5), lamanitët e detyruan popullin e Limhit t’u shërbente atyre dhe të mbarte barrë të rënda (shih te Mosia 21:3).

Populli i Almës

Pas vdekjes së Abinadit, Alma dhe ndjekësit e tij ia mbathën në Ujërat e Mormonit, ku u pagëzuan (shih te Mosia 17:1–4; 18:1–14). Më pas, ata ia mbathën për sigurinë e tyre dhe ndërtuan një vendbanim të drejtë në tokën e Helamit (shih te Mosia 18:32–34; 23:1–4, 19–20). Populli i Almës përfundimisht u zbulua dhe u zu rob nga lamanitët (shih te Mosia 23:25–29, 36–37). Amulonit, që kishte qenë njëri nga priftërinjtë e ligj të Noeut, iu dha autoritet mbi ta dhe filloi ta përndiqte Almën dhe popullin e tij (shih te Mosia 24:8–9).

Përse Zoti i lejon sprovat

Lexoji fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë, duke kërkuar mësimet që mund të të ndihmojnë të kuptosh se përse Zoti na lejon të përjetojmë sprova dhe pikëllime. Nëse dëshiron, mund t’i shenjosh fjalët dhe frazat që të bëjnë përshtypje.

ikonë, shëno
  1. Përgjigju për pyetjet vijuese:

    • Çfarë ngjashmërish dhe dallimesh pe ndërmjet dy grupeve të njerëzve dhe asaj që ata përjetuan?

    • Çfarë provash pe te këto tregime për dashurinë dhe interesimin e Zotit për njerëzit?

    • Çfarë mësove rreth arsyes përse Zoti i lejon njerëzit të vuajnë sprova dhe pikëllime?

Këto tregime zbulojnë disa të vërteta rreth arsyes përse Zoti i lejon njerëzit të përjetojnë sprova. Ndër të tjera, mund të kesh vënë re sa vijon:

  • Zoti na lejon të përjetojmë sprova për të na ndihmuar të bëhemi të përulur dhe të mbështetemi më shumë tek Ai (shih te Mosia 21:5–14).

  • Disa sprova dhe pikëllime vijnë si rezultat i mosbindjes (shih te Mosia 21:15).

  • Sprovat tona mund të na japin mundësi ta kërkojmë dhe ndiejmë fuqinë e Zotit në jetën tonë (shih te Mosia 21:15–16; 24:14).

  • Zoti e qorton popullin e Tij dhe e vë në provë durimin dhe besimin e tyre (shih te Mosia 23:21).

Shumë njerëz mendojnë se të qortohesh (shih te Mosia 23:21) ka të njëjtën kuptim si të ndëshkohesh. Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi: “Fjala qortoj rrjedh nga fjala latine castus, që do të thotë ‘i dëlirë ose i pastër’ dhe qortoj do të thotë ‘të pastrosh’ [shih te Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary, bot. i 11‑të (2003), “chasten”]” (“Gjykatësi i Drejtë”, Liahona, nëntor 2016, f. 97). Përsiat për një çast se si Zoti mund të jetë duke të të pastruar nëpërmjet sprovave dhe pikëllimeve të tua.

  1. Përgjigju për të paktën dy prej pyetjeve vijuese:

    • Si mund të ndikojë kuptueshmëria për këto të vërteta në mënyrën se si ti reagon ndaj sprovave të tua?

    • Cilat përvoja të kanë ndihmuar t’i kuptosh qëllimet pse Zoti të lejon të përjetosh sprova?

    • Çfarë ke mësuar sot që mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë sprovat që përjeton?