“Alma 24: ‘Ne do t’i Varrosim Thellë në Tokë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 24”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 24
“Ne do t’i Varrosim Thellë në Tokë”
Ndonjëherë ne e gjejmë veten duke iu dorëzuar të njëjtit mëkat dhe duke zhvilluar një zakon të keq ose madje një varësi. Mposhtja e këtyre mëkateve mund të jetë shumë e vështirë. Shumë prej anti-nefi-lehive kishin zhvilluar praktika mëkatare para kthimit të tyre në besim te Zoti. Kur përjetuan faljen e Shpëtimtarit, ata u frymëzuan që ta shmangnin rikthimin në ato mëkate. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i mposhtësh mëkatin dhe zakonet e këqija me ndihmën e Shpëtimtarit.
Mposhtja e mëkatit me ndihmën e Shpëtimtarit
Lexoje skenarin vijues:
Nertila ka pasur probleme me një mëkat të caktuar prej vitesh. Ndërsa u bë më e kthyer në besim te Zoti, ajo bëri përpjekje të mëdha për t’u penduar dhe kthyer te Shpëtimtari për forcë për ta mposhtur problemin e saj. Ajo e ndjeu faljen dhe dashurinë e Zotit. Megjithatë, në çaste dobësie, ajo ndonjëherë bie përsëri pre e atij mëkati.
-
Si mund të ndihet Nertila në këtë situatë?
Përsiat se sa mirë e ndien se mund ta ndihmosh Nertilën dhe çfarë mund të të nevojitet ende të dish dhe kuptosh për ta ndihmuar atë më mirë. Gjithashtu, mendo për probleme që ti e ndien se Zoti mund të të ndihmojë t’i kapërcesh. Ndërsa studion, kërko të vërtetat që, kur zbatohen, mund ta ftojnë Shpëtimtarin të të ndihmojë ty dhe Nertilën që ta mposhtni mëkatin.
Populli i anti-nefi-lehitëve
Populli i anti-nefi-lehitëve ishin lamanitë që më parë i kishin përdorur shpatat e tyre për të vrarë të tjerët. Megjithatë, pasi “u kthyen në besim te Zoti”, ata i “ulën armët e rebelimit të tyre” (Alma 23:6–7).
Lexo tek Alma 24:1–4 për të parë se si reaguan disa prej lamanitëve të tjerë.
-
Po të ishe një prej anti-nefi-lehive, çfarë mendimesh dhe ndjenjash mund kishe pasur në këtë kohë? Përse?
Amoni dhe vëllezërit e tij mbajtën një këshill me mbretin Lamoni dhe vëllanë e tij, mbretin e popullit që kishte marrë emrin anti-nefi-lehitë (shih tek Alma 24:5). Më pas, mbreti i foli popullit të tij.
Lexoje fjalimin e mbretit tek Alma 24:7–16. Kërkoji dhe merre parasysh t’i shenjosh fjalët ose frazat që përshkruajnë sa vijon:
-
Atë që Perëndia kishte bërë për këta njerëz
-
Atë që njerëzit kishin bërë për t’u penduar
-
Atë që mbreti i këshilloi të bënin për t’i braktisur mëkatet e tyre
-
Çfarë mendimesh dhe ndjenjash mund të kishe pasur po të ishe atje duke e dëgjuar këtë fjalim? Përse?
-
Cilat fjalë ose fraza do të të kishin dhënë shtysë që të përpiqeshe fort të mos i riktheheshe kurrë mëkateve të tua?
Groposja e armëve të tyre të luftës
Lexo tek Alma 24:17–19 dhe shenjo se si njerëzit u përgjigjën pas këtij fjalimi dhe përse.
-
Si mendon se përvoja e anti‑nefi‑lehitëve mund të lidhet me ne?
Një e vërtetë që mund të përcaktojmë nga ky rrëfim është se dashuria dhe përkushtimi ynë ndaj Jezu Krishtit mund të na ndihmojnë t’i braktisim mëkatet tona.
Gjej një çast për të përsiatur se përse ky parim është i vërtetë.
Vër re frazat vijuese te vargu 18 (theksi i shtuar):
-
“Ata më mirë do të hiqnin dorë nga jeta e tyre, sesa të derdhnin gjakun e vëllezërve të tyre.”
-
“Më mirë do t’i jepnin një vëllai, sesa të merrnin prej tij.”
-
“Më mirë do të punonin rëndë me duart e tyre, sesa të kalonin ditët në përtaci.”
Në thelb, anti‑nefi‑lehitët nuk groposën vetëm armët e tyre të luftës; ata gjithashtu i zëvendësuan mëkatet e tyre të mëparshme me veprime pozitive.
-
Si mund të na ndihmojë bërja e kësaj gjëje ta braktisim mëkatin?
-
Cilat janë disa mënyra se si mund ta bëjmë këtë sot?
Për të parë një shembull, shih materialin filmik “Fuqia e Librit të Mormonit në Kthimin në Besim” nga kodi kohor 6:11 deri në 8:12, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Zotimi i popullit të anti-nefi-lehitëve
Lexo tek Alma 24:20–27 për të parë se si anti‑nefi‑lehitët e jetuan zotimin e tyre për ta braktisur mëkatin. Ndërsa lexon, përfytyro sikur je atje. Përsiat pamjet, tingujt dhe ndjenjat që mund të kesh përjetuar ndërsa u përkule në lutje, duke e ditur se nuk kishe asgjë me se ta mbroje veten dhe se ishe plotësisht në duart e Zotit.
-
Çfarë të bën përshtypje për zotimin e tyre?
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi se si sakrificat e anti-nefi-lehive mund të lidhen me ne sot.
“Varrosini plotësisht armët tuaja të rebelimit pa doreza mbi dhe. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, bërja e besëlidhjeve me një qëllim të vërtetë për t’i nderuar me besnikëri ato, do ta bekojë jetën tuaj përgjithmonë. Ju do të bëheni më shumë si Shpëtimtari ndërsa do ta kujtoni gjithmonë Atë, do ta ndiqni Atë dhe do ta adhuroni Atë. Unë dëshmoj se Ai është themeli i patundur. Ai është i besueshëm dhe premtimet e Tij janë të sigurta.” (Dejll G. Renland, “Zotim i Patundur ndaj Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2019, f. 25)
Si ta braktisësh mëkatin
Braktisja e mëkateve të tua
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj se si mund ta zbatosh atë që mësove sot në jetën tënde. Shkruaji hapat që mund të ndërmarrësh për të kujtuar dashurinë e Zotit. Përfshiji hapat praktikë për ta braktisur mëkatin dhe për t’u ruajtur nga rikthimi tek ai.
Ndërsa përpiqesh fort ta zbatosh planin tënd, beso se Shpëtimtari të do dhe do të të ndihmojë teksa përpiqesh fort t’i shmangësh rrethanat që mund të të çojnë në mëkat.