“Alma 26: ‘Do të Ngazëllehemi në Zotin’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 26”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 26
“Do të Ngazëllehemi në Zotin”
A ke pasur ndonjëherë një përvojë që mezi prisje t’ia tregoje dikujt? Çfarë doje që njerëzit të dinin? Në të njëjtën mënyrë, Amoni dhe vëllezërit e tij u gëzuan për misionin e tyre 14-vjeçar mes lamanitëve dhe donin t’i tregonin përvojat e tyre. Ata e dëshmuan fuqinë dhe dashurinë e Perëndisë ndërsa mijëra lamanitë u sollën në njohurinë e së vërtetës. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh mirënjohje të thellë dhe dashuri për Zotin dhe për bekimet që Ai dhuron në jetën tënde.
Për çfarë je i/e pasionuar?
Reflekto për disa çaste për diçka për të cilën je entuziast/e ose i/e pasionuar – diçka për të cilën pasi fillon të flasësh, është e vështirë të ndalosh!
-
Pse ke ndjenja kaq të forta për këtë?
-
Çfarë shpreson se do të ndiejnë të tjerët kur flet për të? Përse?
Pasi bijtë e Mosias u kthyen nga misioni i tyre 14-vjeçar te lamanitët, Amoni foli me vëllezërit e tij për përvojat e tyre. Lexo tek Alma 26:8, 16, duke kërkuar atë për të cilën Amoni ishte entuziast dhe i pasionuar.
Tek Alma 26:16, Amoni përdori foljet ngazëllehemi, gëzohemi dhe lavdërojmë ndërkohë që foli për Zotin. Të ngazëllehemi do të thotë të gëzohemi ose të japim “lavdërime me adhurim, nderim dhe falënderim” (Merriam-Webster.com, “Glory”; shih edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lavdi”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ti mund të duash t’i shenjosh këto fjalë te vargu 16 dhe në vargje të tjera ndërsa studion sot.
Gjej disa çaste për të reflektuar për sa vijon:
-
Si ndihesh për marrëdhënien tënde me Atin Qiellor? Përse?
-
A flet me të tjerët rreth Tij me emocion dhe gëzim? Përse po ose përse jo?
Ndërsa studion kapitullin tek Alma 26 sot, përsiat se si shembulli i Amonit që tregoi se si ai u ndje rreth Perëndisë mund ta shtojë dashurinë dhe mirënjohjen tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
“Bekime kaq të mëdha”
Lexo tek Alma 26:1–4, 8–16, duke kërkuar se si Amoni foli rreth Perëndisë dhe rreth asaj që Ai kishte bërë për vëllezërit e tij dhe lamanitët.
-
Çfarë të bëri përshtypje rreth mënyrës se si Amoni foli për Perëndinë?
-
Çfarë të vërtetash gjete që mund ta frymëzojnë dikë të ngazëllohet në Zotin?
Mund të jetë e dobishme të mendosh rreth disa prej përvojave që Amoni pati si misionar që e shtynë atë ta lavdëronte Perëndinë. Figurat vijuese mund të të ndihmojnë ta kujtosh atë që ndodhi.
Ndonëse përvojat tona janë të ndryshme nga të Amonit, ne mund të kemi arsye të ngjashme për ta lavdëruar Perëndinë.
“Shkak kaq të madh të gëzoheshin”
Kur Amoni kujtoi kohën e tij si misionar dhe ndërveprimin e tij me Perëndinë, ai u ngazëllye për atë që Perëndia është dhe për atë që Perëndia kishte bërë të mundur në jetën e tij.
Palose një copë letër në tresh ose bëj tri kolona në një faqe në ditarin tënd të studimit. Emërtoje kreun e çdo kolone me një nga grupet vijuese të njerëzve:
-
Amoni dhe vëllezërit e tij (Alma 26:17–22)
-
Lamanitët (Alma 26:23–24, 31–34)
-
Të gjithë fëmijët e Perëndisë (Alma 26:35–37)
Lexoji fragmentet e shkrimeve të shenjta për secilin grup dhe shëno në kolonë atë që Perëndia kishte bërë për ta.
-
Çfarë të bëri përshtypje rreth asaj që Perëndia kishte bërë për këta grupe njerëzish? Përse kjo do t’i bënte njerëzit të ngazëllenin në Të?
Ktheje fletën e palosur të letrës ose krijo tri kolona të reja në ditarin tënd të studimit. Vendosi secilës kolonë një prej krerëve vijues:
-
Si më ka bekuar Perëndia
-
Si i ka bekuar Perëndia njerëzit që i dua
-
Ajo që di dhe ndiej për Perëndinë
Nëse dëshiron, mund t’i lutesh Atit Qiellor, duke i kërkuar Atij të të sjellë mendime dhe kujtime në mendje. Ndërsa e kujton se si Perëndia të ka bekuar ty dhe të tjerët dhe reflekton për ndjenjat e tua për Të, Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë ta ndiesh dashurinë e Perëndisë për ty.
Shënoji përgjigjet e tua në secilën kolonë dhe shpjego se përse ato të bëjnë të ngazëllehesh në Perëndinë.
Ndërsa reflekton mbi atë që ke mësuar dhe ndier sot, ti mund të duash të vendosësh një synim për të gjetur kohë për ta kujtuar Perëndinë dhe për t’u ngazëlluar në Të. Mund të ndihesh gjithashtu i nxitur t’ia tregosh mendimet e tua dikujt tjetër siç bëri Amoni. Kërko një mundësi për t’u shprehur dhe merre parasysh se si mund ta ndihmosh personin tjetër ta ndiejë atë që ti ke ndier për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.