“Alma 23: Ata ‘Nuk Hoqën Dorë Kurrë nga Besimi i Tyre’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 23”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 23
Ata “Nuk Hoqën Dorë Kurrë nga Besimi i Tyre”
Mendo për forcat e shumta në botë sot që kërkojnë ta shkatërrojnë besimin tënd dhe të të largojnë nga Zoti. Çfarë mund të bësh për të qëndruar i palëkundur dhe për të penguar që kjo të ndodhë? Ne mund të mësojmë nga shembujt e mijëra lamanitëve që ishin “[të] kthye[r] në besim te Zoti” dhe që “nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (Alma 23:6). Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë të dëshirosh të jesh i kthyer më plotësisht në besim te Zoti dhe të përcaktosh çdo pengesë ndaj atij kthimi në besim.
Të qëndruarit i fortë
Nëse është e mundur, qëndro me një këmbë për 30 sekonda. Mendo se sa e vështirë do të ishte të mbaje ekuilibrin nëse dikush do të të shtynte ndërkohë që qëndroje me një këmbë.
Tani qëndro me të dyja këmbët dhe mendo se sa më e thjeshtë do të ishte të mbaje ekuilibrin nëse dikush do të të shtynte.
Me raste, shkrimet e shenjta e krahasojnë besnikërinë ndaj Zotit me të qëndruarit të patundur (shih te Mosia 4:11; Alma 1:25) dhe largimin nga Zoti me rënien (shih te 2 Nefi 18:15; Helamani 5:12).
-
Cilat janë disa arsye përse njerëzit heqin dorë nga Jezu Krishti dhe Kisha e Tij?
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Nëse do të vazhdoje të jetoje siç po jeton tani, a e ndien se do të afroheshe më shumë me Zotin dhe Kishën e Tij apo do të filloje të hiqje dorë nga besimi? Përse?
-
Çfarë di ti rreth Zotit dhe Kishës së Tij që të bën të mos duash të heqësh dorë nga besimi?
Ndërsa studion rreth njerëzve që “nuk hoqën dorë kurrë” (Alma 23:6), kërko ide dhe udhërrëfim për jetën tënde nëpërmjet lutjes ndaj Atit Qiellor dhe frymëzimin e Frymës së Shenjtë.
Të kthyer në besim te Zoti
Pas kthimit të tij në besim, mbreti i lamanitëve shpalli liri fetare në vend në mënyrë që bijtë e Mosias ta predikonin të sigurt ungjillin.
Lexo tek Alma 23:3–5, duke kërkuar ndikimin që pati predikimi te njerëzit.
Me raste, shkrimet e shenjta përsëritin fraza që janë të rëndësishme që ne t’i kuptojmë. Lexo tek Alma 23:6–13, 15, duke kërkuar fraza që tregojnë se përse këta mijëra të kthyer në besim “nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (vargu 6). Merre parasysh t’i shenjosh frazat e përsëritura.
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje është se ndërsa kthehemi në besim te Zoti dhe i ulim armët e rebelimit tonë, ne mund të qëndrojmë gjithnjë besnikë ndaj Tij.
Mendo se çfarë di për Shpëtimtarin dhe përsiat se përse dëshiron të bëhesh dhe të qëndrosh i kthyer në besim tek Ai gjatë gjithë jetës tënde. Merre parasysh të lexosh disa nga vargjet vijuese për të të ndihmuar:
Ulja e armëve të rebelimit tonë
Për të qenë më të vërtetë të kthyer në besim te Zoti dhe për të mos hequr dorë kurrë nga besimi, ne duhet të jemi të gatshëm t’i ulim armët e rebelimit tonë. Armët e rebelimit të lamanitëve ishin edhe të vërteta, edhe simbolike. Por për ne, këto armë ka të ngjarë të jenë vetëm simbolike.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se armët e rebelimit tonë mund të jenë “egoizmi, krenaria dhe mosbindja” (“Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor 2012, f. 108). Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se armët tona mund të jenë “dëshirat vetjake që janë në kundërshtim me të qenit i ankoruar te Shpëtimtari dhe ndjekjen e shtegut të besëlidhjes” (“Zotim i Patundur ndaj Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2019, f. 22).
Armët e rebelimit tënd
Për ta përmbyllur këtë mësim, kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të përcaktuar se çfarë armësh të rebelimit mund të kesh. Nëse e përcakton njërën, merre parasysh ta shkruash atë në ditarin tënd të studimit dhe të vizatosh një armë pranë tij.
Përsiat se çfarë mund të bësh për t’i ulur armët e rebelimit tënd dhe se si ai zotim mund të të ndihmojë të bëhesh i kthyer në besim te Zoti dhe të mos heqësh dorë kurrë nga besimi.