“Alma 42, Pjesa 1: ‘Një Perëndi i Përsosur, i Drejtë dhe Gjithashtu një Perëndi i Mëshirshëm’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 42, Pjesa 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 42, Pjesa 1
“Një Perëndi i Përsosur, i Drejtë dhe Gjithashtu një Perëndi i Mëshirshëm”
Të jetuarit në një botë të rënë me këndvështrimin tonë të kufizuar, të vdekshëm mund ta bëjë të vështirë ta kuptojmë natyrën e plotë dhe të përsosur të Atit tonë Qiellor dhe planin e Tij. Edhe Koriantoni e pati të vështirë ta kuptonte realitetin e drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë. Alma e ndihmoi ta zgjeronte këndvështrimin e tij për Atin tonë të dashur Qiellor dhe planin e Tij për ne. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta kuptosh më mirë natyrën e Atit Qiellor si një qenie edhe e drejtë, edhe e mëshirshme.
Drejtësia dhe mëshira e Perëndisë
Lexoji skenarët vijues:
-
Gimi po bën zgjedhje për t’i shkelur urdhërimet e Perëndisë. Në fillim ai u ndje pak fajtor, por vendosi se, nëse Ati Qiellor i do fëmijët e Tij kaq shumë, Ai nuk do ta ndëshkonte atë për mëkatet e tij.
-
Elsa është në një gjendje dëshpërimi për shkak se qe penduar për një mëkat që kreu, u ndje e falur, më pas e katranosi përsëri. Ajo beson se nuk ka shpresë për të për shkak se ndien se e ka gënjyer Perëndinë për pendimin e saj.
-
Çfarë mund të jetë e pasaktë në kuptueshmërinë e secilit person?
Ka shumë vetë që e keqkuptojnë ekuilibrin e dashur e të përsosur mes drejtësisë dhe mëshirës së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ndërsa e studion mësimin e sotëm, mendo rreth asaj se si je bekuar për shkak se Perëndia është i drejtë dhe i mëshirshëm.
Alma e ndihmoi Koriantonin ta kuptonte planin e Perëndisë
Ndërsa Alma vazhdoi të këshillohej me Koriantonin, ai e kuptoi se i biri kishte një shqetësim rreth Perëndisë dhe planit të Tij.
Lexo tek Alma 42:1 dhe kërkoje shqetësimin e Koriantonit.
Alma u përpoq ta ndihmonte Koriantonin duke i treguar atij një këndvështrim më të gjerë për Perëndinë dhe planin e Tij. Ai filloi duke i shpjeguar se Rënia e Adamit dhe Evës në Kopshtin e Edenit solli vdekjen shpirtërore (ndarjen nga Perëndia) dhe vdekjen fizike (vdekjen e trupit të vdekshëm) (shih tek Alma 42:2–8). Më pas ai i mësoi Koriantonit se si lidhet Rënia me drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë.
Lexo tek Alma 42:9–12 dhe kërko pasojat e Rënies.
-
Cilat pasoja të Rënies gjete?
Përkufizimet vijuese do të të ndihmojnë t’i kuptosh më mirë vargjet vijuese që do të studiosh.
-
Drejtësia: “Sipas termave në shkrimet e shenjta, drejtësia është ligji i pandryshueshëm që sjell pasoja për veprimet. Për shkak të ligjit të drejtësisë, ne marrim bekime kur u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Ligji i drejtësisë kërkon gjithashtu që të paguhet një gjobë për çdo mëkat që kryejmë” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Justice” [“Drejtësi”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
-
Mëshira: “Mëshira është trajtimi me dhembshuri i një personi, shumë më tepër nga sa meritohet dhe bëhet i mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Mercy” [“Mëshirë”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Lexo tek Alma 42:13–15, duke kërkuar atë që Alma dha mësim rreth Perëndisë dhe planit të Tij.
-
Çfarë mëson rreth planit të Perëndisë?
-
Çfarë të vërtetash mëson rreth Perëndisë nga këto vargje?
Një e vërtetë që jepet mësim në këto vargje është se Perëndia është i përsosur, i drejtë dhe i mëshirshëm.
-
Si mendon, përse është e rëndësishme që ta dimë këtë të vërtetë rreth Perëndisë?
Drejtësia dhe mëshira e Perëndisë
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë:
“Drejtësia është një tipar thelbësor i Perëndisë. Ne mund të kemi besim te Perëndia, sepse Ai është përsosurisht i besueshëm. Shkrimet e shenjta na mësojnë se: ‘Perëndia nuk ecën në shtigje të tërthorta, as nuk kthehet në të djathtë apo në të majtë, as nuk ndryshon nga ajo që ka thënë, si rrjedhim, shtigjet e tij janë të drejta dhe udha e tij është një rreth i përjetshëm’ [Doktrina e Besëlidhje 3:2] dhe se ‘Perëndia nuk tregohet i anshëm’ [Veprat e Apostujve 10:34]. Ne mbështetemi te tipari hyjnor i drejtësisë që të kemi besim, vetëbesim dhe shpresë.
Por, si pasojë e të qenit përsosurisht i drejtë, ka disa gjëra që Perëndia nuk mund t’i bëjë. Ai nuk mund të jetë i paarsyeshëm në shpëtimin e disave dhe në ndëshkimin e të tjerëve. Ai ‘nuk mund ta shoh[ë] mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit’ [Doktrina e Besëlidhje 1:31]. Ai nuk mund ta lejojë mëshirën që ta grabitë drejtësinë [shih [tek] Alma 42:25].
Është provë bindëse e drejtësisë së Tij që Perëndia e ka farkëtuar parimin shoqërues të mëshirës. Është ngaqë Ai është i drejtë, që Ai krijoi mënyrën se si mëshira ta luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm në fatin tonë të përjetshëm.” (D. Tod Kristoferson, “Të Lirë Përgjithmonë, që të Veprojnë për Veten e Tyre”, Liahona, nëntor 2014, f. 17–18)
-
Çfarë të ndihmon kjo thënie të kuptosh rreth Perëndisë?