“Alma 47–48: Amalikia dhe Lehonti”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 47–48”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 47–48
Amalikia dhe Lehonti
A ke dëgjuar ndonjëherë dikë të thotë: “Një herë e vetme nuk të lëndon”, “Gjë e vogël është” ose “Nuk është aq keq”? Kur vendosim t’i dorëzohemi tundimeve të Satanit qoftë edhe pak, i japim atij fuqi mbi ne. Tek Alma 47, ne mësojmë për një njeri të quajtur Lehonti, i cili i lëshoi pak pe armikut të tij dhe e gjeti veten në rrethana shumë të rrezikshme dhe madje vdekjeprurëse. Ky mësim mund të të ndihmojë t’u bësh ballë përpjekjeve të Satanit për të fituar fuqi mbi ty.
Karremat
Karremi i peshkimit është një lloj mjeti mashtrimi që përdoret për të kapur peshk. Karremi tërheq vëmendjen e peshkut dhe mund ta joshë peshkun që të përpiqet ta kafshojë atë. Dhe pasi peshku zihet në grep, ai mund të kapet.
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi ngjashmëritë ndërmjet karremave të peshkimit dhe tundimeve të Satanit.
-
Cilët janë disa nga karremat që Satani përdor për të na joshur që të mëkatojmë?
-
Përse do të doje t’u bëje ballë këtyre karremave?
-
Çfarë mund ta bëjë të vështirë bërjen ballë të tundimit?
Mund të të kujtohet se Amalikia dhe një grup dezertorësh nefitë kërkuan ta përmbysnin lirinë e nefitëve dhe ta shkatërronin kishën e Perëndisë (shih tek Alma 46:10). Pasi u ndalua nga Moroni dhe nefitët e tjerë, Amalikia ia mbathi te lamanitët dhe u përpoq ta ndizte zemërimin e tyre kundër nefitëve (shih tek Alma 46:29–33; 47:1).
Sot ti do të mësosh rreth përpjekjeve të mëtejshme të Amalikias për të fituar fuqi. Shumë nga taktikat e tij janë të ngjashme me taktikat që Satani i përdor kundër nesh sot. Ndërsa studion, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë t’i shmangësh karremat që përdor Satani në përpjekjet e tij për të të lënduar.
Amalikia kërkon të bëhet mbreti i lamanitëve
Lexo tek Alma 47:1–8 dhe kërko se cilat ishin planet e Amalikias ndërsa shkoi mes lamanitëve.
-
Çfarë bëri Amalikia për të fituar ndikim dhe fuqi mes lamanitëve?
-
Ku ngjasojnë qëllimet Amalikias me të Satanit? (Shih te 2 Nefi 26:22.)
-
Ku ndryshojnë qëllimet e Atit Qiellor për ty nga ato të Satanit? (Shih te Moisiu 1:39.) Përse është e rëndësishme kjo për t’u mbajtur mend?
Grupi i lamanitëve që refuzuan të shkonin në betejë kundër nefitëve u udhëhoqën nga një njeri i quajtur Lehonti.
Lexo tek Alma 47:9–12, duke kërkuar atë që Amalikia donte që të bënte Lehonti.
-
Cilat janë disa arsye pse Lehonti mund të kishte marrë parasysh ta pranonte ftesën përfundimtare të Amalikias te vargu 12?
-
Çfarë do t’i kishe thënë Lehontit nëse do të kishe qenë në ushtrinë e tij dhe ai do të të kishte kërkuar këshillë rreth mënyrës se si të takohej me Amalikian? Përse?
Lexo tek Alma 47:13–19, duke kërkuar se si Lehonti iu përgjigj përpjekjeve shtesë nga Amalikia dhe çfarë ndodhi si rrjedhojë e saj.
-
Në ç’mënyra qenë taktikat e Amalikias të ngjashme me taktikat që përdor Satani për të na shkatërruar? (Nëse është e nevojshme, shih te 2 Nefi 28:7–8, 21–22.)
Lufta jote kundër Satanit
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky rrëfim është se nëse i dorëzohemi tundimeve të Satanit qoftë edhe pak, ne i japim atij ndikim më të madh për të na çuar në rrugën e gabuar.
Mendo se si e ke parë këtë të vërtetë të demonstrohet në jetën tënde ose në jetën e të tjerëve. Veprimtaria vijuese mund të të ndihmojë të përcaktosh disa mënyra se si Satani mund të përpiqet të të bëjë të cenueshëm ndaj tundimeve të tij dhe mënyrat se si Shpëtimtari mund të ndihmojë për t’u mbrojtur kundër atyre tundimeve.
Bëj një plan
Mendo se si të vërtetat që ke studiuar sot gjejnë zbatim në jetën tënde. Merre parasysh t’i mbash shënim përgjigjet e tua për pyetjet vijuese:
-
Kur u ke bërë ballë tundimeve të Satanit duke përdorur mjetet që të ka siguruar Zoti?
-
Si do të përpiqesh për ta kërkuar më mirë ndihmën e Perëndisë për t’u bërë ballë tundimeve të Satanit?