“Alma 43, 48–50: Të Mësuarit nga Kapitujt e Luftës”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 43, 48–50”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 43, 48–50
Të Mësuarit nga Kapitujt e Luftës
Pjesa e fundit e librit të Almës përshkruan një kohë grindjesh dhe luftërash. Strategjitë e përdorura nga nefitët në këto luftëra mund të na ndihmojnë të zhvillojmë strategji që mund t’i përdorim në betejat tona të përditshme kundër Satanit. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i krahasosh shkrimet e shenjta me veten tënde për të marrë mbrojtjen e Zotit nga sulmet e vazhdueshme dhe në rritje të kundërshtarit.
Dallimi i kundërshtarit
Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi:
“Ju po rriteni në territor armik. … [Kundërshtari] është nëpër shtëpi, në argëtim, te mjetet e komunikimit, në gjuhë – te gjithçka rreth jush. Në shumicën e rasteve, prania e tij është e pazbuluar.” (Bojd K. Paker, “Si të Mbijetosh në Territor Armik”, New Era, prill 2012, f. 2; Liahona, tetor 2012, f. 34)
-
Çfarë mendimesh ose ndjenjash ke rreth kësaj thënieje?
-
Çfarë shembujsh mund të vijnë në mendje që e ilustrojnë atë për të cilën po fliste Presidenti Paker?
Reflekto për një çast se si thënia e Presidentit Paker gjen zbatim për ty. Cilat janë disa nga mënyrat se si e vë re që tundimet e Satanit ndikojnë tek ti ose te personat që ti do? Çfarë përpjekjesh po bën për t’u mbrojtur nga sulmet e tij?
Luftërat ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve
Fundi i librit të Almës përshkruan disa nga luftërat që ndodhën ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve. Ndërsa i studion këto rrëfime, ti mund të mësosh mësime të vyera që mund të të ndihmojnë në betejën tënde kundër Satanit. Për shembull, qëllimet dhe taktikat e lamanitëve mund të krahasohen me qëllimet dhe taktikat e Satanit ndaj nesh.
Lexo tek Alma 43:5–8; 46:3–5, 10, duke kërkuar atë që udhëheqësit e ligj të lamanitëve bënë që ngjason me qëllimet dhe taktikat e Satanit.
-
Në ç’mënyrë qenë qëllimet dhe taktikat e këtyre udhëheqësve si ato të Satanit?
Ushtritë e nefitëve u udhëhoqën nga një njeri i drejtë i quajtur Moroni.
Lexo tek Alma 48:11–13, 17, duke kërkuar cilësi ose karakteristika si të Krishtit te Moroni.
-
Çfarë gjete?
Krahasimi i shkrimeve të shenjta me veten tënde
Krahasimet që ke bërë deri tani në shkrimet e shenjta mund të të përgatitin t’i krahasosh ose lidhësh hollësitë e tjera nga këto rrëfime me jetën tënde.
Procesi vijues mund të të ndihmojë t’i krahasosh shkrimet e shenjta me jetën tënde. Mbaji shënim këto hapa në ditarin tënd të studimit.
-
Gjej hollësi të rëndësishme.
-
Bëj krahasime me jetën tënde.
-
Zbulo mësime të vyera.
-
Përcakto zbatimin në planin vetjak.
Ushtroje aftësinë e krahasimit kur studion shkrimet e shenjta, duke e përdorur këtë proces teksa mëson rreth njërës prej betejave ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve.
Hapi 1: Gjej hollësi të rëndësishme
Lexo tek Alma 43:17–21, 37–39, 51–54, duke kërkuar hollësi të rëndësishme. Këto hollësi mund të përfshijnë njerëz, vende, sende ose veprime që janë të theksuara.
Disa hollësi që mund t’i kesh vënë re përfshijnë Moronin që i mbron ushtritë e tij me parzmore dhe veshje të trasha, lamanitët që nuk mbajnë parzmore mbrojtëse dhe nefitët që i mundin lamanitët pavarësisht se ishin shumë më të paktë në numër.
Hapi 2: Bëj krahasime me jetën tënde
Mendo se si hollësitë që përcaktove në hapin e mëparshëm mund të krahasohen me diçka shpirtërore ose me situata në jetën tënde.
-
Çfarë krahasimesh mund të bësh me hollësitë që përcaktove në hapin e mëparshëm? (Nëse është e nevojshme, shih te Doktrina e Besëlidhje 27:1, 15–18 ose Efesianëve 6:11–16. Mund t’i lidhësh si referenca-kryq këto vargje me vargjet tek Alma 43.)
Ti mund ta kesh krahasuar parzmoren e nefitëve me parzmoren e Perëndisë. Mund ta kesh krahasuar edhe fitoren e nefitëve me mposhtjen e Satanit dhe tundimeve të tij.
Hapi 3: Zbulo mësime të vyera
Mendo rreth asaj që mëson nga ky rrëfim që mund të gjejë zbatim për ty. Mund të mendosh edhe rreth asaj që mëson për Shpëtimtarin.
-
Cilat janë disa mësime që mëson nga kjo betejë ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve që mund të të ndihmojnë në betejat e tua kundër Satanit?
-
Çfarë të mëson ky rrëfim për Jezu Krishtin?
Një parim që mund të mësojmë është se Jezu Krishti na ofron mbrojtjen që na duhet në luftën tonë kundër Satanit.
Hapi 4: Përcakto zbatimin në planin vetjak
Reflekto se si mund t’i zbatosh mësimet që përcaktove në hapin e mëparshëm.
-
Çfarë mund të bësh për ta marrë mbrojtjen e Jezu Krishtit kundër Satanit?
Ndër mënyrat e shumta për ta zbatuar këtë të vërtetë, ti mund të kesh menduar se si mbrojtja e Shpëtimtarit është në dispozicion nëpërmjet veprimeve besnike si lutja (shih te Doktrina e Besëlidhje 10:5), studimi i shkrimeve të shenjta (shih te 1 Nefi 15:24) ose zbatimi i urdhërimeve të Zotit (shih te Mosia 2:41).
Ushtroje krahasimin e shkrimeve të shenjta përsëri
Zgjidh të paktën dy nga grupet vijuese të vargjeve dhe, ndërsa studion, ushtroje përdorimin e procesit me katër hapa për krahasimin e shkrimeve të shenjta.